“Edi Rama më kërkoi 20 % për lejen” – 19 vite më pas, kryeministri i firmos lejen Hajredin Fratarit për “geto” në Yzberisht!

Në pranverën e vitit 2007, në prag të zgjedhjeve lokale të atij viti, një biznesmen do të akuzonte drejtpërdrejt kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se kërkonte 20 % për të firmosur leje ndërtimi. Akuza e rëndë u bë në atë kohë nga Hajredin Fratari, një biznesmen pranë të djathtës, madje vajza e tij kandidoi për deputete me PD-së, por me kalimin e kohës dhe kur në “lojë” hyri edhe prokuroria, ai tërhoqi akuzat.

Ndërkohë, dy personazhet u “përplasën” edhe në vitin 2014, kur një vit pasi PS-ja erdhi në pushtet, biznesmeni Fratari u arrestua me akuzën e ndërtimit të paligjshëm, i akuzuar se po ndërtonte një pallat në zonën e Selitës pa asnjë leje. Sërish ndalimi shkaktoi reagime nga Partia Demokratike, e cila tha se ndalimi i Fratarit erdhi për shkak të “hakmarrjes” së kryeministrit Edi Rama.

Por, nuk përfundojnë këtu “përplasjet” mes Ramës dhe Fratarit, pasi emri i të dyve figuron në një super leje të firmosur nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, në zonën e Yzberishtit. Dokumentet e hulumtuara nga Vox News hedhin dritë mbi një “bashkëpunim” mes Ramës dhe Fratarit, i pari si pronari i firmës ndërtuese dhe i dyti si kreu i KKTU-së.

“Edi Rama më kërkoi 20 % për lejen” - 19 vite më

Faksimile: Leja e KKTU-së për ndërtimin e kompleksit në zonën e Yzberishtit, në Tiranë

Sipas dokumenteve, javët e fundit është zbardhur një tjetër leje për masive të stërmëdha betoni në zonën e Yzberishtit, ku në një sipërfaqe tepër të vogël, do të ngrihen disa “qytete”, në formë geto.

Vox News ka mësuar se, akuzat e para 19 viteve janë hedhur në “kosh”, teksa kompania e Hajredin Fratarit, do të ndërtojë një “kompleks rezidencial, shërbime, qendër biznesi dhe hoteleri (Riverway City), me 1, 2, 15-21, 23, 27 kate, me 2 kate nëntokë”, me vendndodhje në njësinë administrative Kashar, rruga “Pjetër Bogdani”.

“Edi Rama më kërkoi 20 % për lejen” - 19 vite më

Në foto: Zona ku do të ndërtohet “qyteti” i Hajredin Fratarit, me sipërfaqe 4.5 hektarë

Subjekti zhvillues quhet shoqëria “FRATARI CONSTRUCTION 1990” në pronësi të biznesmenit të moshuar.

“Zona në studim pozicionohet në Kashar, me përdorim multifunksional që ndodhet rreth 4.5 km në perëndim të qendrës së qytetit të Tiranës, rreth 200 m nga autostrada Tiranë-Durrës. Parcela prej afro 4.5 hektarë ka një formë gati kuadratike përkufizuar me rrugë nga të katërta orientimet. Në orientimin verior kuadrati i parcelës përkufizohet me lumin Lana ndërkohë nga ai Jugor me Bulevardin e Yzberishtit”, thuhet në dokument.

“Edi Rama më kërkoi 20 % për lejen” - 19 vite më

Në foto: Kullat e larta deri në 27 kate që do të ngrihen në zonën e Yzberishtit, nga biznesmeni Hajredin Fratari

Në të njëjta dokumente përcaktohet se projekti i “Riverëay City” është planifikuar të realizohet në një periudhë kohore, e cila do të mund të përfshijë ndërtimin e infrastrukturës specifike në zonë, hoteleve, rezidencave, objekteve dhe hapësirave rekreative.

“Riverway City koncepton një zhvillim që strehon afërsisht 3,500 banorë. Me fjalë të tjera: do të jetë një lagje e plotë e qytetit që përmban kryesisht njësi banimi me të gjitha lehtësitë përkatëse, si dhe një strukturë hotelerie të shtrirë me rreth 70,000 m² shërbime, kryesisht në katin përdhe. Është një lagje urbane dhe komunikuese e qytetit, ku hapësirat publike, brezi i parkut buzë lumit, oborret qendrore të qytetit, sheshet e lagjeve, veprojnë si hapësira sociale”, thuhet në dokumente.

Të gjitha janë dëshmitarë se si kanë përfunduar kullat e Hajredin Fratarit në Laprakë, Yzberisht apo në Komunën e Parisit. Duket se, edhe kompleksi i fundit, mund të kthehet në një geto të mirëfilltë, pasi dendësia e banorëve do të jetë tepër e madhe.

Vox News