58-vjeçari shqiptar, Haredin Fejzulla, i dënuar nga autoritetet belge me 29 vite burg, është arrestuar nga Policia Kombëtare në Madrid. Shqiptari u arrestua gjatë një operacioni ku në pranga ranë edhe 10 persona të tjerë.
Ai akuzohet për drejtimin e një bande me bazë në Belgjikë dhe për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, një biznes i paligjshëm me të cilin grumbullohej një pasuri prej më shumë se 4 milionë euro.
Haredin Fejzulla ka lindur në Shqipëri, por ka jetuar në Belgjikë për shumë kohë. Ai u dënua me 9 dhe 4 vjet burgim nga Gjykata e Shkallës së Parë të Brukselit, si dhe 5 vjet nga Gjykata e Apelit të Brukselit, për veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike dhe përkatësisë në organizatë kriminale, pra 18 vjet në total.
Një gjyq i vitit 2021 kundër Fejzullait zbuloi se 13 nga plantacionet gjeneruan rreth katër milionë euro, para të cilat besohet se u riinvestuan nga banda.
E gjithë familja e tij ishte e përfshirë në organizim. Me 3 vite burg u dënua edhe djali i tij 31-vjeçar, si ndihmës logjistik dhe roje i plantacioneve. Vetë Fejzulla ndodhej në arrati që prej 22 shtatorit 2014. Nga kjo datë policia belge nuk ka pasur asnjë informacion lidhur me shqiptarin, i cili prezantohej edhe si grek, duke përdorur emrat ‘Spiros’, ‘Robotis Postolis’ ose ‘Vasileios Samaras’.