FOTO/ Bebe Rexha e ” kall” në dasmën e vëllait, kërcen me Ledri Vulën nën rìtmet e këngës “U Harrum”

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka ndarë me ndjekësit pamje nga dasma e vëllait të saj, ku nuk kanë munguar muzika, vallet tradicionale shqiptare dhe emrat e njohur të skenës muzikore.

Në një nga videot e publikuara në rrjetet sociale, Bebe shfaqet duke kërcyer pranë reperit kosovar Ledri Vula, teksa të dy argëtohen nën ritmet e këngës “U Harrum”. Pamjet kanë tërhequr vëmendjen e fansave, duke treguar atmosferën festive të krijuar gjatë ceremonisë familjare.

Ledri ishte një nga artistët e ftuar për të performuar në dasmë, ndërsa pjesë e programit muzikor ishte edhe këngëtarja Yllka Kuqi, e cila gjithashtu u shfaq në videot e shpërndara nga festa.Pavarësisht karrierës së saj ndërkombëtare dhe jetës në Shtetet e Bashkuara, Bebe Rexha ka treguar vazhdimisht lidhjen e fortë me prejardhjen dhe kulturën shqiptare.

Dasma e vëllait të saj, e organizuar më 11 tetor, u karakterizua nga elemente tradicionale, muzikë live, tupana dhe valle shqiptare. Në pamjet e publikuara shihen edhe dollarë të shpërndarë në dyshemenë e sallës, një detaj që ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale.

Vetë Bebe është përfshirë aktivisht në festë, duke kënduar dhe kërcyer së bashku me artistët e pranishëm. Në një tjetër moment, ajo shihet duke kënduar përkrah Yllka Kuqit.


Për këngëtaren, dasma ishte një mundësi për të festuar një moment të rëndësishëm familjar mes njerëzve të afërt dhe traditave me të cilat është rritur.

Videot e publikuara kanë sjellë reagime të shumta nga ndjekësit, të cilët kanë komentuar atmosferën dhe mënyrën se si artistja e njohur ndërkombëtarisht është përfshirë në festën shqiptare.

Prania e Ledri Vulës dhe Yllka Kuqit e bëri mbrëmjen edhe më të veçantë, duke bashkuar muzikën moderne shqiptare me traditat që vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e festimeve familjare.