Pak orë pas daljes nga burgu, eurodeputeti i partisë greke në pushtet Nea Demokracia deklaroi se kishte patur oferta që të jepte dorëheqjen nga mandati i fituar i kryetarit të Bashkisë së Himarës.
Fredi Beleri tha se zyrtarë të partnerëve tanë kryesorë e kishin takuar javën e parë të arrestimit të birin dhe të vëllanë duke u sugjeruar atyre dorëheqjen e Belerit dhe gjetjen e një kandidati tjetër, qoftë edhe e një anëtari të familjes Beleri.
Po kush partnerë janë këta? Në intervistën për gazetaren Elona Meço, në emisionin “Pa Censurë”, Fredi Beleri foli hapur.
Elona Meço: Ju pohuat pas daljes nga burgu se keni patur oferta nga zyrtarë të partnerëve tanë kryesorë për të dhënë dorëheqjen në shkëmbim të lirisë. Kush jua bëri këtë ofertë?
Fredi Beleri: Po kë kemi ne partnerë kryesorë?
Elona Meço: Amerikanët di unë që kemi. Ishin ata?
Fredi Beleri: Edhe nga ata.
Elona Meço: “Edhe nga ata”, kush ishte tjetër?
Fredi Beleri: Po Shqipëria ka edhe partnerë të tjerë, ndërmjetës ka, dashamirës. Por edhe ky ishte një mashtrim i radhës. Sepse oferta ishte që të vëmë një djalë të mirë, pa probleme, që të ketë mundësi të fitojë bashkinë, të ndëshkojë populli me votë gabimet e qeverisë. Erdhi zoti Gjikuris, që për mua është një qytetar model dhe sulmi që iu bë ishte 10 fish më i madh se sulmi që m’u bë mua në 2023-shin para zgjedhjeve.
Një nga sulmet që përmendi Beleri ndaj kandidatit të opozitës ishin takimet e tij më ish-kreun e CIA-s, Robert Gates. “Pse zoti Gates është i mirë kur takon kryeministrin shqiptar dhe kur takon zotin Gjikuria është problem?!”, tha Fredi Beleri duke kritikuar “standardet e dyfishta të përdorur në fushatë elektorale kundër opozitës”.