Një foshnje vetëm 5 ditëshe ka humbur jetën në maternitetin e Vlorë këtë fillim tetori, duke ngritur pikëpyetje të shumta te familjarët, të cilëve nuk u ishte thënë në asnjë moment se foshnja kishte ndonjë anomali apo problem shëndetësor.
Pas ngjarjes, prindërit kanë bërë denoncim, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë mjekja përgjegjëse. Në një lidhje “Skype” për “Shqipëria Live”, babai i foshnjës Neritan Halilaj, me lot në sy ka treguar gjithë çfarë ka ndodhur, dhe arsyen pse mendon se foshnja ka ndërruar jetë për gabim të mjekëve.
“Lindi shumë mirë, vajta ta marr nusen dhe djalin ditën e tretë, më tha doktoresha do rrijë dhe nja dy ditë sepse po merr një mjekim djali, sepse i kishin dalë ca puçrra të kuqe si çdo fëmije.Ok e lashë, ditën e pestë erdhi doktoresha na tha gjithçka mirë, dhe i bënë vaksinën e bebit, dhe me merr nusja në telefon dhe më thotë do dalim. Marr babanë në telefon të vijë ta marrë sepse unë isha në punë dhe nuk kisha mundësi, më merr nusja prapë në telefon, djali është pajetë, është nxirë.
Kur shkoja atje dhe rrija më djalin infermierja më thoshte është shumë mirë, ndërkohë pastaj nuk e di çfarë ndodhi. Nëse djali ishte i sëmurë të më thonin dhe unë do merrja masa.