HlSTORlA/ Jam e fe juar por ende e dυa i sh te DASΗURl

Para gjashtë vjetësh jam lidhur me një djalë nga Gjakova, të cilin e dashuroja me gjithë shpirt, duke qenë se ishte dhe lidhja ime e parë. U dashurova me të me shikim të parë. Unë historikisht nuk është se kam patur ndonjë mendim pozitiv për kosovarët, por njohja me të më bëri që të largoj çdo mendim të keq nga vetja. Jam takuar me të në ambientet e fakultetit, sepse që të dy studionim për të njëjtën degë.

Natyrisht para se të lidheshim ai ishte personi që këmbëngulte që ne të lidheshim bashkë me patjetër. Siç e theksova që në fillim, për mua ishte një dashuri me shikim të parë, por nuk e di pse më kishte kapur një “inat” me të dhe doja që të shihja se deri ku shkon durimi i tij në lidhje me mua.

Çdo gjë shkoi në rregull, pasi ai për asnjë moment nuk ndali së më kërkuari, kështu që pas pesë muajsh vendosa që të lidhem me të. Të dy ishim relativisht në një moshë të pjekur, ndaj nuk është se mendonim që të kishim një lidhje aventureske me njëri-tjetrin. Qëllimet tona ishin shumë serioze. Kaluam kështu rreth gjashtë vjet të lidhur së bashku, por problemi që na shoqëroi gjatë tre viteve të fundit të lidhjes tonë ishte se nëna e tij, nuk dëshironte që djali i saj të merrte një nuse nga Shqipëria, sepse sipas saj ne kishim një mentalitet tjetër.

Ai nuk e kishte të atin dhe e ëma pothuajse ishte kujdesur për të gjatë gjithë jetës. Madje sa herë që ai largohej nga Gjakova thoshte që e kam shumë merak mamanë, sepse e kam lënë vetëm. Unë jam vënë shumë vonë në dijeni të këtij problemi dhe në një mënyrë fare rastësore, pasi ai nuk dëshironte që të ma tregonte, sepse mendonte që me kalimin e kohës do të rregullonte çdo gjë mes nesh. Kur mora vesh sesi qëndronte puna u mërzita shumë me të, sepse ai ishte në një moshë madhore, saqë mund të vendoste vetë për jetën e tij.

Kohë më përpara unë isha takuar edhe me motrën e tij, për të cilën nuk është se ushqeva në ndjenjë të mirë, pasi më dukej shumë tinëzare. Gjatë kohës që unë isha me të, ajo e merrte çdo ditë në telefon, duke i folur fjalë nga më të ndryshimet, sepse natyrisht dhe ajo do të mbante anën e nënës së saj, kështu që kundra lidhjes sonë u bënë dy personat më të dashur të tij. Me të vërtetë që ishte një situatë shumë e sikletshme, sepse dhe ai nuk dinte se kë të zgjidhte mes nesh, por di t’ju them që ai asnjëherë nuk ia prishte nënën së tij, ndaj që i vetmi person i humbur në atë mes isha unë. Nuk doja që ta pranoja kurrsesi që nuk do të isha më me atë, por nuk kisha çfarë të bëja.

Luftova me çdo kusht që lidhja jonë të merrte jetë, sepse nuk e shihja vetën për asnjë moment larg tij. Ai edhe pse e dinte që familja e tij ishte kundër lidhjes tonë, kujdesej për mua ashtu si më parë. Ishte njeri shumë i dashur dhe më njihte shumë mirë si tip. Me të kam kaluar çaste të mrekullueshme dhe do e kem shumë të vështirë që ta kujtoj këtë lidhje si pjesë e së shkuarës time. U shkëputëm me njëri-tjetrin në një mënyrë shumë absurde. Faji i ndarjes sonë mbeti i të dyve, pasi as njëri dhe as tjetri nuk mori guximin që t’i thoshim “lamtumirë” lidhjes sonë. Më telefononte shumë shpesh, por unë nuk dëshiroja që t’i përgjigjesha më në telefon, pasi e dija që do t’i hapja më shumë “plagë” vetes sime.

Kohë më parë familja ime më kishte folur për një djalë që jetonte jashtë Shqipërisë. Ai studionte jashtë dhe kishte një familje shumë të mirë. Të jem e sinqertë me ju miqtë e mi, unë kurrë nuk e kisha menduar që burrin tim të ardhshëm ta merrja me shkesë, ose më saktë të ma gjente vetë familja ime, por situata ishte aq keq, saqë mendoja se nuk do të vendosja më kurrë për të filluar një lidhje nga e para. E ndjeja veten shumë të lodhur nga lidhja që kisha lënë pas. Më dukej sikur ai do të kthej në çdo moment tek unë për të më thënë “Erdha, sepse kam vendosur të kaloj një jetë me ty”.

Nuk e di përse, por gjithmonë i kisha ushqyer vetes një shpresë të tillë, ndaj e kisha shumë të vështirë që të filloja gjithçka nga e para. Kisha filluar të bëja një jetë shumë pasive, sepse ai për mua ishte dhe ajri që unë thithja. Kisha një ndjenjë shumë të madhe për të dhe nuk kishte gjë në botë që të ma largonte. Por siç ju thashë, familja ime vazhdimisht këmbëngulte që unë të njihja me X djalë dhe unë për të mos iu prishur qejfin vendosa që ta takoja.

U takuam dhe e pëlqyem shumë njëri-tjetrin, por kjo nuk do të thoshte që unë e doja atë. Megjithatë vendosa që të fejohesha me të. Gëzimi i familjarëve të mi ishte shumë i madh, por fatkeqësisht zemra ime ishte e pikëlluar. U fejova, por jo me njeriun e zemrës time. Madje shpesh matesha përpara se ta thërrisja në emër, sepse kisha shumë frikë se i thosha ndonjë gjë tjetër.

Megjithëse me të “fejuarin” tim kalova shumë ditë të bukura, asgjë nuk ma mbushte mendjen që ai ishte personi i duhur për mua, por shpresoj që Zoti të më ndihmojë që të përshtatem sadopak me të, sepse nuk po arrij që të mbledh mendjen, ashtu siç i ka lezet çdo vajze që fillon një jetë të re.