Ilir Meta nga sot hυmbet imυnitetin por Garda do t’ia ruajë vilën e Lalzit edhe për 5 υjet!

Edhe pse Ilir Meta largohet nga posti i Presidentit të Republikës ditën e sotme, ai do të ketë privilegje shtesë për të paktën edhe pesë vjet.

Ndërkohë përjetësisht do të gëzojë disa nga ‘miradinat’ që ja jep ligji për personalitetet shtetërore në vend.

Siç bën të qartë ligji për Gardën e Republikës, Ilir Meta do të ketë eskortë personale edhe për 5 vite të tjera, pra deri në vitin 2027, kurse banesat e tij në Gjirin e Lalzit dhe në Kodrën e Diellit do të ruhen nga Garda për dy vite të tjera, pra deri në vitin 2024.

Ilir Meta dhe familja e tij ndërkohë do të vazhdojnë të gëzojnë privilegjin e pasaportave diplomatike përjetësisht, përveçse nëse dënohet me një vendim të formës së prerë të gjykatës, i cili e thekson pezullimin e pasaportës.

Si president, Meta do të përfitojë përjetësisht një pension special, i cili arrin shifrën e 1 mijë eurove.

Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave të para disa viteve, ish-presidenti mund të përfitojë edhe një zyrë, qiranë e të cilës e paguan shteti. Kështu që nuk është çudi që ndonjë zyrë të LSI-së në ndonjë lagje të Tiranës ta vijojë ta paguajë shteti shqiptar.

Ndërkaq, çështja që ka më shumë interes në publik është se a ka Ilir Meta imunitet pas largimit prej postit të Presidentit të Republikës.

Sipas Kushtetutës, me përfundimin e mandatit të Presidentit, Meta nuk ka asnjë mbrojtje ekstra për hetim, përgjim, apo ndjekje penale ndaj tij. Në Kushtetutë, Presidenti i Republikës jep një mbrojtje të fortë për personin që ka mbajtur këtë detyrë kur shprehet se “presidenti nuk mban përgjegjësi për aktet që ka kryer gjatë ushtrimit të funksionit të tij”. Megjithatë, duke qenë se e shoqja, Monika Kryemadhi, është deputete e Kuvendit, nuk mund të ketë kontroll banese apo përgjim telefoni të shtëpisë. Kurse telefoni personal i Ilir Metës mund të përgjohet nëse ka një vendim gjykate, si të gjithë qytetarët e tjerë…/Pamfleti