Kush është Fabjan Peka, shqiptari që u përball me Ramën gjatë fIuturimit

Pak orë më parë, JOQ Albania publikoi ekskluzivisht një video të dërguar në redaksi nga një qytetar, i cili ndodhej si pasagjer në avionin me të cilin Rama udhëtoi drejt Napolit.

Në pamje, Rama dhe i riu shihen duke zbritur së bashku nga shkallët e avionit. Gjatë zbritjes, kryeministri shihet teksa i vendos dorën në pjesën e qafës së të riut dhe vijon ta mbajë deri në fund të shkallëve, ku ndodhen efektivë të policisë italiane. Menjëherë pas zbritjes, Rama ia dorëzon të riun policëve, të cilët e shoqërojnë drejt një automjeti.

Në videon e siguruar nga JOQ Albania nuk dëgjohet komunikimi mes tyre, ndaj nuk mund të përcaktohet nga pamjet se çfarë i është thënë kryeministrit apo çfarë ka ndodhur përpara momentit të filmuar.

Sipas dëshmitarit që na dërgoi videon, Fabjan Peka e ka sharë Ramën gjatë zbritjes nga avioni. Ndërkohë, në media po qarkullon edhe një tjetër version, sipas të cilit i riu i ka thënë kryeministrit: “Shpresoj të mos kthehesh më në Shqipëri”.

Pikërisht për këtë pjesë, JOQ Albania i bën thirrje Fabjan Pekës të na kontaktojë dhe të japë versionin e tij për atë që ka ndodhur. Nëse dëshiron, redaksia jonë është e gatshme t’i japë hapësirë të plotë për të shpjeguar se çfarë i ka thënë Ramës, çfarë ka ndodhur në avion dhe përse u shoqërua nga policia italiane.