Ligji i Faljes “fshin” 465 miIionë euro borxhe, mbi 223 mijë përfitues! Nga TVSH-ja te tatimi mbi fitimin, ja detyrimet që u shuan

Mbi 223 mijë tatimpagues kanë përfituar deri më tani nga zbatimi i Ligjit të Faljes, ndërsa vlera e detyrimeve tatimore të fshira dhe të shuara ka arritur në 465.1 milionë euro.

Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila ka publikuar të dhënat mbi ecurinë e këtij procesi dhe kategoritë e detyrimeve që janë përfshirë në falje.

Sipas Administratës Tatimore, pjesën më të madhe të detyrimeve të fshira e zënë tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), me rreth 145.1 milionë euro, dhe tatimi mbi fitimin, me rreth 141.9 milionë euro.

Përmes këtij procesi janë shuar gjithashtu detyrime që lidhen me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tatimin e mbajtur në burim, tatimin e thjeshtuar mbi fitimin, si dhe tatimin mbi të ardhurat individuale.

Administrata Tatimore bën të ditur se Ligji i Faljes synon të lehtësojë barrën e detyrimeve të prapambetura për bizneset dhe individët, duke u dhënë tatimpaguesve më shumë mundësi dhe duke përmirësuar marrëdhëniet e tyre me administratën fiskale.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se vijon informimin dhe asistencën ndaj tatimpaguesve, me synimin për të garantuar një proces sa më transparent dhe të kuptueshëm për të gjithë përfituesit.