“Mυrgeshë υrαsëse”, maska siΙikoni e αrmë, Ιidhja e shqiptarit me υrasjet mαfioze në Greqi e Mal të Zi

Panajot Xhaja, i riu shqiptar i arrestuar në Mal të Zi pak muaj më parë, dyshohet se është përfshirë në vrasjen e dy mafiozëve grekë Yannis Skaftouros në maj 2022 në Dervenochoria dhe Vassilis Roubetis në qershor 2023 në Korydallos.

26-vjeçari nga Dimali dyshohet se në bashkëpunim me disa shtetas gjeorgjianë, rusë dhe armenë, ka kryer disa vrasje në Greqi e Mal të Zi.

Më 14 tetor 2023, Xhaja u arrestua nga policia malazeze në pikën kufitare Sukobin, pasi bashkë me dy armenë dhe një grek kishte planifikuar një vrasje në Budva. Personi që thuhet se ka qenë objektivi, si dhe miqtë e tij prej vitesh janë të lidhur me klanin e beogradasit Luka Bojoviq dhe me klanin Škaljar në Mal të Zi. Ky person me origjinë nga Budva në verën e vitit 2018 dyshohet se ishte shënjestër e një sulmi me një anëtar të rangut të lartë të klanit nga Tivari, por policia e prishën planin mafioz.

Bashkë me shqiptarin, asokohe u arrestua edhe shtetasi armen Artyom Mnatsakanyijan, ndërsa u shpall në kërkim një shtetas grek me inicialet P.V. Policia kishte informacione rreth 15 ditë më parë se po përgatitej një vrasje në Budva dhe për shkak të këtij informacioni kishin intensifikuar kontrollet policore për anëtarët e grupeve të organizuara kriminale dhe personave të dyshimtë.

Në automjetin me të cilin po lëvizte shqiptari dhe dy bashkëpunëtorët e tij u gjetën dy pistoleta ‘glok’ me nga 19 copë municion secila, një pistoletë automatike ‘scorpion’ me silenciator dhe 17 copë fishekë, dy maska ​​silikoni, si dhe disa palë doreza dhe rroba për ndërrim.

Ndër postimet e shqiptarit në rrjetet sociale, bie në sy një “murgeshë” vrasëse.