Masa e sigurisë ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka rikthyer në vëmendje jo vetëm karrierën e saj, por edhe pasurinë e deklaruar ndër vite.
Këtë të martë, ndaj Hysenit është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa kryeminìstri Edi Rama njoftoi më pas lirimin e menjëhershëm të saj nga detyra dhe zgjedhjen e një drejtuesi të ri të SHISH pas konsultimit me Presidentin e Republikës.
Por çfarë pasurie ka deklaruar ndër vite gruaja që deri më sot drejtonte shërbimin sekret shqiptar?
Të dhënat e deklaruara para ardhjes së saj në Shqipëri tregojnë një panoramë dukshëm të ndryshme nga formularët e mëvonshëm. Në Kosovë, Hyseni kishte deklaruar një shtëpi me sipërfaqe 400 metra katrorë, me vlerë rreth 100 mijë euro, të cilën në formular e kishte shënuar si pronë të prindërve.
Po nga prindërit kishte deklaruar edhe 4 hektarë tokë, me vlerë 200 mijë euro. Zëri më i madh në deklarim ishte një sipërfaqe prej 20 hektarësh tokë dhe pyll, e deklaruar si trashëgimi nga gjyshi dhe me një vlerë prej mbi 500 mijë eurosh.

Krahas pronave, Hyseni kishte deklaruar edhe një automjet me vlerë 18 mijë euro, të blerë sipas saj me kursime, si dhe 65 mijë euro gjendje monetare në dy banka në Kosovë.
Vetëm pasuritë e paluajtshme të listuara në këtë deklarim kapnin një vlerë prej të paktën 800 mijë eurosh. Megjithatë, kjo shifër nuk përfaqëson domosdoshmërisht pasuri personale prej 800 mijë eurosh të Hysenit, pasi shtëpia dhe 4 hektarët e tokës ishin deklaruar si prona të prindërve, ndërsa 20 hektarët tokë dhe pyll si trashëgimi nga gjyshi.
Pas ardhjes në Shqipëri, deklarimet paraqesin një profil tjetër.
Për vitin 2022 (këshilltare e Ramës), Hyseni deklaronte një shtim prej 194,100.64 lekësh në një llogari bankare, me burim të ardhurat nga paga. Një tjetër llogari bankare rezultonte e shtuar me 35,483.15 euro.
Në vitin 2023, kur mori drejtimin e SHISH, Hyseni deklaroi pakësimin e një llogarie bankare me 39,807.39 euro. Ndërkohë, një tjetër llogari u shtua me 810,572.64 lekë, me burim të deklaruar të ardhurat nga paga.
Për periudhën 1 janar-2 prill 2023, ajo deklaroi 389,787 lekë neto të ardhura nga paga në Kryeministri. Pas marrjes së drejtimit të SHISH, nga 3 prilli deri më 31 dhjetor, deklaroi 2,080,991 lekë neto nga paga, si dhe 24,125 lekë të ardhura të tjera.
Në total, të ardhurat e deklaruara në këta zëra për vitin 2023 arrijnë në 2,494,903 lekë neto.
Në vitin 2024, Hyseni deklaroi 3,044,736 lekë neto të ardhura nga paga në SHISH. Në të njëjtën deklaratë, një llogari bankare rezulton e shtuar me 530,376.95 lekë, me burim pagën, ndërsa një llogari në euro është pakësuar me 4,174.69 euro.
Në vitin 2025, paga neto e deklaruar nga SHISH ishte 3,045,508 lekë. Ndërkohë, një llogari bankare u shtua me 1,896,831.38 lekë, me burim të deklaruar të ardhurat nga paga, ndërsa llogaria në euro u pakësua me 4,825.52 euro.
Kështu, ndërsa formularët e Kosovës përmbanin prona me vlerë qindra mijëra euro, automjet dhe dhjetëra mijëra euro në banka, deklarimet e Hysenit në Shqipëri gjatë viteve të fundit përqendrohen kryesisht te paga dhe ndryshimet e gjendjes së llogarive bankare.
Pasuria e Vlora Hysenit
Deklarimi pasuror në Kosovë
-Shtëpi me sipërfaqe 400 m², me vlerë të deklaruar rreth 100 mijë euro. Në formular, Hyseni ka deklaruar se prona është e prindërve.
-Tokë me sipërfaqe 4 hektarë, me vlerë 200 mijë euro, e deklaruar gjithashtu si pronë që vjen nga prindërit.
-Tokë dhe pyll me sipërfaqe totale 20 hektarë, të deklaruara si trashëgimi nga gjyshi, me vlerë mbi 500 mijë euro.
-Automjet me vlerë 18 mijë euro, për të cilin ka deklaruar se është blerë nga kursimet.
-Gjendje monetare prej 65 mijë eurosh në dy banka në Kosovë.
Pasuria e deklaruar në Shqipëri
Viti 2022
Llogari bankare – shtuar 194,100.64 lekë. Burimi i krijimit: të ardhura nga paga. Data e mbylljes së deklarimit: 27.03.2023.
Llogari bankare – shtuar 35,483.15 euro. Data e mbylljes së deklarimit: 25.03.2023.
Viti 2023
Llogari bankare – pakësuar 39,807.39 euro.
Llogari bankare – shtuar 810,572.64 lekë. Burimi i krijimit: të ardhura nga paga.
Të ardhura nga paga në Kryeministri, për periudhën 01.01.2023–02.04.2023: 389,787 lekë neto.
Të ardhura të tjera, për periudhën 03.04.2023–31.12.2023: 24,125 lekë neto.
Të ardhura nga paga në SHISH, për periudhën 03.04.2023–31.12.2023: 2,080,991 lekë neto.
Totali i të ardhurave të deklaruara për vitin 2023 nga këto zëra: 2,494,903 lekë neto.
Viti 2024
Llogari bankare– shtuar 530,376.95 lekë. Burimi i krijimit: të ardhura nga paga.
Llogari bankare– pakësuar 4,174.69 euro.
Të ardhura nga paga në SHISH, për periudhën 01.01.2024–31.12.2024: 3,044,736 lekë neto.
Viti 2025
Llogari bankare– shtuar 1,896,831.38 lekë. Burimi i krijimit: të ardhura nga paga.
Llogari bankare– pakësuar 4,825.52 euro.
Të ardhura nga paga në SHISH, për periudhën 01.01.2025–31.12.2025: 3,045,508 lekë neto. /Pamfleti