Nga sot mbyIIet për qarkullimin tuneli i Llogarasë

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë me dije se Tuneli i Llogarasë, në Vlorë do të mbyllet sot më 5 nëntor, me qëllim përfundimin e të gjitha punimeve të nevojshme për dorëzimin e plotë të këtij projekti.

ARRSH kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve sikurse edhe të banorëve të zonës. Sipas njoftimit, punimet po kryhen pas përfundimit të sezonit veror, ku hapja e Tunelit të Llogarasë lehtësoi qarkullimin e mjeteve, si dhe shkurtoi kohën e udhëtimit.

Tuneli i Llogarasë u hap më 5 korrik të këtij viti, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve drejt Rivierës dhe duke shkurtuar kohën e udhëtimit në 8 minuta nga 40 minuta që ishte para hapjes së tunelit, duke rritur njëkohësisht edhe parametrat e sigurisë rrugore.

Tuneli me gjatësi 5.9 km do të lejojë një shpejtësi prej 50 – 80 km/orë.

Punimet për ndërtimin e tunelit nisën më 15 nëntor të vitit 2021, pas garës tenderuese të zhvilluar që u fitua nga një konsorcium turk i përbërë nga dy kompani.

Konsorciumi turk u shpall fitues me ofertën prej 17 mld lekë. Së bashku me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar kosto për ndërtimin e tunelit të Llogarasë shkon në rreth 20 mld lekë.

Tuneli i Llogarasë shkurton kohën e aksesimit të jugut të vendit me rreth 45 minuta. Ai nis nga Ura e Shën Elizës dhe del në Urën e Palasës, ndërsa është pjesë e seksionit rrugor Orikum – Himarë, pjesë e Autostradës Vlorë – Sarandë.