Nikoll Lesi shkruan se kryeministri Edi Rama ua pshurri protestën Berishës dhe Metës.
“Sot kryeministri Rama në një konferencë shtypi me ministren e Financave u mor vetëm me protestën e opozitës të ditës së shtunë.
Nuk tha se kishte pak njerëz, pasi e panë të gjithë mileti, por sulmoi egër të dy liderët e opozitës, Berishën dhe Metën. Njerin si “non grata” dhe tjetrin si “spiun”!
E quajti një protestë militantësh, duke deklaruar se le të dalin përditë pasi atij nuk ia ndjente fare për ta.
Në vertetë kështu është kur drejtuesit e opozitës nuk kanë forcë dhe vendosmeri për tu përballur me qeverinë, dhëmbë për dhëmbë.
Mirë ua bën, pasi ajo që po ndodh në opozitë është si puna e asaj shprehjes popullore se “qejfi ma ka, por bytha nuk ma mba”!
Të shtunën kishte shumë njerëz në Bulevard. Shumica donin përballje dhe rezistencë, por të dy, Berisha-Meta, kishin frikë.
Nëse ata vendosnin që populli opozitar të rrinte në Bulevard dhe përreth kryeministrisë, do të kishim gjuhë tjetër kryeministrore sot.
A ka varfëri, siç bërtasin liderët opozitarë? A po ikën rinia jashtë vendit? A ka rritje çmimesh? A po rëndohet edhe shtresa e mesme me taksa?
A iu ka ardhur shpirti në majë të hundës nga keqqeverisja? A nuk ka shpresë? Atëhere lumi popullor derdhet përballë Kryeministrisë!
Por kur lideri opozitar drithërohet nga pushteti ose ka frikë nga ndërkombëtarët, më mirë të shkojë të jap leksione për studentët e politikës se sa merr në qafë një opozitë e cila ndodhet në skamje.
Dikush mund të thotë se nuk duam rrëmujë. Por nëse, sipas opozitës, kjo është qeveri mafioze dhe ka përlarë çdo pushtet, atëhere nuk ka zgjidhje tjetër veçse përballje.
Me sa duket njërit i është djegur “bateria”, kurse tjetrit nuk i karikon!
Ndaj kryeministri tallet e përçmon haptazi protestën e së shtunës”, shkruan Lesi.