Njihυni me Komisarin BOSS, Arjan Tase me ρagë 600 Euro; vilë 600 mijë Euro në Himarë e 5 aρartamente në Vlorë, Sarandë, Tiranë e Elbasan

Akuza e Gledis Nanos për vartësit dhe pasuria e ish-shefit skafist, zbulon se korrupsioni është shkaku kryesor, që policia nuk e lufton krimin. Prandaj ka drejtorë qendrorë, drejtorë qarqesh, shefa komisariati, krimesh, kufiri, qarkullimi rrugor, patrullash, Delta Forca, FNSH, Shqiponja e madje dhe inspektorë të nivelit të fundit në polici, që kanë pasuri të shumta, bëjnë jetë luksi e shkollojnë fëmijët në universitete të shtrenjta jashtë vendit

Pas tragjedisë në plazhin e Himarës, shefit të policisë Arjan Tase, përveç të shkuarës si i përjashtuar nga policia për kultivim e trafikim droge, iu zbulua dhe pasuria e vënë gjatë 8 viteve shërbim në polici.

Nga burime konfidenciale të Prokurorisë Vlorë, kemi mësuar se ish-shefi i policisë, Arjan Tase, me një pagë mujore 600 Euro, ka në pronësi 1 vilë 600 mijë Euro në Himarë dhe 5 apartamente në Vlorë, Sarandë, Elbasan e Tiranë.

A mund të ndërtohet një vilë e tillë në zonën më të preferuar bregdetare, me vlerë sa 1000 paga mujore të tij, por dhe të blihen 5 apartamente në qytetet kryesore?

Ky fakt, duhet kthyer në motiv e pikënisje, për të verifikuar se cilët nga drejtuesit në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit e deri në zona, kanë pasuri me vlera mbi mundësitë e pagave që marrin, sepse afro 80% e tyre janë bërë pasanikë prej shfrytëzimit të detyrave.

Dhe vetë drejtori Gledis Nano, në letër- akuzën publike drejtuar vartësve para 2 ditësh, pranoi se kupolën dhe bazën e policisë i ka “mbërthyer korrupsioni”, deri në atë masë sa nuk e lejon të luftojë krimin, të garantojë sigurinë publike e të mbrojë qytetarët.

Ryshfetet janë burimi real i pasurive të paluajtshme e llogarive bankare që kanë drejtorët aktualë të policisë në qarqe, 56 shefat e komisariateve dhe 410 drejtuesit kryesorë të sektorëve të lartë e të mesëm të policisë.

Ka marrë përmasa e liri veprimi dhe është model pune, ryshfeti që kryepolicët marrin nga vrasësit, kultivuesit dhe trafikantët e drogës; grabitësit e trojeve, ndërtuesit e paligjshëm, zaptuesit e plazheve, qendrat e prostitucionit, të fortët me makina luksi të vjedhura etj.

Prandaj kanë nga 2-3 apartamente e vila, dhe policët e thjeshtë me detyra inspektor rrugorë e patrullash nate, për të cilët, vetë drejtori Gledis Nano nuk vepron, megjithëse e di dhe e pranoi publikisht, që marrin ryshfete nga eksponentë të botës së krimit.

Por rasti i komisarit vrasës Arjan Tase, dhe pasuria e drejtorit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, tregojnë se pasuri të shumta kanë drejtorët e policisë, shefa komisariati, krimesh, kufiri, qarkullimi rrugor, Delta Forca, FNSH, Shqiponja, të cilët bëjnë dhe jetë luksi e shkollojnë fëmijët në universitete jashtë vendit.

Me çfarë i kanë siguruar? Me pagat e tyre mujore dhe pagat e grave,  mësuese, mjeke, sekretare në administratë etj.?

Ballafaqimi me pagat, zbulon se cilët i kanë pasuri të ligjshme e cilët i kanë të paligjshme. Ndërsa, nëse drejtori Gledis Nano, fillon nisjen e këtij procesi verifikimi, përveçse ka në dorë përjashtimin e tyre nga policia, duhet të bëjë kallëzimet penale dhe të urdhërojë policinë kriminale t’u sekuestrojë pasuritë.

Ndryshe, llumi në polici nuk pastrohet, korrupsioni e ryshfeti do vazhdojë, dhe grupet kriminale do jenë pushteti fuqiplotë real, që do komandojë në plazhe, qytete, resorte, rrugë, biznese, toka, shkolla, spitale, hipoteka, dogana, Porte Detare, pika kufitare e kudo./Pamfleti