Policia greke është vënë në alarm pas një shkëmbimi zjarri në orën 05:15 të mëngjesit të sotëm, në një beach bar në periferi të Athinës.
Sipas hetimeve deri tani thuhet grupi i Alket Rizait ishte brenda barit. Pasi lokali uli muzikën për shkak të orës së vonë, Rizai doli në parking me dy miq dhe vuri muzikë me volum shumë të lartë në makinën e tij.
Pronari i lokalit doli dhe i bëri vërejtje, nga frika se mos thërrisnin policinë për zhurmën. Debati u ashpërsua dhe dolën jashtë klientë dhe punonjës të lokalit. Në atë moment, sipas policisë, Rizai dyshohet se nxori armë dhe qëlloi në ajër. Menjëherë pas tij, ka qëlluar edhe një person afgan, i cili punonte si sigurimi i barit.
Kur policia mbërriti në vendngjarje nuk gjeti askënd, vetëm 2 gëzhoja dhe njolla gjaku. Më vonë, në Qendrën Shëndetësore të Kalyvia-s u paraqitën dy të plagosur, nnjë 20-vjeçar grek, me plagë në këmbë nga xhamat, një 41-vjeçar me origjinë pakistaneze, me plagë plumbi në shpatull.
Të dy janë punonjës të lokalit, por kanë dhënë versione të ndryshme për ngjarjen, ashtu si edhe pronari. Rizai ishte jashtë burgut me leje 5-ditore nga burgu i Domokos dhe duhej të kthehej të hënën në mëngjes. Pas incidentit ai është zhdukur dhe autoritetet greke po e kërkojnë, duke analizuar kamerat e sigurisë për të përcaktuar kush qëlloi i pari dhe nëse pati shkëmbim zjarri. Policia thekson se ky ka qenë një konflikt i çastit për muzikën e lartë.
Kujtojmë se Alket Rizai, 47 vjeç nga Ballshi, është një nga emrat më të njohur të krimit në Greqi, i dënuar me dy burgime të përjetshme plus 25 vite për vrasje, grabitje dhe armëmbajtje, i arrestuar që në vitin 2003 dhe i famshëm për dy arratisjet spektakolare me helikopter nga burgu i sigurisë së lartë të Korydallos në 2006 dhe 2009 së bashku me Vasilis Paleokostas, i cili pas 21 vitesh pas hekurave kishte fituar të drejtën e lejeve shpërblyese për sjellje të mirë dhe ndodhej me 5 ditë leje nga burgu i Domokos kur ndodhi incidenti me armë në Anavyssos.