“O ba, bëjmë prapë një xhiro nga SPAK”, Alibeaj me vajzat: S’ka nevojë, janë rikthyer amerikanët

Enkelejd Alibeaj ka publikuar një tjetër video ironizuese me vajzat e tij, pas asaj të pak ditëve më parë para ambienteve të SPAK.

Një prej vajzave e pyet me ironi këtë radhë, a do të bëjnë sërish një xhiro para ambienteve të SPAK.

Alibeaj ia kthen se nuk ka nevojë, pasi tashmë në SPAK janë rikthyer amerikanët.

VIDEO

Trump vendosi tarifa doganore prej 25% për automjetet e importuara, reagon BE: Të keqardhur për vendimin, do të…

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka shprehur shqetësim për vendimin e SHBA-së për të vendosur tarifa mbi eksportet e automobilave të BE-së.

Ajo tha se tarifat janë taksa të këqija për bizneset dhe për konsumatorët, në SHBA dhe BE.

“Më vjen shumë keq për vendimin e SHBA-së për të vendosur tarifa mbi eksportet e automobilave të BE-së. Tarifat janë taksa – të këqija për bizneset, më keq për konsumatorët, në SHBA dhe BE. BE-ja do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të negociuara, duke ruajtur interesat e saj ekonomike”, tha ajo.

Presidenti i SHBA Donald Trump ka njoftuar taksa të reja të importit prej 25% për makinat dhe pjesët e makinave që vijnë në SHBA.

Presidenti pretendoi se masa do të çonte në “rritje të jashtëzakonshme” për industrinë e makinave, duke premtuar se do të nxiste vende pune dhe investime në SHBA.

“Luftojmë kundër tre gjigandëve, i dashur Sancho…”/ Kujt po i dërgon mesazh ‘misterioz’ Arben Ahmetaj?

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar sërish sot, pas intervistës së pak ditëve më parë, ku foli gjatë për aktualitetin politik.

Ahmetaj ka bërë një postim misterioz në rrjetet sociale, duke postuar një shprehje nga libri “Don Kishoti i Mançës”, i Miguel de Cervantes.

Ai ka shkëputur një frazë ku Don Kishoti dialogon me Sanchon.

“‘Luftojmë kundër tre gjigandëve, i dashur Sancho: Padrejtësia, frika dhe injoranca” – Miguel de Cervantes”, shkruan Ahmetaj.

Reagimi i Ahmetajt si duket vjen mbi zhvillimet e fundit në vend por edhe ato ndaj tij. Ai vijon të qëndrojë në Zvicër. Ndërkohë dje SPAK shtyu dhe me 3 muaj hetimet për dosjen “Buka”.

FOTO

Dash Sula: Sa të jetë Berisha në krye të PD, nuk shkel më kurrë aty

Deputeti demokrat Dashnor Sula ka folur në “Të Pashoq” për largimin nga listat e PD. Ai u ndal dhe te ftesa që i bëri Rama, teksa deklaroi se rrugët e tij me PD janë ndarë një herë e mirë.

-Ke pasur ftesë zyrtare nga PS?

Nuk kam pasur ftesë private përveç diversionit që ka bërë zoti Rama. Unë po i them një gjë, konfirmoj bisedën me disa kolegë socialistë kanë thënë është e turpshme të mos jesh ti në PD, pasi pas Berishë njeriu që ke bërë opozitë kundër nesh ke qënë ti. Mua më ndërprenë karrierën në kulmin tim politik dhe i shumëzuan kontributet e mia me zero. Dhe kam thënë që “kur nuk ta di shtëpia, ta di komshia”.

-Në media u fol se po shqyrtoje kërkesën e Ramës…

Thashë që dhe kundërshtari ma di vlerën dhe jo të mitë.

-Çfarë kushti kishe ti që thoje kërkoj lirinë time?

Jam akoma në moment reflektimi dhe nuk e kam ndarë mendjen cilin rrugëtim do kem, mund të kem dhe një rrugëtim modest.

-Ti e konsideron të mbyllur derën në PD?

Zoti Berisha dhe drejtuesit e PD nuk më deshën kur kisha këto merita dhe kontribute. Pse do më duan më. Më prenë karrierën politike. Nuk jam naiv dhe të vijoj te ata që nuk kanë më të ardhme. Nuk ndodh ajo. Sa të jetë kjo kupolë drejtuese unë në PD nuk shkel më.

-Ti pret të ikë Berisha?

Nëse fiton zoti Berisha nuk shkel. Edhe në rast humbje nëse janë po ata, nuk shkel.

Komedianët rusë tentuan të mashtronin edhe Hashim Thaçin, por ai i zbuloi. Çfarë deklaroi ish-presidenti i Kosovës

Një rreng i dy komedianëve rusë ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka shkaktuar zhurmë.

Kurti ra pre e një shakaje të komedianëve rusë, duke menduar se po flet me kryeministrin e Letonisë.

Komedianët rusë para disa vitesh tentuan t’i bënin rreng edhe Hashim Thaçit, por ky i fundit i zbuloi.

“Mashtruesit kanë pretenduar të depërtojnë edhe në zyrën time, mirëpo ka pasur kujdes maksimal prej institucioneve këtu, sepse unë nuk mund të flasë me dikë ma qenë paraprakisht i informuar pa i njohur temat që mund ti flasë dhe pastaj pa u lidhur të dy kabinetet të presidentit të Kosovës me autoritetin që dëshiron të flasë.

Ka qenë para shtatë-tetë muajsh kjo përpjekje e tyre për të biseduar me mua si president i Kosovës, falënderoj kabinetin që janë treguar të kujdesshëm dhe e kanë preventuar këtë mundësi të një komunikimit të drejtpërdrejtë të këtyre dy mashtruesve në emër të ish-presidentit Petro Poroshenko”, deklaroi Thaçi asokohe.

Reagimi i Thaçit kishte ardhur pasi pre e të njëjtë situatë, kishte rënë edhe Zoran Zaev ku ishte përmendur Thaçi.

E mori si sfidë personale/ Si kolonel Edmond Koseni arrestoi të fortin Tan Kateshi dhe pse e turpëroi në mes të Elbasanit

Plagosja e Kateshit ishte e rëndë, një plumb i kishte nxjerrë jashtë funksionit syrin e majtë. Më vonë, gjatë trajtimit mjekësor, ai kreu një operacion estetik, duke vendosur në syrin e dëmtuar një sy dhie.

Për bandën e Kateshit, ky sulm nuk ishte humbja e një lufte, por ishte një disfatë e rëndë, që shënoi fillimin e rënies së tyre. Familja Kuçi mbijetoi falë aftësive ushtarake të njërit prej tyre, duke treguar se jo gjithmonë dhuna e bandave mbetej pa përgjigje.

Disa muaj pas kësaj ngjarjeje në krye të policisë së Elbasanit, emërohet kolonel Edmond Koseni. Ai nuk ishte një oficer i zakonshëm, por një luftëtar i vendosur që krijoi një grup operativ të besuar prej shokëve, miqve dhe djemve më të ashpër të policisë, duke përfshirë individë nga Peqini, Tepelena, e Rrogozhina. Pjesë e këtij grupi ishte edhe Roland Rexhepi, njohur si “Doda”, një djalë i lagjes “Banesa”, lagje në të cilën grupi i Tan Kateshit, bëri disa masakra.

“Po ashtu shteti reagoi fuqishëm edhe në vitin e 2004 duke krijuar Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe Gjykatën për Krime të Rënda, që gjithmonë kanë qenë në lëndë të posaçme, që drejt për drejt të formuara për tu përballur me gjykimet e veprave penale në lëndë të krimit të organizuar”, u shpreh Saida Dollani, Kryetare e Apelit e Gjykatës Posaçme.

Në një qytet ku banda e Kateshit ishte bërë e paprekshme, Koseni vendosi të godiste me dhunë dhe terror, ashtu siç bandat kishin bërë për vite me radhë. Operacioni i parë u bë në zemër të Elbasanit, në lagjen “Kala”, ku policia arrestoi Cajup Kasën, një anëtar kyç i bandës, i kapur në flagrancë me kallashnikov.

Ai u gjet pa jetë në qelitë e burgut të spitalit, ku ishte transferuar pas arrestimit. Zyrtarisht autoritetet e kohës thanë se ai ishte vetëvarur. Por familjarët dhe shokët e tij e kanë mohuar këtë informacion zyrtar. Sipas tyre, Kasa nuk ka pas shenja në qafë.

Pas arrestimit të Kasës, anëtarët e tjerë të bandës nisën të fshihen e mos dilnin më hapur në qytet. Objektiv për t’u arrestuar u bë Dritan Kateshi. Policia kishte marrë informacion se i shumëkërkuari ndodhej në banesën e tij, e cila ndodhet disa metra larg komisariatit.

Koseni, që ishte në krye të operacionit vendosi të rrethonte gjithë pallatin dhe banorët të nxirreshin jashtë, për shkak të frikës së ndonjë përplasjeje me armë.

Por ajo që ndodhi ishte e pabesueshme. Dritan Kateshi arriti t’u shpëtonte dhjetëra forcave speciale të vendosura rreth pallatit, duke u maskuar si grua. Dëshmitarët e asaj kohe tregojnë se ai doli nga dera kryesore i veshur me rroba grash, duke ecur mes turmës së banorëve, që u nxorën me urdhër të policisë.

Arratisja spektakolare, nuk ndaloi policinë e Elbasanit të vihej në ndjekje të tij. Përkundrazi vartës të kolonel Kosenit në atë kohë, thonë se arratisjen e Kateshit, koloneli e mori si sfidë personale. Ai kërkonte vazhdimisht informacion për vendndodhjen e kreut të bandës, nëpërmjet informatorëve të tij.

Vjeshtën e vitit 98, vjen një informacion se ai ishte fshehur në zonën e Alliasit në Tiranë. Koseni njofton për këtë informacion vetëm ministrin, dhe më pas me 60 efektivë niset drejt Tiranës. Megjithëse operacioni ishte në juridiksionin e Tiranës, Edomond Koseni mori në dorë situatën dhe, me grupin e tij të besuar të luftëtarëve, finalizoi arrestimin në një aksion të shpejtë dhe të saktë në orën 03:00 të mëngjesit. Pas arrestimit nisi një kalvar i gjatë seancash gjyqësore, ku vetë Kateshi dhe banda nisën kërcënimet ndaj njerëzve të drejtësisë.

“Ka pasur gjyqtarë të cilët i kanë qëndruar kërcënimeve duke mbetur gjyqtarë në kuptimin e fjalës, patën integritetin paanësinë dhe pavarësinë dhe të jepnin vendimet dhe në këtë rast ishin vendime të drejta se ishin dhënë nga një gjykatë e paanshme dhe e pavarur”, u shpreh Saida Dollani, Kryetare e Apelit e Gjykatës Posaçme.

Arrestimi nga policia e Elbasanit, në një zonë që ishte në juridiksionin e Tiranës, solli xhelozi tek shefi i komisariatit Tiranë, që në atë kohë u shpreh se edhe policia e Tiranës e kishte informacionin.

“Ne kishim informacion dhe kishim njoftuar antiterrorin, por Koseni bashkë me grupin e tij të besuar erdhi dhe e arrestoi personalisht.”

Pas arrestimit, Dritan Kateshi nuk u dërgua menjëherë në qeli. Koseni e ekspozoi atë publikisht, duke e shfaqur në lagjen ku ai kishte jetuar. Ai ecte në këmbë me kokën ulur mes policëve të armatosur. Për shumëkënd, kjo skenë ishte një demonstrim force, një mënyrë për të treguar se shteti kishte rifituar kontrollin e qytetit. Në rrugët ku Kateshi kishte lëvizur dikur si një sundimtar i krimit, tani ecte si një i arrestuar i zakonshëm…

Parakalimi demonstrues me të fortin Tan Kateshi, ishte një mesazh që nëse vullneti i shtetit ekziston, nuk ka asnjë bandë që të sfidojë rendin dhe qetësinë për shoqërinë…

“Në vitin 1997 personat ishin të armatosur jo më kot u quajtën edhe bandë kriminale, sepse armët u panë dukshëm në duart e tyre, tani nuk shikohet më armë në duart e krimit. Krimi ka pësuar një tjetër dimension, është zhvilluar në kuptimin e pastrimit të produkteve të veprave penale duke future të ardhurat nga kjo veprimtari kriminale në veprimtarinë e ligjshme ekonomike për ti pastruar ato”, u shpreh Saida Dollani, Kryetare e Apelit e Gjykatës Posaçme.

Ku e ke këtë besim që do futemi në BE? Rama: Europa kërkon të zgjerohet! Tek mundësia e parë, jemi ne dhe Mali i Zi

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë në rubrikën “Sy më Sy” në Facebook, shprehu besimin se Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Ai argumentoi se ky besim ka bazë në ndryshimet e fundit dhe kërkesat e Europës për zgjerim. Rama theksoi se deri në vitin 2027, BE ka shprehur dëshirën për të përmbyllur negociatat me Shqipërinë, një synim që është një hap i rëndësishëm në rrugën për integrimin europian.

Kryeministri gjithashtu theksoi se Shqipëria është në të njëjtin nivel me Malin e Zi, i cili ka nisur negociatat për integrimin që në vitin 2012. Sipas tij, të dyja shtetet janë afër për të hyrë në BE, dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt. Rama theksoi nevojën për të vazhduar me ritme të shpejta dhe pa u ndalur në këtë proces, duke theksuar se është një detyrim i shtetit dhe i qeverisë për të siguruar pasaportën e BE për qytetarët shqiptarë.

Edi Rama: Arsyet se pse e kam këtë besim, janë ato që mund të shohësh dhe ti. Është situatë e re për Europën, Europa kërkon të zgjerohet. Europa thotë se deri më 2027 duam të mbyllim negociatat me Shqipërinë. Negociatat për tre vjet nuk ka bërë vaki. Mali i Zi ka që më 2012 që ka hapur negociatat. Jemi krah për krah me Malin e Zi dhe do hyjmë në BE. Tek mundësia e parë, jemi ne dhe Mali i Zi. Më 11 maj e vendosni këtë punë. Ne duhet të vrapojmë, nuk duhet të ndalemi në asnjë mënyrë. Je i majtë apo i djathtë, ec drejt, në mes e ke numri 5. Detyrimi ynë është që Shqipërisë dhe ty të të japim pasaportën e BE.

‘Procedura për mbylljen e TikTok ka përfunduar’, Rama: Nëse përdorni VPN…

Kryeministri Edi Rama konfirmoi se procedura për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka përfunduar dhe paralajmëroi qytetarët të mos përdorin VPN për ta aksesuar, pasi kjo rrezikon sigurinë e të dhënave personale.

Në rubrikën e tij “Sy m’sy”, Rama theksoi se përdorimi i VPN-ve falas është i rrezikshëm për shkak të sulmeve të mundshme nga hakerat. Ai u bëri thirrje qytetarëve të presin, derisa TikTok të zbatojë masa të reja mbrojtëse për adoleshentët.

Qeveria shqiptare ka deklaruar se platforma do të rihapet sapo kompania kineze të vendosë filtrat e nevojshëm për mbrojtjen e të rinjve.

“Procedura për mbylljen e tikok ka përfunduar për telefonat smart dhe nga ana tjetër, mënyra për t’ju shmangur bllokimit duke përdorur VPN falas është shumë e rrezikshme pasi dihet botërisht se hackerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit. Kijeni parasysh këtë gjë dhe duroni pa TikTok për ca kohë deri kur të përfundojmë programin e përbashkët me kompaninë, e cila do të vijë së shpejti në Shqipëri dhe do të paraqesë planin për adoleshentët.”, tha Rama.

Kryeministri Rama: Në qershor do ta bëjmë pagën minimale 500 euro, do të hyjë në fuqi në janar 2026

Kryeministri Edi Rama ka premtuar se paga minimale në muajin qershor, me vendim qeverie, do ta bëjë 500 euro.

“Me vendim në qershor do ta bëjmë 500 euro, dhe do të hyjë në efekt nga janari 2026”, tha Kreu i qeverisë.

Edi Rama: 830 euro është paga mesatare sot në Shqipëri, e përgjithshmja. Ajo në sektorin publik është 1000 euro.

Pagën minimale e kishin 157 euro, tani e kemi 400 euro. Dhe me vendim në qershor do ta bëjmë 500 euro, dhe do të hyjë në efekt nga janari 2026.

Ndërkohë shumica e kompanive dhe bizneseve e kanë shumë më të lartë pagën minimale. Kush nuk do të dëgjojë nuk dëgjon, është më shurdh se sa ai që ka probleme me dëgjimin.

27 mars/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

Sot, më 27 mars 2025, dollari amerikan blihet me 91.1 lekë dhe shitet me 92.3 lekë.

Euro blihet me 98.5 lekë dhe shitet 99.2 lekë.

Franga zvicerane këmbehet në blerje me 102.8 lekë, ndërsa në shitje me 103.8 lekë.

Paundi britanik blihet me 117.4 lekë dhe shitet me 118.4 lekë.

Dollari kanadez sot në blerje këmbehet me 63.9 lekë, ndërsa në shitje me 65.4 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja: