“Martoj vajzën dhe jam i lumtur, mezi e pres atë ditë”- ZbuIohet biseda e fundit e gjyqtarit Astrit Kalaja

Shqipëri u trondit dje (6 tetor) nga një ngjarje tepër e rëndë, ku brenda sallës së gjyqit u vra me armë zjarri gjyqtarit, Astrit Kalaja.

Ai u qëllua nga 30-vjeçari Elvis Shkambi brenda sallës së Gjykatës së Apelit.

Ndërkohë një gjyqtar ka rrëfyer për gazetaren Anila Hoxha bisedën e fundit me Astrit Kalaja, para seancës që do të ishte e fundit për të.

“Martoj vajzën dhe jam i lumtur. Mezi e pres atë ditë”, kanë qenë fjalët e gjyqtarit të ndjerë.

Ka diskutime që ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të gjyqtarit që u vra në krye të detyrës të bëhet ceremoni shtetërore ditën e mërkurë.

Gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit pasditen e së hënës pasi shpalli një vendim për një konflikt pronësie, në një ngjarje të paprecedentë që u shoqërua me tronditje dhe shqetësime për sigurinë e sistemit gjyqësor.

Sipas Policisë së Tiranës, autor i ngjarjes dyshohet se është Elvis Shkëmbi, 30 vjeç dhe palë në procesin gjyqësor. Shkëmbi ka plagosur gjithashtu kundërshtarët e tij në proces, babë e bir.

Kalaja u shoqërua në spital, po pa mundur të mbijetojë. Dy të plagosurit, atë e bir, gjenden nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Hetimi për vrasjen e gjyqtarit Kalaja po kryhet nga Prokuroria e Posaçme, e cila po verifikon arsyet e dështimit të masave të sigurisë në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Qeveria do nderojë Enver Hoxhën me titullin “Hero i Popullit”?! Dokumenti që po ngjall poIemika

Në një akt të paprecedentë, Kuvendi i Shqipërisë prodhoi të premten një dokument zyrtar ku nderon mes figurave kombëtare edhe diktatorin Enver Hoxha, i cili udhëhoqi regjimin totalitar komunist për gati gjysmë shekulli, duke izoluar shqiptarët, shtypur të drejtat e njeriut dhe shkaktuar mijëra viktima.

Në një dokument të cilësuar ‘informativ’ për deputetët me titullin “figurat kombëtare (tetor) dërguar nga zyra e Institutit Parlamentar në emailin e 140 deputetëve të Kuvendit, Hoxha përshkruhet si “Hero i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”, ndërsa në biografi përmendet si udhëheqës i shtetit shqiptar, i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës. Emri i tij vendoset në radhë me personalitete të tjera të historisë shqiptare që kanë lindur apo vdekur në muajin tetor, të tillë si Sulejman Delvina, kryeministër i qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes, priftërinjtë françeskanë me kontribute në etnologji e letërsi, At Shtjefën Gjeçovi, At Gjergj Fishta, rilindasve Abdyl dhe Naim Frashëri, Mbretit Zogu i I-rë, shkrimtarit Dritëro Agolli, etj.

Emaili solli reagimin e menjëhershëm të deputetëve të opozitës, historianëve dhe organizatave të shoqërisë civile, që e cilësuan veprimin e shërbimeve të Kuvendit si një akt të paprecedent që krijonte përçarje dhe fyente viktimat e komunizmit. Deputeti Erald Kapri i Partisë Mundësia i kërkoi zyrtarisht Kuvendit që të tërheqë dokumentet dhe të kërkojë ndjesë, ndërsa e cilësoi aktin si “skandaloz” në një reagim publik.

“Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë u kërkon deputetëve të respektojnë ish-diktatorin që është përgjegjës për mijëra të vrarë, burgosur, internuar”, -shkruan Kapri në e-mailin dërguar zyrës përgjegjëse për prodhimin e dokumentit.

Edhe Belind Këlliçi nga Partia Demokratike e cilësoi dokumentin si përpjekje për të ‘ringjallur’ diktatorin.

“Tendenca të tilla të manipulimit të historisë tregojnë për një përpjekje djallëzore për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste, ku kriminelet konsiderohen heronj të popullit dhe mendësia totalitare helmon mendjet e të rinjve, duke e bërë regjimin monist jo vetëm të pranueshëm por edhe të dëshirueshëm”-, shkruan ndër të tjera Këlliçi në një status në Facebook.

Organizata “Qendresa Qytetare” gjithashtu mbajti qëndrim duke e cilësuar një “akt skandaloz” që “nxit përçarje dhe fyerje”.

“Futja e emrit të Enver Hoxhës në listën e personaliteteve të muajit tetor në Kuvend është si të futet emri i Hitlerit në hollet e Bundestagut,”– thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Kuvendi i Shqipërisë nuk u tërhoq nga dokumenti dhe as nuk kërkoi falje për ngjarjen. Në një reagim të shkurtër për mediat, zyra e shtypit e cilësoi rastin si një “praktikë rutinë” të punës së sektorit të bibliotekës së Kuvendit, “që informon në mënyrë periodike deputetët me të dhëna historike dhe arkivore, me qëllim informimin e përgjithshëm për ngjarje, data apo elementë të tjerë me karakter historik”. Më tej, Kuvendi u justifikua se materiali ishte i bazuar tërësisht në të dhënat e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008).

“Kuvendi i Shqipërisë nuk ka planifikuar zhvillimin e ndonjë aktiviteti të veçantë në lidhje me figurat e përmendura në këtë material dhe nuk ka shprehur asnjë qëndrim vlerësues, pozitiv apo negativ, për asnjërën prej tyre,”– sugjerohet në reagim.

Niko Peleshi, kryetari i Kuvendit, nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN se si institucioni që ai drejton, i cili ka dënuar krimet e Hoxhës me të paktën dy rezoluta të miratuara më parë (2006;2016) e përshkruan diktatorin me terma glorifikues. Ndërkohë, kabineti i Peleshit vuri në dispozicion disa faqe të Enciklopedisë së Akademisë së Shkencave për të justifikuar atë që e quajtën si “gafë të një specialisti”.

Në Enciklopedi gjenden dy faqe kushtuar Hoxhës, ku ndër të tjera thuhet se sistemi i drejtuar prej tij ishte i modelit ‘stalinist’ me luftë të ashpër të klasave, që futi vendin në krizë ekonomike nëpërmjet zhdukjes së pronës private dhe izolimit total. Në fund të përshkrimit, autori kontribuues i enciklopedisë vë në dukje se Hoxha ka mbajtur titujt “hero”, por nuk përmend faktin se këto tituj janë hequr pas vitit “90 dhe as rezolutën e parlamentit (2006) që dënon krimet e kryera nga shteti komunist nën udhëheqjen e tij.

Për studiuesen dhe pedagogen e historisë, Enriketa Papa, ky akt nuk mund të kalohet me një larje duarsh.

“Kjo nuk është vetëm një fyerje për viktimat, por një akt që rihap plagët dhe minon përpjekjet për një kulturë demokratike dhe pajtim social,”– shkruan Papa në një reagim në Facebook.

Shqipëria u drejtua nga Enver Hoxha nga viti 1944 derisa vdiq në vitin 1985, kohë gjatë së cilës shqiptarët u privuan nga të drejtat elementare të njeriut. Në burgjet, hetuesitë, kampet e internimit dhe kampet me punë të detyruar të ngritura nga ky regjim raportohen nga dokumentet arkivore mijëra vdekje nga uria, torturat, dëbimet, puna e detyruar, terrori fizik dhe psikologjik. Gjatë regjimit komunist u ndalua e drejta e besimit fetar dhe u ndërmor një represion i pashembullt ndaj klerikëve, kryesisht atyre katolikë, represion për të cilin Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një rezolutë te veçantë në vitin 2016 që i parapriu ceremonisë së Lumturimit të disa klerikëve katolikë shqiptarë të vrarë padrejtësisht nga regjimi komunist./Reporter.al

Goditet banda e grabitësve të telefonave në Londër, 40 mijë iPhone të vjedhur i eksportuan në Kinë

Policia Metropolitane ka pretenduar se ka shkatërruar një bandë kriminale përgjegjëse për 40 përqind të vjedhjeve të telefonave në Londër.

Rreth 46 të dyshuar u arrestuan në “sulmin më të madh kundër vjedhjeve dhe grabitjeve të telefonave celularë në Mbretërinë e Bashkuar”, të quajtur Operacioni Echosteep, zbuloi policia.

Pamjet e publikuara nga autoritetet britanike tregojnë shumë grabitës telefonash që u afroheshin qytetarëve dhe u rrëmbenin telefonin nga duart.

Rrjeti kriminal dyshohet se ka kontrabanduar deri në 40,000 telefona të vjedhur nga Mbretëria e Bashkuar në Kinë gjatë 12 muajve të fundit.

Më shumë se 81,000 vjedhje telefonash u raportuan në kryeqytet vitin e kaluar, duke shkaktuar paralajmërime për një “epidemi”.

Policia Metropolitane tha se grupi, i cili shënjestroi iPhone-ët për shkak të fitimprurësisë së tyre jashtë vendit, u paguante hajdutëve të rrugës deri në 300 paund për çdo telefon të vjedhur. Pajisjet më pas shiteshin për fitime të konsiderueshme në Kinë.

Shifrat nga Scotland Yard treguan një rritje prej 20% në raportet e vjedhjes së telefonave nga viti në vit.

Më shumë se 230,000 telefona janë raportuar të vjedhur në kryeqytet gjatë katër viteve të fundit.

Të dhënat nga Policia Metropolitane tregojnë se 37 personave u vidhen telefonat çdo ditë vetëm në West End.

Operacioni Echosteep filloi në dhjetor të vitit të kaluar kur një kuti që përmbante rreth 1,000 iPhone u kap në një depo pranë Aeroportit Heathrow përpara transportit të planifikuar në Hong Kong.

Pothuajse gjysma e telefonave u gjetën të vjedhur. Detektivë të specializuar ndaluan dërgesa të tjera dhe përdorën mjetet mjeko-ligjore të gjetura në pako për të identifikuar dy burra.

Ish-kreu i Gardës së Republikës, Gramoz Sako kandidat i PS për Bashkinë e Tepelenës

Partia Socialiste ka vendosur të kandidojë në Tepelenë me Gramoz Sakon për postin e kryetarit të Bashkisë. Sako, i cili njihet në karrierën e tij dhjetëvjeçare si Komandant i Gardës së Republikës, është me origjinë nga Nivica e Tepelenës.

Kandidati surprizë vjen pas dorëzimit të mandatit të kryetarit të bashkisë nga Tërmet Peçi, i cili u bë deputet. 

Drejtuesja e Qarkut, Mirela Kumbaro, ka konfirmuar kandidaturën e tij duke argumentuar se përzgjedhja u bë pa asnjë listë të gjatë kandidatësh nga Tepelena, me synimin për të rritur profilin e Bashkisë dhe për t’i dhënë një energji të re Bashkisë së Tepelenës, për çka thotë se po përjeton një valë të re të rritjes ekonomike nga turizmi malor dhe infrastruktura e përmirësuar rrugore. 

Ndërkohë, Partia Demokratike ka si kandidat kryesor të saj avokatin e njohur vendas, Malo Sadiku. 

Gazeta zvicerane: Serbia, baza ruse për destabilizimin e Europës

E përditshmja zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) ngre pyetjen nsëse politika e Serbisë për balancimin midis fuqive lindore dhe perëndimore ka filluar të lëkundet dhe nëse Serbia po shërben në të vërtetë si një bazë ruse për destabilizimin e Evropës.

Në fillim të artikullit, autori pohon se autoritetet në Serbi “u lehtësuan kur zgjedhjet në Moldavi pak më shumë se një javë më parë kaluan pa incidente të mëdha”. Më pas kujton se policia në Moldavi kreu 250 bastisje dhe arrestoi 74 persona në prag të zgjedhjeve, shkruan Deutsche Welle.

“Sipas autoriteteve moldave, të arrestuarit u trajnuan në kampe në Serbi. Atje, ata dyshohet se u trajnuan në taktika dhe metoda sulmi dhe rezistence ndaj forcave të sigurisë. Moldavia e sheh Rusinë si organizatore, e cila dëshiron të parandalojë kursin pro-evropian të këtij vendi të vogël.”

Gazeta zvicerane shkruan më tej: “Akuzat morën peshë kur katër ditë pas bastisjeve në Moldavi dhe forcat serbe të sigurisë arrestuan dy persona. Dy serbët dyshohet se kanë organizuar trajnime paraushtarake për 150 deri në 170 moldavë dhe rumunë midis 16 korrikut dhe 12 shtatorit.” Teksti thotë se pas këtyre arrestimeve, dukej sikur Serbia kishte shmangur një katastrofë diplomatike. “Megjithatë, Beogradi – i cili mban lidhje të ngushta me Moskën – tani duhet të përballet me një pyetje shumë të pakëndshme: a po shërben Serbia si bazë për përpjekjet ruse për të destabilizuar Evropën?”

Autori sugjeron një përgjigje pozitive për pyetjen, duke cituar një shembull tjetër të aktivitetit destabilizues që ka rrënjët në Serbi: “Të hënën, tre ditë pas dy arrestimeve të para, Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se policia kishte arrestuar njëmbëdhjetë persona të tjerë, të gjithë serbë. Ata dyshohet se kanë vendosur koka derri të prera para disa xhamive në Paris në fillim të shtatorit. Gjithashtu, midis prillit dhe shtatorit, ata dyshohet se hodhën bojë jeshile (ngjyra e Islamit) në institucione hebraike si muzeu i Holokaustit dhe disa sinagoga në zonën më të madhe të Parisit.”

Gazeta zvicerane citon një deklaratë nga Ministria e Brendshme serbe, sipas së cilës individë të dyshuar se ishin trajnuar në Serbi për veprime të tilla u arrestuan “me urdhër të një shërbimi të huaj të inteligjencës”. Qëllimi i tyre i supozuar ishte “të nxisnin urrejtje, diskriminim dhe dhunë kundër njerëzve me origjina, ngjyrë lëkure ose fe të ndryshme”, shkruan Deutsche Welle.

Artikulli kujton se Franca në qershor akuzoi tre serbë për një sulm me bojë ndaj një institucioni hebre dhe se Franca, ashtu si Moldavia, dyshon se Rusia është organizatorja e këtyre veprimeve.

Dokumentet EKSKLUZIVE/ Djali i Gramoz Ruçit me park fotovoltaik, mori 50.000 m2 ranishte buzë detit nga Armando Subashi!

Djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, është një nga përfituesit e shumtë të lejeve për parqe fotovoltaike në zonën ranore të Fierit, buzë detit Adriatik. Sipas dokumenteve që ka siguruar ekskluzivisht VoxNews, Ledian Ruçi, ka marrë në mënyrë të dyshimtë një sipërfaqe të stërmadhe prone buzë detit, ndërkohë që firmëtar i faljes së pronës është vetë Armando Subashi.

Në dukje, një konflikt i pastër interesi, pasi z. Gramoz Ruçi ka qenë deputet i qarkut të Fierit, madje edhe përfaqësuesi politik i mazhorancës në atë qark. Ai dha dorëheqjen nga posti i deputetit pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, ndërkohë që vitet e fundit ka mbajtur një profil të ulët në publik, por mjaft aktiv në strukturat e Partisë Socialiste.

Tashmë djali i tij, Ledian Ruçi ka përfituar një pronë të stërmadhe në zonën e Topojës, buzë detit, madje edhe me vetë vendimet e ish-vartësit të babait të tij, kryetarit Armando Subashi. Ky i fundit njihet si një nga mbështetësit dhe “njeriu” i vetë Ruçit, teksa “nderi” që ai i ka bërë familjes është tepër i madh!

Dokumentet EKSKLUZIVE/ Djali i Gramoz Ruçit me park fotovoltaik, mori

Faksimile: Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit për lejen e veçantë dhënë firmës SLR Albania

Sipas dokumenteve që ka siguruar VoxNews, ditët e fundit Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka zbardhur një nga lejet më kontroverse, atë të “miratimit të lejes se ndërtimit për objektin ‘ndërtimin e impiantit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike, me kapacitet të instaluar 2 më, dhe veprave ndihmëse, ne fshatin grykë, Njësia Administrative Topojë’”. Mësohet se subjekti zhvilluar do të jetë shoqëria “SLR Albania” sh.p.k.

Dokumentet EKSKLUZIVE/ Djali i Gramoz Ruçit me park fotovoltaik, mori

Faksimile: Vendimi i KKTU-së që parashikon se sipërfaqja që ka marrë firma SLR është 50 mijë metra katrorë

Në të njëjtin vendim, jepet edhe një përshkrim i zonës. Mësohet se leja është dhënë në fshatin “Grykë”, rreth 5.5 km nga qendra e fshatit dhe rreth 16 km nga qendra e qytetit Fier. “Sipërfaqja e përgjithshme e pronës së marrë me qira është 50.000m². Sheshi i ndërtimit i vënë në dispozicion të zhvillimit nga prona e përgjithshme ka një sipërfaqe totale prej rreth 20.000m²”, thuhet në dokumentet shoqëruese.

Dokumentet EKSKLUZIVE/ Djali i Gramoz Ruçit me park fotovoltaik, mori

Faksimile: Sipërfaqja prej 50 mijë metra katrorë i është dhënë firmës SLR nga Bashkia e Fierit

Por, si e përfitoi firma SLR të gjithë sipërfaqen? Sipas dokumenteve që disponon ekskluzivisht VoxNews, subjekti zhvillues propozon që zhvillimi të kryhet mbi pasurinë me Nr.554/6 e ndodhur në Zonën Kadastrale 3358, e llojit “ranishte” me sipërfaqe 50 000m².

“Kjo pasuri është marrë në përdorim nëpërmjet kontratës së qerasë nr.968 Rep dhe Nr.460 Kol, datë 9 korrik 2022 midis qiradhënësit ‘Bashkia Fier’ dhe qiramarrësit shoqërisë ‘SLR ALBANIA’ sh.p.k” thuhet në dokument. Pra, leja është firmosur nga vetë kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi!

Mësohet se shoqëria “SLR ALBANIA” sh.p.k. përdor për qëllim të zhvillimit një sipërfaqe toke prej 2 ha nga pasuria e mësipërme me qëllim marrjen e miratimit përfundimtar nga MIE dhe firmosjen e kontratës për ndërtimin e Impiantit fotovoltaik me fuqi 2MW

Dokumentet EKSKLUZIVE/ Djali i Gramoz Ruçit me park fotovoltaik, mori
Dokumentet EKSKLUZIVE/ Djali i Gramoz Ruçit me park fotovoltaik, mori

Faksimile: Statuti dhe akti i themelit të kompanisë SLR Albania, me pronar z. Ledian Ruçin, djalin e ish-kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi

VoxNews shfletoi edhe të dhëna nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ku rezulton se firma SLR ALbania ka si pronar me 100 % të aksioneve z. Ledian Ruçi. Një emër i njohur, edhe në të kaluarën në disa çështje të hapura në Tiranë apo edhe nga kronika rozë.

Sipas statutit dhe aktit të themelimit të firmës, z. Ledian Ruçi, ka lindur në Tepelenë dhe banon në Tiranë, është djali i Gramozit dhe i Erfanes.

Në vitin 2022 ka themeluar firmën “SLR ALBANIA”, e cila ka si objekt implementimin dhe menaxhimin e projekteve gjeneruese të energjisë elektrike solare (fotovoltaike) dhe energjisë së erës (eolike) në Republikën e Shqipërisë dhe marrja nga Qeveria Shqiptare apo Ministrive e Institucioneve të Shtetit Shqiptar i të gjitha miratimeve, lejeve dhe licencave të cilat mundësojnë zhvillimin e këtij aktiviteti në mënyrë të qetë dhe në përputhje me kuadrin ligjor.

Megjithatë, “qetësia” e kësaj firme vjen nga babai i pronarit, i cili është një emër i lartë në politikë, me funksione të larta në qeveri apo në Partinë Socialiste. “Fati” e deshi që vetëm me disa vite themelim, e njëjta firmë të marrë një sipërfaqe të stërmadhe trualli apo të gjitha lejet nga këto institucione, të drejtuara nga “vartësit” e babait.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Galeria fotografike (

1 / 5

)

Danimarka do ndalojë mediat sociale nën 15-vjeç, kryeministrja: Kemi lëshuar një përbindësh, smartfonët po u vjedhin fëmijërinë

Qeveria daneze po propozon ndalimin e disa aplikacioneve të mediave sociale për personat nën 15 vjeç, sipas kryeministres së vendit.

“Kemi lëshuar një përbindësh,” i tha Mette Frederiksen parlamentit të Danimarkës të martën. “Telefonat celularë dhe mediat sociale po na vjedhin fëmijërinë.”

Një studim i publikuar nga komisioni i mirëqenies së Danimarkës në fillim të këtij viti zbuloi se 94% e të rinjve të vendit kishin një profil në mediat sociale para se të mbushnin 13 vjeç, pavarësisht se kjo është mosha minimale për shumë platforma të mediave sociale.

Studimi gjithashtu zbuloi se nëntë deri në 14 vjeçarë kalonin mesatarisht tre orë në ditë në TikTok dhe YouTube.

Frederiksen nuk dha detaje se si do të zbatohej një ndalim, një çështje me të cilën po përballet Australia, por ka njëfarë mbështetjeje publike për propozimin e saj.

Në vitin 2024, 50,000 njerëz në Danimarkë nënshkruan një peticion që kërkonte ndalimin e TikTok, Snapchat dhe Instagram.

Sipas Frederiksen, prindërit duhet të jenë në gjendje të japin leje që fëmijët e tyre të kenë llogari që nga mosha 13 vjeç.

Më herët këtë vit, qeveria daneze njoftoi gjithashtu se do të ndalonte telefonat celularë në shkolla dhe klube pas shkolle, që do të thotë se pothuajse të gjithë fëmijët e moshës midis shtatë dhe 16-17 vjeç do të detyrohen me ligj të mos i sjellin telefonat e tyre në shkollë.

Hyjnë në fuqi rregullat e reja për ndërtimet pa leje, ja si dënohen shkeljet

Konfiskim objekti, përjashtim nga lejet për 5 vite e deri gjobë 35 mijë lekë m² për ndërtimet pa leje, këto janë disa nga rregullat e reja, më të ashpra, që kanë hyrë në fuqi, për të gjithë ata që bëjnë ndërtime pa leje, ose shtesa pa leje nëpër ndërtesa, shkruan A2 CNN.

Në fletoren zyrtare është publikuar akti normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, që parashikon konfiskim të objekteve që anë tejkalim të lejes mbi masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore.

Disa nga rregullat e reja:

Gjobat

1. Kryerja e punimeve pa leje dënohet me gjobë të barabartë me vlerën e punimeve të kryera, por jo më pak se 35 000 lekë për metër katror.

2. Ndryshimi i destinacionit apo aktivitetit pa leje dënohet me 5 000 000 lekë.

3. Mosveprimi i autoriteteve për miratimin në heshtje të lejeve dënohet me 2 000 000 lekë.

4. Punime të padeklaruara dënohen me 50 000 – 150 000 lekë, si dhe me vendim prishjeje.

5. Për punime pa leje në brezin bregdetar gjoba është jo më pak se 35 000 lekë/m², plus 10% e vlerës së preventivit ose e shitjes.

Konfiskimi dhe prishja e ndërtimeve pa leje

1. Në rastet kur tejkalohet 2% e sipërfaqes totale ndërtimore, konfiskohet pjesa pa leje për interes publik apo strehim social.

2. Kur tejkalohet 10%, konfiskohet i gjithë objekti ose urdhërohet prishja.

3. Shpenzimet e prishjes dhe pastrimit të inerteve paguhen nga ndërtuesi dhe ekzekutohen me bllokim llogarish bankare.

4. Nëse objekti nuk përputhet me projektin arkitektonik, ndërtuesi detyrohet të korrigjojë brenda 90 ditëve, përndryshe objekti konfiskohet për interes publik.

Përjashtime dhe “Lista e zezë”

1. Krijohet një “listë e zezë kombëtare” me ndërtues, shoqëri apo individë që shkelin ligjin e ndërtimit.

2. Ata përjashtohen nga marrja e lejeve për 5 vjet.

Në listë përfshihen ata që kanë kryer shkelje të rënda teknike e ligjore; janë dënuar për vepra penale në ndërtim; kanë shitur të njëjtin apartament më shumë se një herë; kanë pasur ndërtime objekt konfiskimi ose prishjeje.

Xhaxhai iu plagos dje në Gjykatën e Apelit pas gjyqit për pronën, flet nipi i Ragip Kurtaj: Vrasësi është i zhytur në borxhe, fajtori kryesor është …

hkëlqim Kurtaj, nipi i Ragip Kurtaj, i cili mbeti i plagosur ditën e djeshme së bashku me djalin e tij, ka folur sot për Report TV, ndërsa fajtorin kryesor për ngjarjen bën ish-kryebashkiakun e Shkodrës, Lorenc Luka.

Shkëlqim Kurtaj tregon se xhaxhai i tij nuk ka pasur asnjëherë probleme me njeri, por se pala tjetër, Gjon Shkambi, ka bërë intriga si dhe ka falsifikuar dokumentet gjyqësore për një pronë që nuk i përket.

Ai tregon se Gjon Shkambi dhe nipi Elvis Shkambi, i cili është gjithashtu dhe autor i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, është zhytur në borxhe për të paguar gjyqet lidhur me këtë pronë dhe se janë detyruar të vijnë deri në këtë pikë për shkak se shteti prej vitesh nuk i ka dhënë zgjidhje.

“Lorenc Luka, po e deklaron si e ka bërë komplet supën që është gatuar dhe iku dhe ai rahmetliu (gjyqtari). Këto nuk kanë bërë asnjë asgjë se xhaxhai im nuk ka marrë gjë me zor dhe as nuk ka pasur ndonjëherë probleme me njeri.

Ka qenë punonjës i Policisë së Shtetit. As paguar lek dhe as nuk ka korruptuar askënd në jetë. Këto kanë kërkuar të drejtën e vet, i lanë në dorë drejtësisë dhe çfarë u çuan dhe bërë këta djem dje.

Nuk i marr vesh se çfarë është bërë.. Kanë 30 vite dhe nuk e kanë ndarë shapin prej sheqerit. Tani janë çuar për ta ndarë me pushkë me pushkë të vazhdojnë. Vranë gjyqtarin në mes të sallës së gjyqit. Nuk e di se kush ka gisht në këtë punë. Mund të ketë dhe roja. Vetëm në filma i kemi parë këto skena. Ndoshta kanë paguar dhe rojën.

Kanë bërë të gjitha intrigat. Këta janë detyruar për të ardhur deri në këtë pikë. Ai që ka bërë vrasjen dje, janë të zhytur në lek me fajde duke paguar gjyqësorin. Janë detyruar se shteti nuk i ka dhënë shteti.

Të gjitha i kanë pasur false dokumentet. Pse i ka çuar drejtësia deri në këtë pikë? Prona do të jetë e xhaxhait dhe ngjarjen ta vazhdojë drejtësia. Është në dorë të shtetit”, tha Shkëlqim Kurtaj.

Publikohen pamjet, ja momenti kur qëllohet me armë zyrtari i BDI-së (Video)

Publikohen pamjet nga atentati me armë zjarri që ndodhi sot para ndërtesës së Komunës së Kumanovës, ku u plagos funksionari i BDI-së dhe bartësi i listës së koalicionit AKI në Likovë, Zekirija Shaini.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:54, ndërsa Shaini mbeti i plagosur në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Policia po heton rastin dhe është në kërkim të autorëve, ndërsa pamjet janë postuar nga Tv21, në rrjetet sociale.

VIDEO