Triller në Greqi, vajza υarros nënën në stallë, që të vazhdonte të merrte pensionin e saj: E bëra sepse…

Një rast i frikshëm u zbulua orët e fundit në Greqinë Qendrore, ku një grua u arrestua pasi akuzohet se kishte varrosur nënën e saj prej tre vitesh në një fshat në Viotia, me qëllim që të vazhdonte të merrte pensionin e saj.

Gruaja 62-vjeçare, e cila ishte menaxhere në një Qendër Shëndetësore të Edukimit (KEP) lokale, i tha policisë se nëna e saj e moshuar kishte probleme me lëvizshmërinë dhe ndërroi jetë nga shkaqe patologjike në shtëpinë e tyre në vitin 2023, në moshën 91 vjeç.

Megjithatë, për shkak se po përballej me probleme financiare, ajo e fshehu vdekjen e saj në mënyrë që të vazhdonte “të merrte pagesën e paaftësisë dhe pensionin e saj” dhe e varrosi në një stallë, pranë shtëpisë, me ndihmën e një të huaji.

Që nga vera e vitit 2023, kur ndodhi incidenti, gruaja e moshuar nuk ishte parë askund në fshat dhe me këtë rast, një kallëzim iu drejtua prokurorit të Tebës, i cili nisi hetimin, shkruan “Protothema”.

Të shtunën, 62-vjeçarja paraqiti një grua tjetër të moshuar që kishte një problem shëndetësor si nënë të saj, por më pas i zbuloi policisë se e kishte varrosur nënën e saj të vërtetë pranë shtëpisë me ndihmën e një burri, emrin e të cilit nuk e bëri të ditur.

Më pas, në prani të një oficeri gjyqësor, u krye një zhvarrim gjatë të cilit u gjet një skelet njerëzor i mbuluar me çarçafë. Ajo pritet të çohet në prokurorin e Tebës brenda ditës, ndërsa është urdhëruar një dosje kundër saj për shkelje të neneve mbi “mosnjoftimin e zbulimit të një personi të vdekur”, “dëshminë e rreme”, “vrasjen nga pakujdesia” dhe “mashtrimin”.

Nënkryetari i PD nxjerr emrat e katër kandidatëve demokratë për Bashkinë e Tiranës

Nënkryetari i Partisë Demokratike, deputeti Luçiano Boçi, është shprehur se kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës duhet të ketë një profil me dimension kryesisht publik, por edhe politik.

Boçi gjatë diskutimit përmendi gjithashtu disa emra kandidatësh, që sipas tij kanë potencial për të fituar garën në Bashkinë e Tiranës, si analisti Fatos Lubonja, Ilir Alimehmeti, Jorida Tabaku dhe Dhurata Çupi.

“Gjetja e zgjidhjes në këtë ekuacion me shumë faktorë të barabartë është disi jo e lehtë, por që do ketë një zgjidhje. Ka arsyetimet e veta çdo lloj formati i kandidatit.

Tirana ka specifikën e vetë pasi është një konglomerat prurjesh nga e gjithë Shqipëria, konglomerat shtresash, përfaqësues të botëve të ndryshme, të biznesit dhe shoqërisë dhe imponon edhe në situatën politike në të cilën jemi, një kandidat që të jetë më shumë në dimensionin publik i shfaqur, por jo mos të ketë dimension politik.

Nuk po kërkoj zgjidhje të ndërmjetme, por nuk mund të gjesh një kandidat pa pasur një simpati apo angazhim politik.

Jo, ka dimensionin publik më të fortë se ai politik. Pra unë do preferoja këtë tipologji. Dimensioni publik i kandidatit të jetë më i madh se dimensioni politik, por jo një kandidat pa dimension politik. Politika të pajis me disa përgjegjësi.

Është e vështirë të themi virtyte, pasi ka më shumë që pajisen me vese. Por nuk është e vështirë që kanë virtyte politike dhe dimensione politike. Unë mbrëmë përshembull kam qenë në një debat dhe dëgjova emrin e Lubonjës.

A ka dimension politik? Sigurisht që ka dimension politik, sepse e ka të mbartur nga historia e vet personale. Është zoti Alimehmeti, është zonja Tabaku, është zonja Dhurata Çupi”, tha mes të tjerash Boçi ne a2 cnn.

Kanadaja, Australia dhe Mbretëria e Bashkuar shpallin zyrtarisht njohjen e shtetit të Palestinës

Britania, Kanadaja dhe Australia kanë ndërmarrë hapa zyrtar për të njohur shtetin palestinez.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka njoftuar sot se Mbretëria e Bashkuar e njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, në një përpjekje për të ringjallur shpresën për paqe midis palestinezëve dhe izraelitëve.

“Sot, për të ringjallur shpresën për paqe për palestinezët dhe izraelitët, si dhe për një zgjidhje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës,” deklaroi Starmer.

Ky vendim historik e rreshton Britaninë në krah të vendeve që kërkojnë një rol më aktiv në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, duke shtuar presionin ndërkombëtar për rifillimin e bisedimeve të paqes.

Më herët, Kanadaja u bë vendi i parë i G7 që njohu shtetin e Palestinës, e ndjekur nga Australia.

“Kanada njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore si për Shtetin e Palestinës, ashtu edhe për Shtetin e Izraelit,” deklaroi kryeministri kanadez, Mark Carney.

Me këtë vendim, Kanada i bashkohet mbi 140 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që tashmë kanë njohur shtetin palestinez, duke sfiduar qartë qëndrimin e mëparshëm të Otavës dhe përballë kundërshtimeve të forta nga Izraeli.

Edhe kryeministri australian, Anthony Albanese, ka konfirmuar se Australia ka ndjekur vendimin e Kanadasë dhe tashmë njeh zyrtarisht Palestinën si një shtet sovran.

Në një deklaratë publike, Albanese shkruan se ky vendim është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët me Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim që të forcohet mbështetja ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës.

“Australia i bashkohet Kanadasë dhe Britanisë në një përpjekje ndërkombëtare për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë, përmes krijimit të dy shteteve që jetojnë në paqe dhe siguri,” deklaroi Albanese.

Moti bënë kthesën drastike në këtë ditë të javës? Meteorologët bënë parashikimin për 7 ditët e ardhshme

Java e ardhshme në Shqipëri pritet të sjellë kushte të qëndrueshme atmosferike, me dominim të motit të kthjellët dhe të ngrohtë, veçanërisht gjatë fillimjavës. Temperaturat ditore do të variojnë nga 22°C deri në 30°C, ndërsa ato në darkë do të jenë më të freskëta, duke rënë në intervalin 12–16°C.

Për ditët e para të javës, nga e hëna deri të enjten, moti do të jetë kryesisht i kthjellët, me diell dhe temperatura të ngrohta, ideale për aktivitete jashtë. Nga e premtja, 26 shtator, pritet një rritje e mundësisë për vranësira të pjesshme dhe mundësi për reshje të lehta, sidomos në zonat perëndimore dhe jugore të vendit. Fundjava, më 27 dhe 28 shtator, do të karakterizohet nga vranësira të shpeshta dhe mundësi për shira të lehta, veçanërisht në zonat bregdetare dhe malore.

Në përgjithësi, kjo javë ofron kushte të mira për aktivitete në natyrë gjatë fillimjavës, ndërsa fundjava mund të sjellë kushte më të pasigurta atmosferike.

“Shpejt se jam në hasmëri…”, Policia ndalon vëllain e Durim Bamit në Elbasan

Valter Bami, vëllai i Durim Bamit i njohur për drejtësinë eshte perballur me policine pasi kjo e fundit pretendon se ai ka thyer masën “arrest shtëpie” .

Punonjësit e qarkullimit rrugor gjatë rutinës së punës, mesohet se kane arritur te ndalojnë një mjet tip Audi i drejtuar nga shtetasja E. S, ku pasagjer ishte Valter Bami.

Bami i ka kërkuar të mos e vononte me kontrollin pasi ishte në hasmëri.

Pas identifikimit të plotë nga punonjësi i policisë rrugore të Elbasanit, ai e ka shoqëruar për në drejtorinë vendore të policisë Valter Bamin, shtetasin me iniciale E. S dhe mjetin tip Audi.

Avioni rus fluturon mbi Baltik, Gjermania dërgon avionë luftarakë për ta ndjekur, pritet mbledhja e Këshillit të NATO-s

Forcat Ajrore Gjermane ngritën në ajër dy avionë Eurofighter për të ndjekur një aeroplan luftarak rus që hyri në hapësirën ajrore neutrale mbi Detin Baltik, përpara se t’ua dorëzonin detyrat e shoqërimit partnerëve të NATO-s në Suedi.

“Edhe një herë, forca jonë e paralajmërimit të hershëm, e përbërë nga dy Eurofighter, u ngarkua nga NATO për të hetuar një avion të paidentifikuar pa plan fluturimi ose kontakt radiofonik në hapësirën ajrore ndërkombëtare”, tha Gjermania.

“Ishte një avion rus zbulues IL-20M. Pas identifikimit vizual, ne ia dorëzuam detyrat e shoqërimit partnerëve tanë suedezë të NATO-s dhe u kthyem në Rostock-Laage.”

Këshilli i Atlantikut të Veriut i NATO-s do të mblidhet të martën për të diskutuar shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia.

“Paratë e mia i hëngre, mua s’më njeh…?” Dy vëllezërit kacafyten para syve të nënës

Puntata e radhës në “Shihemi në Gjyq” ka në qendër konfliktin mes dy vëllezërve. Alimi ka thirrur vëllanë e tij në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan dhe në hyrje të insertit, ngre akuza të forta.

“Po shkoj 43 vjeç, nuk e dija se kishte kaq mashtrues. Por të të mashtrojë edhe vëllai, ky është fundi i botës!”

Edhe kur hyn në studio, ai përforcon fjalët e tij duke shtuar: “Vëlla i thënçin, maskara!”

Me të njëjtën gjuhë, përgjigjet edhe Blerimi në insertin e tij.

“Kjo është botë maskarenjsh! Duan të më rrjepin lëkurën! Ai që më ka sjellë këtu, kokërr leku nuk merr nga djersa ime!”

Kur të dy vëllezërit gjenden përballë njëri-tjetrit në studio, përdorin tone të ashpra me njëri-tjetrin. Alimi e akuzon vëllanë se ka marrë paratë që ai u kishte dërguar prindërve të moshuar.

Blerim: Po ti ore maskara si më solle këtu mua ti?

Alim: Si mos të të sillja?

Blerim: Nuk të vjen një çikë zor?

Alim: Kollaj kur hëngre lekët e mia? Lekët e mia për çfarë i more? Për çfarë ua hëngre lekët pleqve?

Blerim: Kur i mora lekët e tua unë? S’kam lidhje fare unë! Mashtrues, o mashtrues! Një avaz tërë jetën ti!

Alim: Kisha dy pleqtë sëmurë. Kam 25 vjet, jam i martuar në Greqi. Kam punuar si qeni, kisha mbështjellë ca lekë, ca të ardhura që ua kisha lënë se ishin të sëmurë se unë rri në një ishull shumë larg, Paros. Tani që të vija unë që atje deri këtu…

Eni Çobani: Ti mendoje që prindërit të kishin para veç për sëmundje, për gjëra të kësaj natyre dhe bravo të qoftë!

Alim: Në spitale kanë ndenjur tërë jetën!

Blerim: Unë s’e njoh fare atë! Këto janë mashtrime!

Alim: Kam dy vjet që s’flas me atë…

Blerim: Po gënjen, unë nuk të kam marrë lekë.

Alim: Kisha babanë shumë rëndë, mos ta merrte vesh që ne ziheshim. Më ka ardhur turp nga kalamajtë, kalamajtë më pyesnin “çfarë ke babi, pse s’flet me xhaxhin”, nuk dija çfarë t’u thosha.

Në studio ndodhet e pranishme edhe nëna e djemve, Shaja, e cila e pranon se këto para që Blerimi ka marrë, kanë qenë të Alimit. Blerimi refuzon vazhdimisht duke thënë se nuk ia njeh paratë të vëllait, derisa Alimit i hipën gjaku në kokë dhe kacafytet me të.

Blerim: Ti do lekët, unë nuk të njoh se nuk t’i kam marrë lekët ty fare, vëlla i dashur, nuk të njoh!

Alim: Turp!

Blerim: Turp të kesh ti që na solle këtu!

Alim: Dua lekët, unë ato lekët do ia çoj babait tim atje! Nuk i kisha prurë lekët për të blerë ti pallat ore maskara, po ti s’ke turp! Mua s’më njeh ti ore qen? I more lekët e mia ti? Dreq o dreq! S’më njihke mua? Po kur i more lekët, ku i gjete lekët?/tvklan

Çfarë do të thotë njohja e Palestinës dhe pse SHBA është kundër?

Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia kanë njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës, ndërsa Franca dhe disa vende të tjera perëndimore pritet ta bëjnë ditën e hënë, n një hap që ka shkaktuar reagime të ashpra nga Izraeli dhe kundërshtim të hapur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka quajtur këtë vendim si një “shpërblim për terrorizmin monstruoz të Hamasit”, ndërsa SHBA ka deklaruar se njohja e Palestinës do të përforconte pozitat e Hamasit dhe do ta vështirësonte arritjen e një armëpushimi në Gaza.

Çfarë nënkupton njohja e Palestinës si shtet?

Palestina është një shtet që ekziston në mënyrë të pjesshme – me përfaqësi diplomatike në shumë vende dhe pjesëmarrje në ngjarje ndërkombëtare, përfshirë Lojërat Olimpike – por pa kufij të njohur ndërkombëtarisht, pa kryeqytet të përcaktuar dhe pa ushtri. Autoriteti Palestinez, i krijuar pas marrëveshjeve të Oslos në vitet ’90, nuk ka kontroll të plotë mbi territorin apo popullsinë. Rripi i Gazës, aktualisht në luftë, mbetet nën bllokadë dhe kontroll ushtarak nga Izraeli.

Për shkak të kësaj situate të paqartë, njohja e Palestinës është kryesisht një akt simbolik, më shumë politik dhe moral sesa praktik. Por simbolika është e fuqishme. Në një fjalim në OKB këtë korrik, ish-ministri i Jashtëm britanik David Lammy theksoi se Britania ka një “përgjegjësi të veçantë” për zgjidhjen me dy shtete, duke përmendur Deklaratën e Balfour-it të vitit 1917, në të cilën Britania shprehte mbështetjen për krijimin e një “atdheu kombëtar për popullin hebre” në Palestinë, por me kusht që kjo të mos dëmtonte të drejtat e komuniteteve jo-hebreje në atë territor.

Cilat vende e kanë njohur Palestinën?

Rreth 75% e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara nga 193 gjithsej e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet. Në OKB, Palestina ka statusin e “shtetit vëzhgues të përhershëm”, që i jep të drejtë për të marrë pjesë në punimet e organizatës, por jo të drejtë vote. Me njohjen e planifikuar nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Belgjika, Malta, Australia dhe Kanadaja, katër nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së do ta mbështesin zyrtarisht shtetin e Palestinës. Kina dhe Rusia e kanë bërë këtë që nga viti 1988. SHBA do të mbetet i vetmi anëtar i përhershëm që nuk e njeh.

Prej vitesh, qeveritë britanike kanë theksuar se njohja e Palestinës duhet të ndodhë si pjesë e një procesi paqeje, në bashkërendim me aleatët dhe “në momentin me ndikimin më të madh”. Por situata e rënduar në Gaza, uria masive dhe zhgënjimi i opinionit publik perëndimor kanë sjellë një ndryshim të qasjes. Disa vende po vendosin kushte për njohjen. Kanadaja, për shembull, kërkon që Autoriteti Palestinez të angazhohet për reforma, të mbajë zgjedhje në vitin 2026 dhe të çmilitarizojë shtetin e ardhshëm.

Mbretëria e Bashkuar, nga ana tjetër, pati thënë se do ta njihte Palestinën gjatë sesionit të OKB-së përveç nëse Izraeli ndërmerr hapa të qarta drejt ndalimit të luftës në Gaza, pezullimit të aneksimeve në Bregun Perëndimor dhe rifillimit të një procesi paqeje për një zgjidhje me dy shtete. Por këto hapa nga Izraeli duken pak të mundshme, duke e bërë njohjen të pashmangshme.

Shtetet e Bashkuara janë shprehur qartë kundër njohjes së shtetit të Palestinës, duke theksuar se kjo do të përforconte Hamasin dhe do të nxisë një reagim të ashpër nga Izraeli, përfshirë aneksimin e mëtejshëm të territoreve palestineze. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një konference të përbashkët me Netanyahu më 15 shtator, deklaroi se “njohja ndërkombëtare e Palestinës është një shpërblim për terrorizmin”, duke iu referuar sulmeve të 7 tetorit 2023 nga Hamasi. Sipas Rubios, SHBA i ka paralajmëruar aleatët se njohja do të komplikonte përpjekjet për armëpushim dhe paqe në rajon.

Lufta e Tretë Botërore, alarmi i NATO-s: Ja si Putin mund ta shkatërrojë Europën në vetëm 100 orë

Ish-komandanti i NATO-s në Europë, gjenerali Sir Richard Shirreff, lëshoi ??një paralajmërim shqetësues në një intervistë me Daily Mail: Rusia ka kapacitetin ta pushtojë kontinentin brenda pesë ditësh. Ky skenar ringjall frikën e një konflikti global, mes përshkallëzimit ushtarak dhe dobësive europiane.

NATO është sërish në alarm pas shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore të anëtarëve të saj. Në këtë situatë, shqetësues është edhe vlerësimi i gjeneralit britanik Sir Richard Shirreff, ish-Zëvendës Komandant Suprem i Forcave Aleate për Evropën, i cili ka përshkruar skenarin më ekstrem në këtë përballje. Në një intervistë për “Daily Mail” ai shkruan se në më pak se 5 ditë, Rusia mund ta shkatërrojë Europën.

Ky parashikim, ndonëse nuk aprovohet nga të gjithë analistët, rindez debatin rreth gatishmërisë aktuale të Aleancës Atlantike dhe rrezikut të një lufte të re botërore. Graviteti i situatës konfirmohet edhe nga konteksti gjeopolitik i shënuar nga tensionet në rritje: nga ngërçi në Ukrainë te mbështetja e Kinës dhe Iranit për Moskën, te incidentet gjithnjë e më të shpeshta përgjatë kufijve të NATO-s.

NATO nën presion

Aleanca Atlantike, e angazhuar tashmë në mbështetje ushtarake dhe logjistike për Ukrainën për më shumë se 2 vjet, po i ndjek lëvizjet e Moskës me një shqetësim në rritje. Manovrat e fundit ushtarake të Rusisë, shpesh të kryera së bashku me Bjellorusinë, janë interpretuar si një mesazh i drejtpërdrejtë për Perëndimin. Shkeljet e hapësirës ajrore dhe operacionet me dronë kanë nxitur frikën se Kremlini po teston gatishmërinë e sistemeve mbrojtëse të NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte përsëriti se Aleanca “është gati të mbrojë çdo centimetër të territorit të shteteve anëtare”, por analistët kanë vënë re vonesa në investime dhe furnizime, veçanërisht në Evropë.

Skenari i “100 orëve”

Gjenerali Sir. Richard Shirreff, i intervistuar nga Daily Mail, përshkroi një skenar shqetësues. Një sulm i papritur rus mund të mbingarkojë linjat mbrojtëse europiane në vetëm 100 orë. “Është një skenar ekstrem, por jo i pamundur”, – shpjegoi ai, duke bërë thirrje për një forcim të menjëhershëm të sistemeve parandaluese.

Shirreff, i cili udhëhoqi NATO-n në Evropë deri në vitin 2014, theksoi se forcat konvencionale ruse, pavarësisht humbjeve të pësuara në Ukrainë, mbeten të konsiderueshme dhe të afta të ushtrojnë presion mbi shtetet baltike dhe në Evropën Lindore.

Sipas ish-gjeneralit të NATO-s, nëse Moska do të niste një ofensivë të papritur, Aleanca dhe Evropa nuk do të kishin kohë për të organizuar përforcime, për të lëvizur trupa dhe për të mbrojtur infrastrukturën kritike. Në pak më shumë se 4 ditë, vijat e frontit të mbrojtjes mund të shembeshin, duke lënë të ekspozuar një territor të gjerë dhe të dendur të populluar. Prandaj, koncepti “100 orë” nuk përshkruan se si do të ndodhte sulmi në një nivel teknik, por sa shpejt mund të manifestoheshin efektet si: shembja e mbrojtjeve fillestare, ndërprerja e transportit dhe komunikimeve, presioni psikologjik dhe politik mbi qeveritë dhe opinionin publik.

Mbrojtja europiane mes vonesave dhe dobësive

Disa raporte ndërkombëtare konfirmojnë se Europa duhet ende të adresojë boshllëqe të konsiderueshme. IISS (Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike) ka raportuar se pavarësisht angazhimeve për shpenzime, vonesat në prodhimin e armëve, mangësitë logjistike dhe vështirësitë e koordinimit midis ushtrive të ndryshme vazhdojnë.

Shtetet e Bashkuara mbeten shtylla kurrizore e Aleancës, por edhe Uashingtoni pranon kufizimet. Disponueshmëria e sistemeve të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit në Evropë është e pamjaftueshme për të siguruar një paralajmërim të hershëm për manovrat e mundshme ruse. Ky boshllëk, në rast të një përshkallëzimi, mund të jetë vendimtar.

Aftësitë ruse në luftë dhe kërcënimet hibride

Pavarësisht sanksioneve dhe humbjeve në frontin ukrainas, Rusia ka rritur prodhimin e saj ushtarak, duke u përqendruar në artileri, dronë dhe raketa me rreze të mesme veprimi. Sipas Christopher Cavoli, Komandant Suprem i Forcave të NATO-s në Evropë, Moska tani ka rezerva më të mëdha municionesh sesa Shtetet e Bashkuara dhe Evropa së bashku.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se në vend të një lufte të plotë, Kremlini mund të përdorë një strategji “hibride”, që përbëhet nga sulme kibernetike (si ai i fundit në aeroportet evropiane), sabotim të infrastrukturës kritike, dezinformim dhe operacione klandestine. Këto mjete do ta lejonin atë të destabilizonte me shpejtësi Evropën, pa pasur nevojë të angazhohej domosdoshmërisht në një luftë të hapur konvencionale.

Sa realiste është fantazma e Luftës së Tretë Botërore?

Shumë analistë mbeten skeptikë ndaj mundësisë së një “blitzkrieg” të aftë për të mposhtur Evropën në më pak se 5 ditë. Mangësitë logjistike të Rusisë, vështirësia për të mbajtur një ofensivë të njëkohshme në fronte të shumëfishta dhe aftësia e reagimit të NATO-s përfaqësojnë pengesa të rëndësishme.

Megjithatë, skenari i përshkruar nga Gjenerali Shirreff nuk është pa baza. Ai shërben si një paralajmërim për të mos ulur vigjilencën tonë dhe për të përshpejtuar forcimin e mbrojtjes së Evropës. Mundësia e një konflikti global duket e largët, por paqëndrueshmëria në rritje kërkon kujdes dhe gatishmëri, pasi llogaritjet e gabuara ose provokimet mund ta tërheqin sërish botën në konfrontim të drejtpërdrejtë.

Përplasja me Audi-n i merr jetën 16-vjeçarit shqiptar në rrugët e Italisë

Një aksident i rëndë rrugor i mori jetën pasditen e djeshme 16-vjeçarit Manuel Leti, i lindur në Itali nga prindër shqiptarë dhe student i informatikës në Cfp Zanardelli.

Rreth orës 14:30, në rrugën “4 Nëntori” të Artognes (provinca e Brescia-s), Manueli po udhëtonte me motorin e tij KTM Duke 125, kur në kryqëzimin me rrugën “Caduti della Resistenza” u përplas në pjesën e përparme me një Audi që drejtohej nga një 44-vjeçar.

Përplasja ishte e lehtë, por motori humbi stabilitetin dhe goditi një shtyllë ndriçimi. Goditja fatale e rrëzoi në tokë, dhe pavarësisht kaskës, plagët në gjoks e bark ishin vdekjeprurëse.

Një mik i Manuelit, që udhëtonte me një motor tjetër, e pa ngjarjen por nuk mundi të bëjë asgjë. Ambulanca dhe helikopteri i emergjencës mbërritën menjëherë, por mjekët konfirmuan vdekjen në vend.

Kryetarja e Bashkisë së Artognes, Barbara Bonicelli, e cilësoi tragjedinë “të papranueshme” dhe bëri apel për kujdes të shtuar në rrugë. Edhe kryetari i Pian Camuno, Giorgio Ramazzini, shprehu dhimbje për familjen: “Një familje e respektuar, është e vështirë të gjesh fjalë.”

Ky aksident e çon në 21 numrin e viktimave me motor në provincën e Brescias këtë verë, tre prej tyre vetëm 16-vjeçarë. Funerali i Manuelit do të mbahet të hënën, 22 shtator, ora 16:30, në Kishën e Shën Familjes në Pian Camuno.