Pas vilës në palasë, Blendi Klosi fsheh suitën nr.81 me sipërfaqe 368 m2 te pallati “Park Gate” përballë Fakultetit Ekonomik në Tiranë. Përgatìtet kallëzimi në SPAK

Disa sinjalizime dhe evidenca sugjerojnë se Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi fsheh pasuri me vlerë miliona euro nga Tirana në Palasë, produkt i aferave të dyshuara korruptive kur ishte ministër Mjedisi. Sipas sinjalizimit me fakte, Klosi ka favorizuar me leje mjedisore një oligark me disa dosje në SPAK, ku në këmbim ka marrë një vilë në Palasë dhe një apartament 368 m2 në Tiranë, pasuri këto me vlerë mbi 5 milionë euro.

Pasuria e emërtuar si Suita nr. 81, me sipërfaqe 368 m², ndodhur në katin e 12-të të pallatit të kuq “Park Gate”, pranë Parkut të Liqenit, përballë Fakultetit Ekonomik, është një pasuri e fshehur e Blendi Klosit. Suita kushton sot rreth 2 milionë euro. Ashtu si vila në Palasë, edhe këtë pasuri Klosi e ka regjistruar në emrin e një miku të tij, me qëllim për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë. Si vila nr. 69 në Palasë, ashtu edhe apartamenti në Tiranë, nuk figurojnë në deklaratat vjetore të pasurisë së Blendi Klosit.

Të gjitha provat, indiciet dhe evidencat për këto dy pasuri të fshehura të Blendi Klosit po materializohen në një kallëzim penal, i cili do të referohet në SPAK për veprat e dyshuara penale si fshehje pasurie, korrupsion dhe pastrim parash. Kallëzimi penal po përgatitet nga një studio ligjore në kushtet kur SPAK nuk ka nisur një hetim kryesisht nisur nga denoncimet mediatike, për të verifikuar se cili shtetas ka porositur te kompania investuese dy pasuritë, me cilin ka bërë marrëveshje studioja që ka projektuar dhe realizuar arredimin, kush i ka bërë pagesat, cili është burimi i të ardhurave, kush i përdor etj.

Vila nr. 69 në Palasë sfidë për SPAK-un

Blendi Klosi është pronari real i vilës me nr. 69 në kompleksin “Green Coast” në Palasë, të cilën e ka fshehur në emrin e një miku të tij. Vila ka shtesa pa leje, punime cilësore ndryshe nga vilat e tjera dhe mobilim përrallor. Vetëm mermeri i ardhur nga guroret e Skraparit, kushton sa një vilë e zakonshme.

Vila, sot, mund të ketë kaluar edhe në emra të tjerë nga frika e veprimit të SPAK-ut. Por, jo vetëm që është e Klosit, frekuentohet prej tij, por Blendi është kujdesur hap pas hapi gjatë fazës së ndërtimit.

Si Klosi, ashtu edhe prestanomet, nuk kanë burime të ligjshme të ardhurash, për të blerë dhe mbuluar një pasuri të tillë, e cila kushton mbi 3 milionë euro. Vila me nr. 69 në kompleksin “Green Coast” në Palasë, është një provë flagrante korrupsioni që sfidon çdo ditë SPAK.

Marrë nga PRAPASKENA