PD mund të përfundojë sërish në gjykatë/ Alesia Balliu kërkon pezullimin e Berishës si kryetar dhe ndalimin e kandidimit për kreun e partisë

Anëtarja e PD-së, Alesia Balliu, ka depozituar pranë strukturave të Partisë Demokratike një kërkesë që synon pezullimin e Sali Berishës nga posti i kryetarit dhe ndalimin e kandidimit të tij në zgjedhjet e ardhshme për drejtimin e partisë.

Dokumenti i firmosur nga Balliu, i drejtohet Kryesisë së Partisë Demokratike dhe Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statùtit. Në të kërkohet konstatimi i përfundimit të mandatit të Sali Berishës si kryetar i PD-së, si dhe komandimi i sekretarit të përgjithshëm Flamur Noka në detyrën e kryetarit të komanduar deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri.

Në kërkesë gjithashtu kërkohet ndalimi i kandidimit të Berishës për postin e kryetarit në zgjedhjet e 23 majit 2026, duke iu referuar vendimit nr.35 të Kryesisë së PD-së, datë 17 mars 2026.

Kërkesa mbështetet në nenet 46, 48, 50 dhe 54 të Statutit të Partisë Demokratike, ndërsa në tekst thuhet se procesi zgjedhor duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat statutore dhe procedurat e brendshme të partisë.

Sipas dokumentit, zgjedhjet për kryetar të PD-së janë përcaktuar të mbahen më 23 maj 2026 dhe janë dhënë udhëzimet për organizimin e procesit zgjedhor.

Mbetet për t’u parë nëse kërkesa do të merret në shqyrtim nga strukturat e Partisë Demokratike. Nëse kërkesa nuk shqyrtohet nga PD, Balliu që ka shprehur edhe ambicien për drejtimin e partisë, pritet t’i drejtohet gjykatës.

Ironia është se ishte pikërisht gjykata ajo që i dha vulën dhe logon e PD-së Sali Berishës pas përplasjes së tij me Lulzim Bashën. Dhe këtë herë përplasja lidhet me të njëjtin nen të statutit: atë që parashikon largimin e kryetarit të partisë pas humbjes së zgjedhjeve.