Përse emri i Taulant Ballës përdoret nga mashtruesit për të zhvatur biznesmenët?!

Nuk është hera e parë që mashtruesit përdorin emrin e deputetit socialist Taulant Balla për t’u kërkuar biznesmenëve shuma të mëdha parash.

Rasti i fundit është ai i Armand Dukës. Sipas të dhënave të policisë, dy të rinj u paraqitën si Taulant Balla dhe i kërkuan presidentit të FSHF-së 100 mijë euro në kriptovaluta. Duka dyshoi, njoftoi policinë dhe dy të rinjtë u arrestuan gjatë operacionit.

Por skema është përdorur edhe më parë. Në vitin 2024, biznesmeni Flamur Rrushi mori një kërkesë të ngjashme.

“Jam Taulant Balla. Më duhen urgjent 100 mijë euro”.

Këtë herë mashtrimi funksionoi dhe biznesmeni dorëzoi paratë. Sipas dëshmisë së publikuar nga hetimi, ai kishte miqësi me Ballën dhe pikërisht kjo e kishte bërë kërkesën të dukej e besueshme.

Këtu qëndron edhe thelbi i historisë. Mashtruesit mund të falsifikojnë një profil, mund të vendosin një fotografi, mund të kopjojnë një numër telefoni, por për të marrë 100 mijë euro duhet diçka tjetër.

Duhet që historia të tingëllojë e besueshme. Përse një biznesmeni i duket e mundshme që Taulant Balla ta telefonojë privatisht dhe t’i kërkojë 100 mijë euro?

Taulant Balla nuk është një politikan periferik. Prej më shumë se dy dekadash ai është në strukturat kryesore të Partisë Socialiste. Ka qenë deputet që prej vitit 2005. Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i PS-së nga viti 2017 deri në vitin 2021. Ka drejtuar Grupin Parlamentar Socialist, ka qenë ministër i Brendshëm dhe ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin. Pas zgjedhjeve të vitit 2025, Edi Rama e riktheu në drejtimin e Grupit Parlamentar të PS-së. Sot është gjithashtu pjesë e Kryesisë së Partisë Socialiste.

Emri i Ballës është përmendur ndër vite në debate të forta publike për njohjet e tij me persona të botës së biznesit dhe me individë me precedentë penalë.

Një rast i dokumentuar është ai i Edmond Begos. Në vitin 2018, Balla pranoi publikisht se e njihte Begon dhe familjen e tij, ndërsa kundërshtoi akuzat e opozitës se i kishte siguruar mbrojtje politike. Sipas denoncimit të kohës, Balla kishte udhëtuar me dhjetra herë me Edmond Begon, në vende të ndryshme të botës.

Përdorimi i emrit të Taulant Ballës nga mashtruesit nuk tregon se deputeti i PS, ka lidhje me mashtrimin. Në rastet për të cilat po flasim, ai është personi të cilit i është vjedhur identiteti.