Presidenti i Venezuelës zhvendos Krishtlindjen në 1 tetor

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka vendosur të afrojë festën e Krishtlindjes në 1 tetor.

Lideri 61-vjeçar i shtetit në Amerikën Latine, fitoi pak ditë më parë mandatin e tij të 3-të 6 vjeçar, pavarësisht pretendimeve të shumta për manipulim të procesit zgjedhor.

Në një intervistë televizive, ai nuk e fshehu gëzimin për fitoren në zgjedhje, duke thënë se do të firmosë një dekret për ta zhvendosur festën e Krishtlindjes në 1 tetor.

“Është shtator dhe tashmë ka aromë si Krishtlindje. Kjo është arsyeja pse këtë vit, në homazh për ju, në mirënjohje ndaj jush, unë do të dekretoj që Krishtlindjet të sillen në 1 tetor”, tha Maduro gjatë një daljeje televizive të hënën.

Kjo nuk është hera e parë që Maduro ndryshon datën e Krishtlindjeve që kur mori frenat e vendit me shumicë katolike nga Hugo Chavez në vitin 2013. Ai e bëri një gjë të tillë gjatë pandemisë së Covid-19, por duke e zhvendosur vetëm me disa ditë.

Krishtlindja festohet në 25 dhjetor, kur mendohet se është edhe data e lindjes së Krishtit.