QSUT vendos të ofrojë terapi hormonale për personat që duan të ndryshojnë gjinìnë

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar për herë të parë udhëzimin që mundëson ofrimin e terapisë hormonale për personat transgjinorë në shërbimin publik shëndetësor në Shqipëri.

Vendimi përcakton kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe mënyrën e monitorimit të trajtimit hormonal, i cili do të ofrohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe do të mbulohet nga fondet publike.

Sipas udhëzimit të miratuar më 28 prill dhe të firmosur nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomnini, trajtimi do të jetë i aksesueshëm si për të rriturit, ashtu edhe për adoleshentët mbi moshën 16 vjeç, në rastet kur ekziston vlerësimi i ekipit mjekësor dhe miratimi i familjes.

Dokumenti parashikon që terapia hormonale të aplikohet për burrat transgjinorë, përmes hormonit të testosteronit, si dhe për gratë transgjinore, përmes estrogjenit dhe antiandrogjenëve.

Në raste të veçanta, dhe vetëm pas një vlerësimi të specializuar multidisiplinar, trajtimi mund të konsiderohet edhe për adoleshentë nga mosha 14 vjeç.

“Koha varet nga pjekuria njohëse e adoleshentit dhe aftësia e tij për të kuptuar dhe pranuar efektet potencialisht të pakthyeshme të trajtimit”, thuhet në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas dokumentit, procesi kërkon bashkëpunimin e plotë të adoleshentit, familjes dhe ekipit të trajtimit, ndërsa duhet të merren në konsideratë edhe ndikimet e mundshme në shëndetin fizik dhe funksionimin social të fëmijës.

Deri më tani, shumë persona transgjinorë në Shqipëri janë detyruar të kryejnë terapi hormonale jashtë vendit ose në mënyrë informale, për shkak të mungesës së një shërbimi të specializuar dhe të monitoruar në sistemin publik shëndetësor.

Komuniteti LGBTQI+ e kishte kërkuar prej vitesh këtë vendim, pasi shumë qytetarë i janë drejtuar klinikave private në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut për procesin e tranzicionit gjinor, ndërsa kostot e ndërhyrjeve dhe trajtimeve kanë qenë të larta, duke arritur deri në 15 mijë euro.