Temperaturat deri në 43 gradë, mbyllen kopshtet dhe shkollat në Greqi

Greqia po përballet me një valë të nxehti ekstrem pasi masat e ajrit shumë të ngrohta që ishin mbi Afrikën Veriore dhe Mesdheun qendror po shkojnë drejt lindjes dhe pritet të rrisin temperaturat nga dita e sotme deri të premten.

Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, në shumë zona të vendit temperaturat do të arrijnë 40 gradë, ndërsa në zonat kontinentale, larg erës detare, të mërkurën dhe të enjten do të ketë temperatura deri në 41°C dhe 42°C, dhe vende-vende deri në 43°C.

Për të shmangur ekspozimin në këto temperatura të larta, bashkitë kanë nisur me marrjen e masave.

Në Bashkinë e Athinës do të ndërpritet aktiviteti arsimor i të gjitha njësive të Arsimit Fillor ( çerdhe dhe shkolla fillore) për ditën e mërkurë datë 12 dhe të enjten, 13 qershor. Masat për të premten 14 qershor do të rivlerësohen të enjten në varësi të parashikimit të motit. Një vendim të ngjashëm ka marrë edhe komuna e Patras dhe Markopulos, ndërsa të njëjtën pritet ta bëjnë edhe komunat tjera.

Puna në sektorin publik është parashikuar me orare të reduktuara dhe online në rastet kur është e mundur. Ndërkohë që ata që punojnë në terren/natyrë do ndërpresin punën në pikun e vapës.

Temperaturat ditën e premte do të pësojnë rënie në pjesën qendrore perëndimore dhe veriore, por do të mbeten të larta në jug nga 38 deri në 39 gradë. Një front i ftohtë që zbret nga Ballkani do të sjellë stuhi jo vetëm në vendet fqinje, por pasdite dhe në mbrëmje edhe në veri të vendit, duke i dhënë fund valës së të nxehtit.