U nis të ekzekυtonte ish-bashkëshorten e tij, zbαrdhet e shkuara kriminαΙe e 34-vjeçarit nga Tepelena

Policia parandaloi një ngjarje të rëndë kriminale që mund të kishte ndodhur sot në lagjen nr.4 të qytetit të Sarandës, duke kapur në flagrancë me pistoletën me fishek në fole 34-vjeçarin Kleo Hysi.

Ai ishte nisur nga fshati Kalivaç i Tepelenës për të ekzekutuar me armë ish-bashkëshorten e tij me iniciale F.Ç. dhe bashkëjetuesin e saj Isuf Jaçaj.

Policia sqaroi në njoftimin e saj se Hysi kishte shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” që ishte vendosur nga Gjykata e Sarandës për të, duke detyruar që të mos dilte prej banesës.

“Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kërcënoi se do të vriste ish-bashkëshorten e tij dhe bashkëjetuesin e saj, me armë zjarri, vihet në pranga 34-vjeçari, në kuadër të operacionit policor të koduar “On time’”, thuhet në njoftimin e uniformave blu.

Kjo pasi 34-vjeçari ka një të shkuar kriminale. Në vitin 2020 ai kishte realizuar grabitjen e një të moshuari, ngjarje për të cilën Hysi edhe u arrestua nën akuzën e “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim”.

Asokohe, ai pasi ka dhunuar 91-vjeçarin Dhimitër Papa, i ka vjedhur atij 20 mijë lekë të reja dhe një armë gjahu “Baikal” ruse, me kalibër 12 mm.

Ndërkohë, ende nuk ka detaje për mënyrën sesi Hysi është liruar nga burgu në një kohë kaq të shkurtër nën masën “arrest në shtëpi”.