Zëvendëspresidenti i Paraguait, Hugo Velazquez Moreno, ka thënë se do të japë dorëheqjen pas akuzave për korrupsion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasadori i SHBA-ve në Paraguaj, Marc Ostfield, njoftoi të premten se Velazquez ishte përfshirë në një listë korrupsioni për ofrimin e ryshfeteve.
Velazquez ka thënë se do të japë dorëheqjen javën e ardhshme në mënyrë që të mund të mbrohet kundër akuzave.
“Më goditi vërtet si një kovë me ujë të ftohtë”, tha ai gjatë një interviste me një radio stacion lokal.
Njoftimi ka tronditur skenën politike në Paraguaj, ku Velazquez ishte anëtar i administratës së Presidentit, Mario Abdo Benitez.
Ai pritej të kandidonte si kandidat presidencial në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Menjëherë pasi Ostfield bëri njoftimin, Velazquez deklaroi se ishte i pafajshëm, por tha se do të hiqte dorë nga kandidatura dhe do t’i jepte dorëheqjen Kongresit javën e ardhshme.
Në listën e korrupsionit u përfshi edhe Juan Carlos Duarte, një ish-prokuror që është bashkëpunëtor i ngushtë i Velazquez.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Velazquez kishte marrë pjesë në “korrupsion të rëndësishëm, duke përfshirë ryshfetin e një zyrtari publik dhe ndërhyrje në proceset publike”, në një njoftim për shtyp të premten.
Në mënyrë të veçantë, Blinken pretendoi se Duarte i ofroi një ryshfet më shumë se 1 milion dollarë një zyrtari publik në mënyrë që të pengonte një hetim që kërcënonte Velazquez dhe “interesat e tij financiare”.
Si rezultat i emërtimeve, Velazquez, Duarte dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë janë të ndaluar të hyjnë në SHBA.