Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një dalje per mediat, pas mbledhjes së qeverisë, bëri me dije vendimin e fundit të qeverisë në lidhje me dhurimin e gjakut për fëmijët talasemikë në vend.
Manastirliu tha se punonjësit e administratës që do të dhurojnë gjak do të mund të marrin dy ditë pushim, ditën e dhurimit të gjakut dhe ditën pasardhëse.
Ndërsa për përsonat që do të dhurojnë gjak minimumi tre herë në vit sipas një kalendari të përcaktuar do të kenë mundësi të pushojnë 7 ditë në shtëpitë e pushimit.
“Kemi marrë sot një vendim për veprimtarinë e dhurimit vullnetar të gjakut nga punonjësit e administratës shtetërore se kemi parë një angazhim të strukturave dhe institucioneve tona.
Tashmë kemi vendosur që të kemi konsoliduar një kalendar të posaçëm të organizuar nga Qendra Kombëtare e Dhurimit të Gjakut dhe nga institucionet e administratës shtetërore.
Për ata nënpunës që do të dhurojnë vullnetarisht gjak parashikohet që jo vetëm ditën që japin gjak kanë të drejtën për t’u larguar nga puna por edhe ditën e nesërme ta ketë pushim.
Pra të nesërmen e dhurimit të gjakut. Nga ana tjetër për ata adhurues të cilët do të dhurojnë gjak minimumi tre herë në vit sipas një kalendari të përcaktuar do të kenë mundësi të pushojnë në shtëpitë e pushimit të ministrve respektive 7 ditë përgjatë një kalendari të organizuar nga institucionet”-tha Manastirliu.