Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme zonën e Kallamatës në Greqi, ku një shtetas shqiptar ka mbetur i vrarë në rrethana ende të paqarta. Krimi ka ndodhur në vendin e quajtur Burnia, një zonë ku viktima ishte i punësuar prej kohësh.
Sipas të dhënave të para nga grùpi hetimor, dyshohet se ndaj shqiptarit është qëlluar me armë gjahu nga një distancë mjaft e afërt, çka i ka shkaktuar plagë të rënda që rezultuan fatale për jetën e tij.
Viktima punonte si bari në një stallë lopësh në këtë zonë dhe deri më tani nuk raportohet për konflikte të hapura që mund të kishin paralajmëruar këtë fund tragjik. Menjëherë pas gjetjes së trupit të pajetë, forca të shumta policie kanë rrethuar perimetrin dhe kanë nisur mbledhjen e provave në vendngjarje për të rindërtuar dinamikën e plotë të vrasjes.
Vëmendja kryesore e autoriteteve greke është përqendruar te pronari i stallës ku punonte viktima, i cili është një shtetas grek. Dyshimet e forta mbi të janë përforcuar pasi policia nuk e ka gjetur atë në banesë gjatë kontrolleve të menjëhershme.
Ai është shpallur zyrtarisht në kërkim, ndërsa po punohet intensivisht për lokalizimin e tij dhe zbardhjen e motiveve që mund të kenë çuar në ekzekutimin e punëtorit shqiptar. Tragjedia mbetet nën hetim të plotë, ndërsa pritet autopsia dhe dëshmitë e banorëve të zonës për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.