VIDEO/ Del momenti i grabitjes së mjetit të përdorur në mas/akrën e Shkodrës, i përkiste punonjësit të sigurisë në Portin e Durrësit

Mediat kanë publikuar videon që tregon momentin e grabitjes së mjetit të përdorur në vrasjen e Shkodrës.

Sipas denoncimit të pronarit të mjetit, grabitja është bërë poshtë banesës së tij dhe menjëherë pas konstatimit është bërë dhe denoncimi në muajin prill.

Edhe pse u dogj plotësisht pas ngjarjes, ekspertiza ka mundur të rikuperojë numrin e shasisë së makinës dhe prej saj është identifikuar mjeti.

Makina “Range Rover Sport” është konfirmuar se është vjedhur në Durrës dhe është denoncuar nga pronarët më 17 prill të këtij viti. A2 CNN mëson se makina ka qenë në pronësi të një punonjësi të sigurisë në Portin e Durrësit.

Një ditë më parë shkoi në 4 numri i viktimave nga ngjarja kriminale e ndodhur në Shkodër më 30 tetor, ku iu bë atentat Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Drejtuesi i motorit të aksidentuar nga makina e viktimave të atentatit, Bashkim Basha, ndërroi jetë në spital.

67-vjeçari po udhëtonte me bashkëshorten e tij me motor kur u përplas nga makina e Licit dhe Bushatit, të cilët ishin objektivat e atentatit. Bashkëshortja e tij humbi jetën në vend.


Hamza Lici humbi jetën në momentin e atentatit, ndërsa Arlind Bushati vdiq në spital një ditë më vonë.

Autorët e ngjarjes së rëndë, tashmë me katër viktima, janë ende të paidentifikuar.

Atentati risolli edhe një herë në vëmendje konfliktin e ashpër shumëvjeçar mes fiseve Bajri dhe Lici. Sipas të dhënave paraprake policore, objektiv i këtij atentati ka qenë një nga viktimat, Hamza Lici, i cili udhëtonte në automjet së bashku me Arlind Bushatin, i cili gjithashtu mbeti i vrarë nga breshëria e plumbave.

Policia dyshon se në automjetin e autorëve kanë qenë të paktën tre persona: dy që kanë qëlluar me armë dhe shoferi i automjetit. Menjëherë pas ngjarjes, automjeti i autorëve u largua nga vendngjarja dhe u dogj pranë ish-repartit ushtarak në fshatin Golem, jo më larg se pesë minuta nga vendi ku ndodhi atentati./a2CNN