AdoΙeshentja u gjet e υdekυr 48 vite më parë në Havai, arrestohet në azilin e pleqve ish-shoku i saj i klasës

Policia amerikane ka arrestuar një të dyshuar për vrasjen e pazbardhur të një adoleshenteje nga Honoluluja, vdekja e së cilës tronditi shkollën e mesme ku u zbulua trupi i saj gati pesë dekada më parë. Ata thanë se personi i arrestuar, Gideon Castro, ishte një nga ish-shokët e saj të shkollës, i cili iu bashkua Rezervës së Ushtrisë Amerikane pas diplomimit.

Dawn Momohara u gjet e vdekur mëngjesin e 21 marsit 1977, në katin e dytë të një ndërtese në shkollën e mesme McKinley, në kryeqytetin e Havait, sipas Departamentit të Policisë në Honolulu. Ajo ishte 16 vjeçe dhe studente atje në vitin e dytë.

Oficerët në atë kohë u përballën me në një skenë të tmerrshme. Momohara ishte pjesërisht e veshur dhe e shtrirë në shpinë me një leckë portokalli të lidhur rreth qafës, tha toger Deena Thoemmes, nga Policia e Honolulusë, në një konferencë shtypi të martën. Një autopsi e mëvonshme përcaktoi se Momohara ishte mbytur për vdekje dhe ekzaminuesi mjekësor tha se kishte shenja të sulmit seksual.

Edhe pse policia mori mostrën e ADN-së së një burri të panjohur nga veshjet e adoleshentes, ata nuk mundën të identifikonin një të dyshuar. Autoritetet nuk do të hetonin pista domethënëse për vrasjen deri në vitin 2020, pasi një detektiv përdori metoda të reja teknologjike për hetimin.

Deri në shtator të vitit 2023, testet e ADN-së i çuan hetuesit te dy të dyshuar të mundshëm: vëllezërit Gideon Castro dhe William Castro, të cilët të dy ishin intervistuar menjëherë pas vrasjes së Momohara-s. Në atë kohë, Gideon Castro i tha policisë se u takua me Momohara-n në një vallëzim në shkollë në vitin 1976, pak para se të diplomohej, tha policia. William Castro në intervista tha se ai dhe Momohara flisnin periodikisht në telefon, por mohuan të kenë pasur ndonjë marrëdhënie me të.

Pasi testet mjekoligjore ngushtuan grupin e të dyshuarve të mundshëm te vëllezërit Castro, Thoemmes tha se policia udhëtoi për në Çikago, ku jetonte William Castro, për të marrë një mostër të ADN-së fshehurazi nga një prej fëmijëve të tij dhe për ta përdorur atë si krahasim. Krahasimi përjashtoi William Castron si të dyshuar dhe Gideon Castro, tani 66 vjeç, u arrestua në shtëpinë e tij të të moshuarve në Utah me një akuzë për vrasje të shkallës së dytë.

Gideon Castro do të ekstradohet përsëri në Honolulu, tha Thoemmes.

“Në emër të Departamentit të Policisë së Honolulus, dua të falënderoj të gjithë individët dhe agjencitë që bënë të mundur arrestimin e sotëm”, tha togeri. “Faleminderit për gjithë përkushtimin dhe angazhimin tuaj në ndjekjen e palodhshme të drejtësisë për Dawn dhe familjen Momohara”.