Babai υ. ret vajzën 15-vjeçare për shkak të videove që ajo postonte në TikTok

Një burrë, i cili kohët e fundit ishte kthyer në Pakistan me familjen e tij nga SHBA, rrëfeu se kishte qëlluar dhe vrarë vajzën e tij adoleshente sepse nuk ishte dakord me përmbajtjen e postimeve të saj në TikTok.

15-vjeçarja, e lindur në SHBA, u vra në një rrugë në qytetin e Quetta të martën. I dyshuari, Anwar ul Haq, fillimisht pretendoi se ajo u qëllua nga persona të armatosur të panjohur, por më vonë pranoi krimin, tha një oficer policie.

“Deri më tani hetimi ynë tregon se familja nuk ishte dakord me rrobat që kishte veshur, stilin e jetës dhe kontaktet e saj”, në rrjetet sociale, tha një tjetër oficer policie, Zohaib Mohsin. “Ne kemi celularin e saj. Është i kyçur. Ne po hetojmë të gjitha mundësitë, madje edhe vrasjen për nder”, shtoi ai.

Familja kishte jetuar në SHBA për 25 vjet dhe së fundi u kthye në provincën Balochistan të Pakistanit. Sipas Baloch, babai tha se vajza e tij kishte filluar të krijonte përmbajtje “të papranueshme” në TikTok ndërsa ata jetonin ende në SHBA dhe vazhdoi të ngarkonte video pasi u kthyen në Pakistan.

Kunati i tij u arrestua gjithashtu me akuzën e ndihmës dhe nxitjes.

Anwar ul Haq thotë se ai është një shtetas amerikan, por policia nuk ka asnjë provë për këtë përtej deklaratës së vetë të dyshuarit. Nuk është e qartë nëse ambasada amerikane është informuar për arrestimin e tij.

Më shumë se 54 milionë njerëz përdorin TikTok në Pakistan, një vend me 241 milionë banorë. Qeveria ka bllokuar disa herë aksesin në aplikacion gjatë viteve të fundit, duke përmendur “përmbajtje të turpshme”.