SPAK: Klotilda Bushka i shkatërroi telefonin dëshmitares, e udhëzoi se çfarë duhet të deklaronte para prokurorëve

Deputetja Klotilda Bushka akuzohet nga SPAK se ka kryer veprime për pengimin zbulimit të së vërtetës, lidhur me hetimet e kryera nga SPAK për Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën.

Më konkretisht në dosjen e SPAK, zbulohet se si Bushka ia ka marrë telefonin dhe ia ka shkatërruar shtetases Ina Goxhaj, mesa duket për të mos u zbuluar komunikimet që kishin patur dhe mund të kishin interes për prokurorët.

Ina Goxhaj është ish-drejtoreshë e qendrës Byl-A e cila në dosjen e SPAK figuron si një nga OJF-të që është përdorur për fshehje pasurie dhe pastrim parash.

SPAK thotë se ëshë vetë Ina Goxhaj ajo që ka rrëfyer se si Klotilda Bushka e ka udhëzuar se çfarë duhet të dëshmojë para prokurorëve dhe çfarë duhet të mohojë kategorikisht nëse pyetet.