Zbardhen detaje të reja nga dëshmia e Shefit të Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, i cili u arrestua pas operacionit të AMP-së për ndërtimet pa leje në zonë.
Sipas burimeve hetimore, përpara hetuesve, Bashllari ka deklaruar se gjatë kësaj jave ka qenë i angazhuar me një ngjarje tjetër, vrasjen e pronarit të karburantit, ç’ka sipas tij e ka penguar të merrej me kontrollin e ndërtimeve pa leje.
Deklarata e tij ka tërhequr vëmendjen grupit hetimor, ndërsa vijojnë verifikimet për të sqaruar përgjegjësitë dhe veprimet e kryera nga ana e tij në lidhje me rastin.
Aksioni i AMP-së në Sarandë dhe arrestimet
Një aksion i zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në zonën e Sarandës dhe Ksamilit për lidhjet e policisë me raste të ndërtimeve pa leje, ka çuar në arrestimin e shefit të Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari.
Po ashtu, në pranga për shpërdorim detyre kanë rënë edhe një oficer krimesh dhe një specialist i zonës në Sarandë.
Sipas burimeve, në fokus të hetimeve janë efektivë që dyshohet se janë përfshirë ose kanë favorizuar raste të ndërtimeve të paligjshme në këto zona bregdetare.
Po ashtu, priten arrestime dhe masa të tjera procedurale ndaj punonjësve të Komisariatit të Policisë Sarandë, të cilët dyshohet se kanë pasur rol në lejimin apo mosgoditjen e këtyre ndërtimeve.
Dy ditë më parë u arrestuan edhe 8 punonjës ndërtimi që po ngrinin një strukturë pa leje në det, teksa në kërkim u shpall pronarja e objektit në fjalë.