Edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka uruar kryesocialistin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 11 majit.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Sanchez teksa e quan fitore të madhe arritjen e Ramës në 11 maj, shkruan më tej se shqiptarët mbështesin masivisht përpjekjet për ta future Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Urimi i Sanchez i bashkohet urimeve që Rama ka marrë më herët nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Urime Edi Rama për fitoren e madhe të Partisë Socialiste në zgjedhje. Shqiptarët mbështesin në masë të madhe përpjekjet për ta futur Shqipërinë në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Sanchez në rrjetin social ‘X’.
Sakaq, kryeministri Edi Rama falenderoi homologun e tij spanjoll, i cili e uroi për fitoren e zgjedhjeve të 11 Majit.
“Falemnderit me gjithë zemër, vëllai im. Privilegj të udhëheq Partinë Socialiste në Shqipëri në të njëjtën kohë me udhëheqjen tënde mbresëlënëse në krye të Partisë Socialiste në Spanjë dhe të Ndërkombëtares Socialiste, duke pasur gjithashtu edhe mbështetjen tënde të guximshme në rrugëtimin e Shqipërisë në integrimin në Bashkimin Europian! Mirënjohës përjetë!”, shkruan Rama në X.
Edhe kryeministrisë i Kroacisë, Andrej Plenkovic, ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren e mandatit të tij të katërt dhe shpreh kënaqësinë për pjesëmarrjen në samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të zhvillohet në Tiranë të premten.
“Urime Kryeministrit Edi Rama për fitoren në zgjedhje! Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe forumeve të tjera ndërkombëtare. Me kënaqësi pres të marr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë të premten”, shkruan në rrjetet sociale Plenkovic.