Mitsotakis mungoi në Samitin e Tiranës, zbulohet arsyeja

Tirana u bë sot kryeqendra e Europës, pasi mirëpriti Samitin e Komunitetit Politik, forum i cili solli në kryeqytetin shqiptar 52 liderë europianë, përfshirë Presidentë, Kryeministra, liderë të BE-së, NATO-s dhe OSBE.

Sakaq, ra në sy mungesa e kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Mësohet se Mitsotakis është nisur të enjten për në SHBA, ku do të kryesojë një diskutim të hapur të nivelit të lartë në kontekstin e presidencës greke në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Samiti i organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe kryeministri Edi Rama u mbajt në Sheshin “Skënderbej” dhe punimet nisën që në orën 11:00, për të përfunduar me konferencën e kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres së Danimarkës, si vendi që merr stafetën për samitin e radhës. “Riarmatimi i Evropës do jetë prioritet”, theksoi Mette Frederiksen.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, bashkë-organizatorë të samitit në Tiranë, i përqendruan fjalimet e tyre hapëse në sigurinë e Europës, mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen e demokracisë dhe përgjigjet e përbashkëta ndaj kërcënimeve të përbashkëta.

Tema qendror e diskutimit të samitit ishte “Europa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”, e strukturuar në 3 tryeza të rrumbullakëta me tematika të ndryshme.

Mbështetja për Ukrainën, mbrojtja evropiane, ruajtja e demokracisë, përgatitja dhe aftësia e reagimit ndaj kërcënimeve të ndryshme ishin në fokus të punimeve të samitit, pjesë e të cilit ishte edhe Kryeministri britanik, Presidenti francez si dhe ai turk. Po ashtu u trajtuan çështje me në fokus ekonominë, tregun e konkurrencës, inovacionin apo emigrimi i paligjshëm e lëvizja e punës.