Një nga figurat më të kërkuara të krimit të organizuar shqiptar, Dritan Gjika, është arrestuar sot në Emiratet e Bashkuara Arabe në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të koordinuar nga Njësia Kombëtare e Interpolit në Ekuador, me mbështetjen e homologëve të saj në Abu Dabi dhe Spanjë. Arrestimi u bë i mundur falë punës hetimore dhe shkëmbimit të informacionit përmes programit PAcCTO 2.0.
Gjika, shqiptar 47-vjeçar, është subjekt i dy Njoftimeve të Kuqe të Interpolit, dhe akuzohet për trafik droge, pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për aktivitetin e tij të gjerë kriminal në Ekuador, Spanjë dhe vendet e tjera të Europës dhe Amerikës Latine.
Dritan Gjika kishte mbërritur për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë vizitori të përkohshëm, por më pas ndërtoi një strukturë të sofistikuar kriminale, që vepronte si rrjet ndërkombëtar për trafik droge drejt vendeve si Holanda, Belgjika, Spanja, dhe Amerika Qendrore.
Organizata e drejtuar prej tij kishte një strukturë të ndarë në nivele, përfshirë drejtimin ekzekutiv, logjistikën dhe bashkëpunëtorët. Kjo rrjetë përdorte kompani të regjistruara ligjërisht për të pastruar paratë dhe për të fshehur gjurmët e aktivitetit të paligjshëm. Ndërkohë, disa punonjës të porteve detare vepronin si informatorë, duke lehtësuar futjen e drogës nëpër kontejnerë përmes metodës së njohur si “grepi i verbër”.
Më 6 shkurt 2024, Prokuroria e Përgjithshme e Ekuadorit identifikoi zyrtarisht Dritan Gjikën si drejtuesin e mafias shqiptare në vend, pas një bastisjeje në një banesë luksoze në Guayaquil. Që atëherë, ai ishte në arrati, deri në arrestimin e sotëm në Abu Dabi.
Aktualisht, Dritan Gjika mbetet në pritje të ekstradimit, ndërsa autoritetet ndërkombëtare theksojnë se ky operacion është një goditje e madhe për trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe strukturat e krimit të organizuar me rrënjë shqiptare në Amerikën Latine.