Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu thotë se ushtria shqiptare së shpejti do të pasurohet dhe me dy avionë, të cilët do jenë edhe për përdorim ushtarak.
Vengu përmendi edhe marrëveshjen e firmosur mes kompanisë ushtarake shtetërore të Shqipërisë, KAYO, dhe kompanisë izraelite elitare në fushën e mbrojtjes, Elbit Systems Ltd., për themelimin e Akademisë e Aviacionit.
“Ne jemi duke finalizuar procesin për blerjen e 2 avionëve, avionë për përdorim të dyfishtë, civil-ushtarak, përdorim parësor për shuarjen e zjarreve”, tha Vengu.
Për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5% të buxhetit, kërkesë kjo e Administratës Trump, Vengu tha se Shqipëria po punon për arritjen e këtij objektivi në një periudhë 10-vjeçare.
“Në përgatitjet për samitin e NATO-s në Hagë, padyshim që tema kryesore do jetë rritja e buxheteve në atë ambicie të artikuluar nga Presidenti Trump, në një periudhë 10-vjeçare, 5%. Shqipëria është angazhuar padiskutim që do t’i bashkohet këtij qëllimi që në këtë 10-vjeçar ta zbatojmë”, u shpreh ai në një intervistë televizive.