Kryeministri Edi Rama është pyetur për herë të parë lidhur me arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta me akuza nga SPAK-u.
E njëjta pyetje i është bërë edhe presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen gjatë konferencës së përbashkët për media, e të dy kanë refuzuar ta komentojnë.
Teksa Von der Leyen vlerësoi progresin e reformës në drejtësi në përgjithësi, Rama tha se nuk komenton proceset gjyqësore, me përjashtim kur ato janë përfundimtare dhe për çështje si “shpifja”, duke iu referuar burgosjes së deputetit Ervin Salianji.
Von Der Leyen: Nuk bëj komente për procese gjyqësore, ne bashkëpunojmë me Shqipërinë, por kjo nuk ka të bëjë me raste. Ne shohim përparimin dhe siç e shohim të gjithë Shqipëria ka avancuar, ka bërë përparime të rëndësishme.
Edi Rama: Ju e dini përgjigjen, unë asnjëherë nuk bëj komente të politikës së brendshme në prani të miqve të huaj, por edhe për faktin që qëkur e kemi nisur reformën në drejtësi, as unë dhe as forca politike që unë udhëheq, nuk bëjmë komente. Kur ndodh për çështje që përmbyllen, mbase dhe ia vlen një koment, sidomos kur vihet drejtësia për çështje si shpifja. Pr rastin konkret, është një çështje që i takon vetëm drejtësisë.