Përplasje spiunësh në Ballkan, zbulohet skenari: MI6 luftë ndaj Rusisë në Serbi, Kosovë dhe Bosnje

Një përplasje e fortë spiunazhi lindje-perëndim paralajmërohet në Ballkan. Gazetari rus, Igor Korotçenko, njëkohësisht ekspert ushtarak dhe kryeredaktor i revistës “Mbrojtja Kombëtare”, duke cituar burime të tij, pretendon se “Britanikët do t’i përgjigjen Rusisë në mënyrë asimetrike – dhe jo vetëm përmes Ukrainës, por edhe në Ballkan (Serbi, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë)”.

Ai ndjek linjën e Beogradit me akuzën ndaj perëndimit se ka për qëllim një grusht shteti në formatin e “revolucionit me ngjyra”, për të sjellë opozitën serbe në pushtet.

“MI6 ka pozicione të mira operacionale në Ballkan, agjentë të kualifikuar, rezidentë me përvojë (disa madje kanë përvojë operacionale në pozicione drejtuese nga Ambasada Britanike në Moskë).

Çështja kryesore është aftësia, para së gjithash, e Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA) për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të neutralizuar aspiratat e agjencive të inteligjencës perëndimore, përfshirë MI6”, shprehet Igor Korotçenko nga Mbrojtja Kombëtare në Rusi.

Ai justifikon në njëfarë mënyrë dhe autoritetet serbe, duke pretenduar se “pas shkarkimit të kreut të BIA-s, Aleksandar Vulin nga posti i tij, u bë i mundur eksporti i produkteve ushtarake serbe (përfshirë municionet) në Ukrainë, duke përdorur certifikata të rreme të përdoruesve të fundit dhe vendet ndërmjetëse, gjë që detyroi Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme ruse të bënte një deklaratë të veçantë për këtë çështje”.

“Retë po mblidhen mbi kreun e shefit të operacioneve të BIA-s, një nga krerët më me përvojë të inteligjencës serbe, Marko Parezanoviç, largimi i të cilit nga sistemi i sigurimit shtetëror serb është sot një objektiv kyç si i MI6, ashtu edhe i një numri agjencish të tjera të inteligjencës perëndimore”, tha ai.

Ndërkohë, më herët, zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, kërcënoi Serbinë me pasoja të rrezikshme lidhur me dërgimin e armëve në Ukrainë.