“Trekëndëshi i Bermudës” në ankth, pas Metës e Berishës kambanat e prangave të SPAK po bien edhe për Edi Ramën

Në një periudhë që po karakterizohet nga tensione të forta politike dhe një klimë të rënduar të pasigurisë, Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për të ardhmen e saj. “Trekëndëshi i Bermudës”, përfaqësuar nga figurat kryesore të politikës shqiptare si Ilir Meta, Sali Berisha dhe Edi Rama, duket se po shikon përmbysjen e një status quo-je që ka mbizotëruar për mbi dy dekada.

Pasi Prokuroria Speciale Antikorrupsion (SPAK) hodhi dritë mbi skandalet e pasurive të dyshimta dhe lidhjet e ngushta me korrupsionin shtetëror për çiftin Meta-Berisha që po hetohen nga prokurorët specialë për disa afera, kambanat e prangave që ranë mbi dy prej emrave më të shquar të politikës shqiptare, pritet të shkundin themelet e një sistemi të ndërtuar mbi korrupsionin dhe inkriminimin në vendin tonë, ku i rrezikuari kryesor është kryeministri Edi Rama. Paralajmërimin e ka bërë dje kreu i Partisë Demokratike- Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në rrjetet sociale.

“Teatri i shëmtuar që bëhet herë në parlament e herë jashtë tij, nuk fsheh dot ankthin që ka kapur ‘Trekëndëshin e Bermudës’ nga çfarë e pret, për shkak të abuzimeve me pronat, taksat dhe besimin e shqiptarëve. Tani kambanat bien për Edi Ramën, si maja e një pushteti të korruptuar dhe të lidhur me krimin, që i shërben një pakice dhe jo qytetarëve”, shkroi dje Basha.

Mesazhi i Bashës

Por paralajmërimi i Lulzim Bashës për një “cunam” që do të përfshijë politikanët e lidhur me krimin dhe korrupsionin nuk është thjesht një kërcënim retorik, por është një shenjë e një fundi të mundshëm të një ere politike që ka ngulfatur Shqipërinë për shumë vite. Lidhjet e thella të politikanëve me botën e krimit të organizuar dhe fuqia e treguar për të kontrolluar proceset gjyqësore dhe të hetimit, duket se po bien një nga një, pasi drejtësia e re e pavarur është futur në një duel të hapur me strukturat e pushtetit.

Dhe në këtë lojë të rrezikshme, Edi Rama, i cili ka mbajtur pushtetin për më shumë se një dekadë, duket se është gjithashtu në shënjestër të hetimeve. Në një moment kur politikanët e korruptuar dhe ata të lidhur ngushtësisht me krimin po përballen me kërcënimin e drejtësisë, Shqipëria po kalon një moment të rëndësishëm për të shpëtuar nga kangjellat e së kaluarës dhe për të pasur mundësinë e një të ardhmeje më të pastër dhe të drejtë.

Por si do të zhvillohet ky “cunam juridik” i paralajmëruar nga zoti Basha dhe çfarë do të ndodhë me sistemin politik që ka mbajtur peng zhvillimin e vendit? Vetëm koha do ta tregojë, por tensionet janë të pranishme dhe kur vjen fjala për të shpëtuar politikën dhe shtetin nga kalbësira e korrupsionit, asnjë figurë e rëndësishme nuk është e paprekshme.

Reforma në Drejtësi dhe SPAK

Ndërkohë po dje, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat nga oborri i Kuvendit ritheksoi nevojën për të mbështetur drejtësinë e re dhe në veçanti ndaj SPAK në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Basha theksoi se ai dhe demokratët euroatlantikë e kanë treguar me fakte mbështetjen ndaj SPAK, pasi prej një viti më parë ka depozituar Kuvendin e Shqipërisë amendamente që mundësojnë plotësimin e nevojave të shprehura nga drejtuesit e këtij institucioni.

Ai më tej tha se Edi Rama pengon sjelljen në Parlament, diskutimin dhe votimin e këtyre propozimeve, sepse sipas tij, Rama dhe qeveria e tij tashmë janë në konflikt të hapur interesi me punën e përditshme të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion. “Reforma në drejtësi kaloi në vitin 2016 vetëm në saj të mbështetjes të jashtëzakonshme dhe presionit të aleatëve euroatlantikë, të cilët realizuan në Shqipëri një reformë standarde për çdo vend anëtarë të Bashkimit Europian. Tashmë në fazën e anëtarësimit, një reformë e cila synon t’i jap fund pandëshkueshmërisë dhe trajtimit të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian si çifligje të një grushti politikanësh që pasi marrin pushtetin, nuk dinë të largohen dhe abuzojnë me besimin e qytetarëve, me fondet publike dhe me institucionet e shtetit.

Fakti është se Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion në veçanti ka provuar se kjo reformë është jetike për të goditur pandëshkueshmërinë dhe për të vënë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë dhe besimin e qytetarëve shqiptarë. Mbështetja ime dhe mbështetja jonë për reformën në drejtësi është e gjithëanshme dhe e pakushtëzuar prej momentit të zbatimit të atyre parimeve që mundësojnë një drejtësi të pavarur nga politika dhe këtë e kemi provuar me dorëzimin e një viti më parë të amendamenteve në Kuvendin e Shqipërisë, pas dëshmive të drejtuesve të SPAK-ut për të mbështetur SPAK-un me fonde, me infrastrukturë, me burime njerëzore dhe me ndryshime legjislative që mundësojnë që SPAK-u të bëjë detyrën duke vënë para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me pasuritë e shqiptarëve.

Fakti është që një vit pas këtij akti, pra jo fjalëve, por aktit, Edi Rama pengon sjelljen në këtë sallë dhe diskutimin dhe votimin e këtyre propozimeve, sepse Edi Rama dhe qeveria e tij tashmë janë në konflikt të hapur interesi me punën e përditshme të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion. Ndaj, për qytetarët shqiptarë besoj është e qartë, por dua ta përsëris edhe njëherë nga njëra anë vullnetin tonë për të ecur përpara me mbështetjen totale ndaj SPAK-ut sot dhe nesër kur ky Parlament nga votat e qytetarëve.

Dhe nga ana tjetër i bëj dhe njëherë thirrje Edi Ramës t’i jap fund hipokrizisë. Nëse ka një grimcë të vërtete në ato që thotë në mbështetje të SPAK-ut dhe reformën në drejtësi, t’i jap fund sulmeve të hapura dhe të fshehta kundër SPAK-ut dhe të sjell votim në Kuvendin e Shqipërisë një vit pasi janë depozituar nga ne amendamente të cilat ndihmojnë SPAK-un të bëjë punën e vet i papenguar nga qeveria, i papenguar nga politika e të korruptuarve”, deklaroi Basha gjatë një prononcimi për mediat nga oborri i Kuvendit.