Mbretëresha Máxima e Holandës, tërhoqi vëmendjen dhe admirimin e të gjithëve në Samitin e NATO-s që u mbajt në Hagë, me paraqitjen e saj elegante dhe zgjedhjen e guximshme të ngjyrës së veshjes.
E shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Mbreti Willem-Alexander, çifti mbretëror mirëpriti liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s në pallatin Huis ten Bosch në Amsterdam.
Në mesin e të ftuarve ishin Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrtra nga vendet e tjera të botës, mes të cilëve dhe kryeministri Rama.
Sipas New York Post, kjo është hera e parë që Holanda pret një Samit të NATO-s. Mbretëresha, me origjinë argjentinase dhe e njohur për ndjeshmërinë e saj ndaj stilit, kishte zgjedhur një jumpsuit ngjyrë jeshile të hapur nga Natan Couture.
Një stoli me diamant nga koleksioni personal i Mbretëreshës Emma zbukuronte një nga supet e saj, ndërsa pamja kompletohej me vathë të spikatur dhe taka të larta nga Gianvito Rossi.
Në krah të çiftit mbretëror ishte edhe vajza e tyre 21-vjeçare dhe trashëgimtare e fronit, Princesha Catharina-Amalia, në paraqitjen e saj të parë publike pas një aksidenti gjatë kalërimit. Ajo kishte zgjedhur një fustan të gjatë të zi nga Ralph Lauren.
Pas ceremonisë së pritjes, liderët e NATO-s pozuan për fotografinë zyrtare familjare, përpara se të darkonin me çiftin mbretëror në sallën madhështore Oranjezaal të pallatit.
Vlen të theksohet se që prej vitit 2019, Huis ten Bosch është rezidenca zyrtare e familjes mbretërore holandeze. Pallati daton që nga viti 1645, por ka kaluar në një proces tërësor rinovimi pas largimit të ish-mbretëreshës Beatrix në vitin 2014, siç raportoi Dutch News.
