Berisha zhduk nenin që detyron kryetarin të largohet pas humbjes

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër këtë të martë, duke publikuar pamje të reja që sipas tij vërtetojnë manipulime dhe parregullsi serioze në zgjedhjet e 11 majit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha akuzon komisionerët zgjedhorë për përfshirje në veprime kriminale që deformuan vullnetin e qytetarëve.

“Ja, shiheni këtë vajzën, kriminele elektorale, komisionere në detyrë. Shikoni se çfarë bën, një nga një shkon dhe voton me zgjedhësit. Komisionerja kontrollon çdo votë,” shprehet Berisha, duke komentuar pamjet e publikuara. Ai vijon më tej: “Edhe ky komisioner kontrollon çdo votë. Pra, votojnë komisionerët. Vazhdojnë kontrollin… voton për të. Tani fut edhe ndonjë tjetër vetë ky. Tani komisioneri. Dy fletë…”

Sipas Berishës, këto veprime përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të asaj që ai e cilëson si “aktet kriminale të votimit më 11 maj”. Ai thekson: “Kurrë këto zgjedhje nuk përligjen dhe jam i bindur se shqiptarët do i japin Edi Ramës, si armiku më i egër i lirive të tyre, atë që meriton, sa më shpejt.”

Në një deklaratë që prek edhe aspektin statutor të funksionimit të partisë, Berisha ka zyrtarizuar që neni i njohur si “neni Basha” i cili parashikon largimin automatik të kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve nuk do të zbatohet në këtë rast, pasi sipas tij, më 11 maj nuk ka pasur zgjedhje të mirëfillta, por një farsë.

“Statuti bën fjalë për zgjedhje, jo për farsë. Mos e keqinterpreto statutin. Nëse statuti do të shkruante për farsë, unë mund të jap dokumente origjinale që dëshmojnë vetëdijen e Sali Berishës për farsën. Nëse unë do të kisha shkruajtur farsë, jam dakord me ty, por nuk kam shkruar farsë, por zgjedhje,” theksoi Berisha në një deklaratë për mediat.