Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë, Hajrulla Çeku deklaroi se është kërcënuar me jetë nga serbët.
Çeku tha se kërcënimet i janë bërë me mesazh në rrjetet sociale, por edhe në mënyrë private, të cilat përmbajnë ndër të tjera, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes.
Ai tha se këto kërcënime kanë ardhur pas reagimit ndaj flamurit, ku gjendej harta e Kosovës me ngjyrat e Serbisë, shpalosur fillimisht nga tifozët serbë në Botërorin “Katar 2022” dhe më pas nga futbollistët serbë në dhomat e zhveshjes.
“Janë mesazhe, të cilat janë dërguar edhe në hapësirën publike të rrjeteve sociale, të profileve, por edhe private, të cilat përmbajnë fyerje, gjuhë të urrejtjes, por edhe kërcënimeve direkte, si pasojë e asaj që ka ndodhur dhe reagimet që kemi pasur si institucione dhe si shoqëri, në raport me aktin skandaloz të ekipit të futbollit të Serbisë në Botërorin e Katarit. Me një flamur i cili nuk ishte vetëm simbol nacionalist, për më tepër, një veprim shovinist, një pretendim i qartë pushtues, një aspiratë territoriale e Serbisë në raport me Repulikën e Kosovës.
Pas këtyre reagimeve dhe sensibilizimit të opinionit botëror, përfshirë edhe FIFA-n dhe nisjes së procedurës disiplinore ndaj Serbisë, si pasojë erdhën edhe këto mesazhe me përmbajtje shumë problematike. Për hir të së vërtetës, nuk është diçka e re, sepse gjuhë të tillë ekstremiste nga Serbia, kemi pasur edhe në të kaluarën. Këtu targetohen edhe zyrtarë të shtetit të Kosovës, edhe intelektualë publikë, edhe shoqëria civile. Për mua, është edhe një dëshmi se shovinizmi serb është rreziku më i madh për paqen, stabilitetin dhe demokracinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai në një intervistë për “Euronews”.