SHKODËR/BARI – Një alarm i kuq është ngritur për zhdukjen e 37-vjeçarit shqiptar, Florind Luka, i cili ka humbur kontaktet me famiIjen e tij prej më shumë se një jave. Familjarët nga Shkodra, të gjendur në një situatë të rëndë emocionale, kërkojnë ndihmën e çdo qytetari që mund të ketë informacion në Shqipëri apo Itali.
Ku u pa për herë të fundit?
Sipas informacioneve zyrtare, Florindi është parë për herë të fundit të mërkurën, më 22 prill, rreth orës 10:00, në daljen doganore të portit të trageteve në Bari, Itali. Që nga ai moment, telefoni i tij ka rezultuar i fikur dhe asnjë kontakt nuk është vendosur me të afërmit.
Detajet për identifikimin
Familja vë në dispozicion këto të dhëna fizike dhe mjetin me të cilin ai po udhëtonte:
Gjatësia: Rreth 180 cm.
Karakteristikat: Flokë kafe të çelët, mjekër të shkurtër dhe sy kafe.
Aksesore: Zakonisht mban syze dielli.
Automjeti: Udhëtonte me një Golf 5 Plus, ngjyrë gri të çelët, me targë DE046DH.
Apeli i familjes
“Jemi në hall të madh! Ka një javë që kemi humbur çdo kontakt. Florindi është baba i dy fëmijëve dhe familja po e pret në Shkodër me ankth. Ju lutem shpërndajeni sa më shumë, çdo informacion mund të jetë jetik për ne!” – është mesazhi prekës i të afërmeve.
Ka pasur tashmë një denoncim zyrtar për zhdukje dhe autoritetet janë vënë në lëvizje.