Dalin detajet, si u zbuIua Sokol Hoxha, 30 vjet pasi vrau grυan që nuk donte të bënte ρrost*tυtën dhe 2 vëllezër

Në vitin e mbrapshtë 1997, Sokol Hoxha ishte vetëm 22 vjeç. Lindur dhe banues në lagjen 1 Maji të Patosit në Fier, ai u martua shpejt me një vajzë 3 vjet më të vogël.

Por martesa nuk shkoi mirë. Dyshimet ishin se ai u përpoq që ta kthente në prostitutë, por ajo nuk u dorëzua dhe gjërat më pas precipituan derisa Sokoli e vrau të shoqen, në Bruksel në gusht 1997.

Por më herët, në mars 1997 para se të arratisej për në Belgjikë, ai kishte vrarë dhe 2 vëllezër.

Pas vrasjes së gruas në Bruksel ai u arratis në Angli, ku përdori identitet të rremë, duke pretenduar në mënyrë mashtruese se ishte refugjat nga Kosova, gjë që i lejoi të kërkonte azil dhe në fund shtetësi britanike.

Vite më vonë ai u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku së fundi qëndroi në Kettering, Ohajo. Pikërisht këtu nisi e tatëpjeta e tij.

Për gjashtë vite me radhë ai ishte nën hetim dhe vëzhgim. Derisa më 5 maj 2026, një ekip i zyrës për Kapjen e të Arratisurve (SOFAST) i Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së (USMS) i Ohajos Jugore, së bashku me Zyrën e Imigracionit dhe Doganave (ICE), USMS INTERPOL të Uashingtonit dhe Departamentin e Policisë së Kettering, Ohio, e gjetën dhe arrestuan Sokol Hoxhën.

Por arrestimi u bë me akuzën se ishte gjetur në shkelje të ligjit të imigracionit edhe pse ai në 2012 kishte marrë statusin e rezidentit të përhershëm dhe të ligjshëm në SHBA.

Më pas dolën andrallat e tjera. Ai u njoftua se ishte subjekt i një Njoftimi alert të Kuq të INTERPOL-it të lëshuar me kërkesë të Belgjikës bazuar në një dënim për vrasje të qëllimshme (në mungesë) për vrasjen e gruas së tij 19-vjeçare në Bruksel në gusht 1997.

E ndërkohë, Hoxha ishte gjithashtu subjekt i një njoftimi për person të kërkuar nga INTERPOL-i të lëshuar nga Shqipëria bazuar në një dënim (në mungesë) për vrasjen e dy vëllezërve në mars 1997 në Patos.

Hoxha kishte qenë në arrati nga drejtësia që kur u kryen vrasjet. Kaluan plot 29 vjet derisa ai të kapej. Dhe për gati tre dekada, Sokol Hoxha jetoi në liri edhe pse kishte bërë tre vrasje.