Ja si u zbuIua vila në pronësi të Belinda Ballukut në bashkëpunim me Viola Haxhiademin, si është zhdukur nga hetimet

Ja si u zbulua vila në pronësi të Belinda Ballukut në bashkëpunim me Viola Haxhiademin, si është zhdukur nga hetimet dhe mediat prona e Maksim Hetemajt
Prokurorët e Posaçëm (SPAK) kanë konfirmuar, se si vila në bregdet është produkt i një afere korruptive, që Belinda Balluku e ka përfituar fal një tenderi 1 milionë euro kur mbante postin e drejtoreshës së Albcontrol, dhe në këtë rast regjistrimi i u bë duke përdorur Igli Taren dhe një prej bashkëpunëtoreve të saj më të ngushta Joana Bushin. Në njoftimin zyrtar SPAK konfirmon se ndjekja e hetimeve me metoda speciale, grumbullimi i provave dixhitale dhe provave të tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, rezultojnë të dhëna për fakte penale të reja në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Rasti korruptiv lidhet me tenderin me objekt “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88,651,633 (tetëdhjetë e tetë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) lekë, si dhe “Shtesë kontrate për ‘Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve’”, me vlerë 14,161,814 (katërmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH. Në lidhje me këtë procedurë, rezulton se shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme, në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi, me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit S.P., E.N. dhe A.M., kanë paracaktuar fituesin e këtij tenderi.

Këto veprime lidhen me fazën e përgatitjes së projektit dhe zhvillimit të procedurës, në përcaktimin e kritereve dhe miratimin e dokumenteve të tenderit, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k. Favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj. Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “Ëhite Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k. Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”.

Vila

Pra siç thekson SPAK, ka prova të reja që konfirmojnë se Belinda Balluku përkundër dhënies së këtij tenderi në vlerë mbi 1 milionë euro ka kërkuar si ryshfet vilën në bregdet. Jo vetëm korrupsion, por SPAK akuzon ish/zv-kryeministren edhe për Pastrim Parash, duke fshehur dhe regjistruar në emër të personave të tjerë përfitimet e korrupsionit. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë. Pasuria e vendosur nën “sekuestro preventive” përbëhet nga një “Vilë individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6, parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m2. Vila F6, brenda kësaj parcele, ka një sipërfaqe prej 103m2 (kati përdhe 54 m2 dhe kati i parë mbi përdhe 49 m2). Vila F6 ka edhe verandën 34m2. Vendparkimi ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës.

[Referuar kontratës së porosisë me nr.1059 rep, nr.650 kol, datë 05.12.2018] Siç konfirmohet nga kontrata e porosisë, fill pas emërimit të Belinda Ballukut si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të shpërblehej dhe pushonte në vilën e siguruar nga korrupsioni, si bashkëpunëtore e Edi Ramës. Në vijim të hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë.

Për të fshehur këtë pasuri, produkt të korrupsuionit, Belinda Balluku ka përdorur një nga njerëzit e saj më të afërt për shumë vite, ish-futbollistin Igli Tare. E bashkë me të, SPAK akuzon edhe ish-shefen e kabinetit të Ballukut, Joana Bushi, një prej personazheve kyç të karrierën dhe aferat e ish. Zv/ kryeministres. Rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059, datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit Igli Tare dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit Pandeli Carapuli. Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, Igli Tare dhe Jona Bushi, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024.

Vila e vartëses së Ballukut dhe misteri i pronës së Maksim Hetemajt

Vila me nr.F6 ndodhet në një nga zonat elitare të Dhërmiut. Ndërsa ngjitur me vilën e Ballukut, burime bëjnë me dije se dyshohet se është dhe vila e vartëses së saj, Viola Haxhiademi, me detyrë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, si edhe vila tjetër e Maksim Hetemajt ish-drejtor në Albcontrol, tashmë Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil. Për këtë të fundit hetimet dhe mediat kanë qenë të heshtura pasi askush deri më sot nuk e ka përmendur pronën e Hetemajt të dyshuar të fituar nga korrupsioni si pjesë e “bandës Balluku”.

Hetimet

Nga ana tjetër sinjalizimi që besohet se ka ardhur në SPAK nga një ambasadë e huaj që vepron në Shqipëri, sqaronte se vila luksoze i ishte dhuruar Belinda Ballukut, nga biznesmeni Pandeli Carapuli. Por hetimi i thelluar i kryer gjatë këtyre muajve ka nxjerrë zbuluar manovrat e përdorura nga zyrtarja e lartë, Belinda Balluku. Teksa kompania e Carapulit ka fituar dy tenderat, kanë filluar të rrjedhin dhe pagesat financiare nga “Albcontrol” tek shoqëria “Eurocol”. Mirëpo në pamundësi për të marrë vilën luksoze në emrin e saj apo familjarëve të afërm, Belinda Balluku në atë kohë drejtoreshë,ka zgjedhur një figurë të njohur të sportit Shqiptar dhe ai Italian. Vlera e kësaj kontrate porosie të firmosur mes Tares dhe Carapulit në atë kohë ishte 145 mijë euro. Verifikimet e kryera nga SPAK, kanë zbuluar se Igli Tare ka paguar përmes një banke të Nivelit të Dytë në Shqipëri, shumën 70 mijë euro. Ndërsa pjesa tjetër e mbetur si diferenca prej 75 mijë euro, nuk ka asnjë gjurmë se në çfarë mënyre është paguar, pasi nuk ka një transaksion bankar.

Hetimi i SPAK ka provuar se Tare nuk e ka paguar vetë shifrën 70 mijë euro, por ka autorizuar me prokurë vëllain e tij, Agron Tare, që të kryente transaksionin 70 mijë euro në bankë. SPAK, pretendon se Tare nuk ka qënë asnjëherë dhe ska jetuar në vilën luksoze në Gjilekë. Dhe këtë fakt grupi i hetimit e mbështet në deklarimet e punonjësve të kompleksit, mirëmbajtësit e vilës, që tregojnë se në atë pasuri nuk e kanë parë kurrë, Igli Taren. Sipas punonjëse në këtë pasuri vinte Belinda Balluku dhe ata e kanë krijuar bindjen se vila i përkiste pikërisht kësaj zyrtare. Gjithashtu, Igli Tare, nuk është marrë fare as me mobilimin dhe arredimin e kësaj Vile luksoze, pasi me një gjë të tillë është marrë vetë, Belinda Balluku dhe familjarët e saj.

Një fakt i tillë sipas dosjes së SPAK, është provuar nga gjetja e komunikimeve me shkrim, mesazheve zanore dhe fotografive në telefonat e personave në hetim, ku faktohet qartazi që mobilimin e ka ndjekur Balluku dhe rrethi i saj miqësor. Ndërkohë kur kishin kaluar 3 vite e 5 muaj nga firmosja e kontratës së porosisë me Carapulin dhe kur Igli Tare, nuk kishte shkuar asnjëherë të shikonte vilën luksoze që kishte blerë, çuditërisht ai firmos një kontratë dore jo para noterit, ku pranonte që i jepte me qera pasurinë vilën F-6, shtetases Joana Bushi. Mësohet se SPAK, nuk ka konstatuar mandate pagesash apo transaksione bankare të kryera nga Joana Bushi në drejtim të llogarive bankare të ish-futbollistit, Igli Tare. Është pretenduar se pagesat janë bërë në rrugë informale. Por pavarësisht se juridikisht në letra prona është në emër të Igli Tares dhe ky i fundit nuk ka shkuar asnjëherë, por ja ka lënë me qera Joana Bushit, vilën luksoze e gëzon Belinda Balluku dhe familjarët e saj. Ndaj prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, në datën 3 qershor 2026 vendosën të sekuestrojnë këtë vilë, si të provuar se i përket, Belinda Ballukut.

Ndryshon Kodi Rrugor, heqje patente përgjithmonë për këta shkeIës; masa të rrepta për telefonët

Kuvendi miratoi paketën e re të masave që ashpërson ndëshkimet për drejtimin nën efektin e alkoolit, përdorimin e celularit dhe shkeljet e shoferëve pa patentë.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 84 vota ndryshimet në Kodin Rrugor, një paketë e gjerë masash që synon rritjen e sigurisë në rrugë dhe ashpërsimin e ndëshkimeve për shkelësit.

Ndryshimet, të propozuara nga deputetët socialistë Erion Braçe dhe Ulsi Manja, sjellin rregulla të reja për shoferët e rinj, masa më të forta ndaj drejtuesve që kapen në gjendje të dehur dhe ndëshkime më të ashpra për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjeteve.

Një nga risitë kryesore të ligjit është heqja e përhershme e patentës për drejtuesit që kapen përsëritës duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit. Sipas ndryshimeve të miratuara, nëse një shofer konstatohet me mbi 0.5 gram alkool për litër gjak dhe është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, në rast përsëritjeje do t’i hiqet përgjithmonë leja e drejtimit.

Ligji vendos gjithashtu një regjim të posaçëm prove për shoferët e rinj gjatë dy viteve të para pas marrjes së patentës. Për këtë kategori parashikohet tolerancë zero ndaj alkoolit, kufizim shpejtësie deri në 90 km/h në autostrada dhe 80 km/h jashtë qendrave të banuara, si dhe ndalim qarkullimi nga ora 24:00 deri në 06:00 pa një shoqërues që disponon patentë prej të paktën tre vitesh.

Shkelja e këtyre rregullave do të dënohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh. Nëse shoferi i ri kryen dy shkelje, periudha e provës do të zgjatet edhe me një vit tjetër.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me përdorimin e telefonit celular. Ndalimi nuk do të vlejë më vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për ata që përdorin biçikleta, motomjete deri në 50 cc dhe monopatina me motor.

Paketa e re ashpërson edhe masat ndaj personave që drejtojnë mjetin pa patentë. Përveç pasojave penale, personat e kapur pa leje drejtimi nuk do të mund të regjistrohen në autoshkollë për një vit. Për të miturit, ndalimi do të zgjasë deri në dy vjet nga momenti kur fitojnë të drejtën ligjore për të aplikuar për patentë.

Po ashtu, Kuvendi miratoi rritjen e gjobave për manovrat e rrezikshme dhe agresive në rrugë. Ndëshkimet për ndryshimet e shpeshta të korsive pa sinjalizim, sjelljet agresive dhe veprimet që krijojnë rrezik për përdoruesit e rrugës rriten nga 10-40 mijë lekë në 20-60 mijë lekë.

Sipas propozuesve, ndryshimet synojnë uljen e numrit të aksidenteve, rritjen e sigurisë rrugore dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane në këtë fushë.

Ndryshimet e propozuara:

Neni 6

Në nenin 127, pika 3.1, bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “shkelur.” hiqet fjalia “I njëjti rregull aplikohet edhe për lejet e drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar në rastin kur kundërvajtësi jep pëlqimin.”

Neni 7

Në nenin 139 bëhen këto ndryshime:

Në pikën 5, pas togfjalëshit “shpejtësi” shtohen fjalët “duke sjellë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës, sidomos në zonat urbane, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në rrugë”.

Në pikën 7 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “tërheqëse” hiqen fjalët “të barrës dhe të shalës”.

Në pikën 8 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Masa e gjobës “nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë” bëhet “nga njëzet mijë deri në gjashtëdhjetë mijë lekë”.

Para nenit 5 të projektligjit shtohen nenet 9 dhe 10 me këtë përmbajtje, ndërsa neni 5 rinumërohet neni 11:

Neni 9

Titulli i nenit 171 ndryshohet nga “Përdorimi i syzeve optike dhe i aparateve të tjera gjatë drejtimit të mjetit” në “Përdorimi i aparateve telefonike dhe i pajisjeve digjitale të komunikimit, i syzeve optike dhe i pajisjeve të tjera gjatë drejtimit të mjetit”.

Në nenin 171, pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2 me këtë përmbajtje:

“2.1 Ndalohet gjithashtu përdorimi i telefonit celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve të tjera, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 ç dhe monopatinat me motor.

2.2 Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është vendosur kushti për korrigjimin e të metave organike ose të aftësive të ulëta anatomike a funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.”

Në pikën 4, pas togfjalëshit “neni”, fjalët “tre herë brenda të njëjtit vit” zëvendësohen me fjalët “dy herë brenda të njëjtit vit”.

Neni 10

Në nenin 184, pas pikës 11 shtohet pika 11.1 me këtë përmbajtje:

“11.1 Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat e këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjakun e drejtuesit të mjetit dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.”

Radhë kiIometrike në Kapshticë, mijëra qytetarë bllokohen në kufi

Fluksi i lartë i lëvizjeve në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës ka sjellë radhë të gjata dhe vonesa për udhëtarët që kalojnë drejt Greqisë.

Në pikën kufitare të Krystallopigi-t, përballë Kapshticës, janë krijuar kolona automjetesh që tejkalojnë dy kilometra, ndërsa udhëtarët detyrohen të presin më shumë se një orë për të përfunduar procedurat e kalimit.

Sipas informacioneve nga terreni, Policia Kufitare greke po punon me sportele të reduktuara, ndërsa procesi është ngadalësuar edhe nga zbatimi i sistemit të ri të kontrollit, i cili përfshin marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimin e fytyrës për çdo udhëtar.

Situata ka ngritur shqetësime në prag të sezonit turistik veror, kur pritet një rritje e mëtejshme e fluksit në pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë

Protestuesit e ftojnë t’u bashkohet, SpiropaIi i dërgon një ”mesazh të koduar” Ramës (Video)

Protesta e kësaj të enjteje ishte ndryshe nga ditët e tjera, pasi protestuesit u mbIodhën përpara Kuvendit, ndërsa në sallë po mbahej seanca e radhës plenare.

Pas përfundimit të seancës, deputetët dolën nga hyrje të tjera, pasi hyrja kryesore ishte e bllokuar nga protestuesit. Ish-ministrja dhe deputetja e PS-së, Elisa Spiropali, zgjodhi të dilte nga një hyrje tjetër, por sërish nuk u ka shpëtuar protestuesve.

Këta të fundit i bënë një ftesë publike Spiropalit që t’u bashkohej protestës së tyre, e cila këtë të enjte ka hyrë në ditën e 19-të.

Ndërsa përgjigjja e deputetes socialiste ishte: “Të gjithë kanë të drejtë të protestojnë”.

Kujtojmë që deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë mbetur të bllokuar për disa momente në oborrin e institucionit, pasi protestuesit kanë mësyrë befasisht nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, drejt rrugës “Xhorxh Bush”.

Kryetari Niko Peleshi ka mbyllur me urgjencë seancën plenare, ndërsa protestuesit kanë arritur me shpejtësi në shëtitoren përpara Kuvendit të Shqipërisë.

Menjëherë, Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit kanë shtuar masat e sigurisë, për të shmangur çdo përplasje të mundshme, ndërsa turma thërriste në kohë “ju erdhi fundi” dhe “jepni dorëheqjen”.

Vlen të theksohet se ky episod është mbyllur pa asnjë përplasje, pasi kryeministri dhe deputetët janë larguar me shpejtësi me makinat e tyre, duke devijuar nga rrugët ku ishte turma.

VIDEO

“Se ti je dhe greke” – Rama përplaset me gazetaren e CNN: Mos shko aty, nuk je e besueshme. Keni nevojë të rehabiIitoheni

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin Botëror Future Investment Initiative (FII), në një bashkëbisedim me Eleni Giokos, prezantuese dhe korrespondente e CNN.

Gjatë bashkëbisedimit, Rama pati edhe një përplasje me gazetaren, pasi kjo e fundit e pyeti për projektin në Zvënrnec dhe protestat në Tiranë.

Ai u shpreh se shumica e shqiptarëve e duan projektin dhe ajo që shihet, sipas tij, nuk është ajo që po ndodh.

Rama: Dëgjo, mos shko aty, sepse tani më kujton që je nga CNN dhe më vjen keq ta them, por e kam mësuar në mënyrën e vështirë se ju nuk jeni një burim objektiv. Por fakti që je greke më bën të ndihem i detyruar të mos shkoj aty. Po, toka është blerë nga investitorët. Po, është tokë private. Po, është duke u zhvilluar një vlerësim i ndikimit në mjedis. Po, ende nuk është miratuar asnjë projekt. Po, ende nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi. Po, nuk ka asgjë që duhet të shqetësojë ndonjë ambientalist që mendon drejt.

Dhe po, Shqipëria do të ecë përpara, dhe Shqipëria nuk mund ta shpëtojë Europën vetëm në një gjë: nëse rrjetet sociale vazhdojnë të funksionojnë pa kufizim, Europa do të shembet nga brenda. Dhe atëherë edhe mburojat kundër raketave dhe predhave nuk do të vlejnë, sepse nuk do të ketë më asgjë për të mbrojtur.”

Gazetarja e CNN: Zoti kryeministër, shumë shkurt, Komisioni i BE-së thotë se duhet të respektoni rregullat mjedisore dhe po jep paralajmërime. Keni edhe çështjen e protestave. Si do ta ndryshoni mesazhin që ai të rezonojë me protestuesit dhe të siguroheni që Komisioni Europian të jetë në anën tuaj?

Rama: Kam një lajm për ju. Shumica e popullit shqiptar e do projektin. Qyteti ku do të zhvillohet projekti është, në një shumicë shumë të madhe, në pritje të tij dhe nuk ka protesta. Komuniteti ku projekti do të zhvillohet e dëshiron projektin. Pra, ajo që shihni ju nuk është saktësisht ajo që po ndodh. Zemërimi ekziston, e kuptoj, por kur të zbehet dhe kur t’i dërgoj një ftesë shumë të veçantë CNN-it për të ardhur në inaugurim, të gjithë do të jenë të lumtur. Dhe jam i sigurt se do të jetë një mundësi e shkëlqyer për CNN-in që të rehabilitohet.”

Gazetarja: Të rehabilitohet?

Rama: Të rehabilitohet. Ju keni nevojë për rehabilitim. Keni nevojë për rehabilitim ndaj Shqipërisë, ndaj popullit shqiptar dhe madje edhe ndaj zogjve. E dini, ju duhet një moment rehabilitimi, sepse zogjtë, ujërat, pemët dhe gjithçka tjetër do të jenë shumë më mirë se sa janë sot. Projekti synon të krijojë 25% më shumë sipërfaqe të gjelbër sesa ekziston aktualisht. Sot, ujërat e lagunës janë të ndotura dhe ne do të kemi një sistem krejtësisht të ri për t’i pastruar ato përsëri. Siç thoni ju në Shtetet e Bashkuara: t’i bëjmë ujërat sërish të pastra, jo ‘ta bëjmë Amerikën sërish të madhe’.

Gazetarja: Në rregull!

Rama: Është provokuar kryesisht sepse Kushner dhe Trump, hija pas tyre, mjaftojnë për të bërë që shumë njerëz nga vende dhe kontinente të ndryshme të reagojnë menjëherë. Por sasia e dezinformatave, e videove të rreme, e videove të marra nga protesta në vende të tjera dhe të paraqitura si protesta në Shqipëri, sasia e bot-eve që kanë hyrë aty nga armiku ynë… Ne kemi një armik, i vetmi armik është Republika Islamike e Iranit, dhe ata kanë tre vjet që zhvillojnë një sulm kibernetik të pamëshirshëm kundër Shqipërisë dhe janë përfshirë edhe në këtë çështje.

Kjo sasi çmendurie po gërryen demokracitë tona nga brenda dhe po e çon hapësirën europiane në drejtime që, më shpejt sesa vonë, do të shkatërrojnë plotësisht ndjesinë e politikës, vendimmarrjes dhe kompromisit në këtë pjesë të botës. Prandaj është koha që demokracitë të mos besojnë më se ‘liria e shtrirjes së informacionit’ është një zgjatim i lirisë së shprehjes. Liria e shtrirjes së informacionit është ajo që çdo regjim, përmes propagandës, ka përdorur për të futur gënjeshtrën në çdo mendje.

“M’u Iut për një foto”, Trump ofendon kryeministren italiane, vjen reagimi i fortë i Giorgia Melonit (Video)

La presidente del Consiglio Giorgia Meloni e il presidente degli Stati Uniti Donald Trump al G7 di Evian, 17 giugno 2026. US PALAZZO CHIGI/FILIPPO ATTILI +++FOTO DIFFUSA DALL’UFFICIO STAMPA – USARE SOLO PER ILLUSTRARE OGGI LA NOTIZIA INDICATA NEL TITOLO – NON ARCHIVIARE – NON VENDERE – NON USARE PER FINI NON GIORNALISTICI – NPK+++

Sapo ka nisur një përplasje e re mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila nisi pas publikimit të një bisede telefonike mes Trump dhe një gazetari të emisionit televiziv të La7, “L’aria che tira”.

Trump deklaroi se në samitin e G7, Meloni i kishte “ardhur keq”, pasi sipas tij kishte kërkuar me çdo kusht të bënte një foto me të. Meloni u kundërpërgjigj duke thënë se gjithçka ishte e trilluar dhe e akuzoi Trump se po dëmton marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian.

G7 është takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive të shtatë demokracive më të rëndësishme në botë dhe u mbajt në Francë nga 15 deri më 17 qershor. Këto ditë ka qarkulluar një video ku Trump dhe Meloni shihen duke biseduar të ulur në një divan.

Gazetari i La7, Daniele Compatangelo, i cili e telefonoi Trumpin dhe bisedoi me të, e pyeti se çfarë kishin diskutuar me Melonin. Trump u përgjigj me një ton dukshëm të irrituar: “Ndoshta ajo është e lumtur që unë fola me të! Nuk isha i detyruar të flisja me të!”

Ai nuk tregoi përmbajtjen e bisedës, por shtoi: “Ajo më luti të bënim një foto. E donte patjetër një foto me mua! Nuk do ta bëja, por më erdhi keq për të!”

Telefonata nuk u publikua në versionin origjinal, por vetëm në një version të përkthyer dhe të interpretuar për emisionin. Megjithatë, “L’aria che tira” i vuri në dispozicion gazetës Il Post versionin e plotë në gjuhën origjinale.

Meloni reagoi me një video ku deklaroi se fjalët e Trump janë: “Tërësisht të sajuara.” Ajo shtoi: “Jam sinqerisht e habitur, nuk e kuptoj pse presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet kështu me aleatët e tij.”

Më tej, Meloni tha: “Më vjen keq që ai nuk tregon të njëjtën vendosmëri me armiqtë e Perëndimit, me armiqtë e Shteteve të Bashkuara, ndërsa me liderë të tjerë sillet shumë më i butë.”

Video mbyllet me një deklaratë të fortë: “Por një gjë duhet ta kujtojë: unë dhe Italia nuk lutemi kurrë.”

Presidenti italian Sergio Mattarella telefonoi Melonin për t’i shprehur solidaritetin e tij. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani reagoi me tone të ashpra, duke deklaruar: “Fjalët e rënda dhe fyese të Presidentit Trump ndaj Kryeministres Giorgia Meloni fyejnë të gjithë Italinë.”

Si shenjë proteste, Tajani anuloi edhe një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, e planifikuar për 21 dhe 22 qershor.

Edhe Giovanbattista Fazzolari, nënsekretar i Kryeministrisë dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Melonit, sulmoi Trumpin: “Deliret e Trump për Giorgia Melonin janë vetëm episodi i fundit i sulmeve dhe fyerjeve ndaj liderëve europianë. Nuk kuptohet nëse nga dëshira apo nga paaftësia, ai po shkatërron marrëdhëniet historike mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës.”

Pas muajsh marrëdhëniesh të tensionuara për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, samiti i G7 kishte dhënë sinjale afrimi mes Trump dhe liderëve europianë. Për një kohë të gjatë, Meloni konsiderohej liderja europiane me marrëdhëniet më të mira me Trumpin, por në prill pati një përplasje të papritur mes tyre, e nisur pas kritikave që Trump kishte bërë ndaj Papa Leonit XIV.

Për këtë u fol tërthorazi edhe gjatë G7. Në një video, presidenti i Këshillit Europian, António Costa, afrohet pranë Trump dhe Melonit dhe i pyet: Jeni bërë përsëri miq?”

Meloni përgjigjet: “Kemi qenë gjithmonë.”

Në atë moment Trump i thotë: “Jam ndjerë i braktisur.”

Ndërsa Meloni, duke qeshur, por dukshëm në siklet, përgjigjet: “Nuk është e vërtetë.”/IlPost

“Rama manipuloi shpenzimet për NATO-n”/ Media hollandeze: Zhvillimi i samitit në Shqipëri mund të anuIohet

Tre vende të NATO-s, pas rishikimit të të dhënave, rezulton se kanë shpenzuar më pak për mbrojtjen e tyre sesa ishte rënë dakord, thonë burime të NATO-s.

Çekia, Sllovenia dhe Shqipëria rezultojnë se nuk e kanë arritur minimumin e dakordësuar vitin e kaluar, ndërkohë që ato në fakt duhet të jenë tashmë duke punuar drejt një buxheti shumë më të lartë të mbrojtjes.

DE TELEGRAAF

NATO njoftoi me kënaqësi në mars se të gjitha shtetet anëtare kishin shpenzuar vitin e kaluar 2 për qind të produktit të tyre të brendshëm bruto (madhësisë së ekonomisë së tyre) për mbrojtjen.

Gjatë samitit në Hagë verën e kaluar, kreu i NATO-s, Mark Rutte, kishte ushtruar presion të madh mbi vendet neglizhente që pas shumë vitesh të arrinin atë kufi minimal të premtuar. Përndryshe, ato, si dhe NATO në tërësi, mund të përballeshin me zemërimin e presidentit amerikan Donald Trump.

Disa vende të varfra të NATO-s u përpoqën me shumë mundim të arrinin 2 përqindëshin dhe dukej se ia kishin dalë. Por kontrolli i dokumentacionit nga NATO tregoi se tre vende megjithatë kishin mbetur nën objektiv, thotë një funksionar i lartë.

Për shembull, ato kanë përfshirë në llogaritje shpenzime që nuk lejohen të numërohen. Veçanërisht Shqipëria dhe Sllovenia, sipas një burimi të NATO-s, kanë pasur një rezultat të dobët dhe kanë përfunduar rreth gjysmë pike përqindjeje më poshtë.

Këto tre vende rrezikojnë gjithashtu që edhe këtë vit të mos arrijnë sërish 2 përqindëshin, thonë burime të informuara, dhe shqetësime ka edhe për Hungarinë.

Ndërkohë, ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kërcënon të ndëshkojë aleatët që mbeten pas, si dhe vetë NATO-n, nëse ata vazhdojnë të neglizhojnë detyrimet.

SHBA-të do të dëshironin të zvogëlonin kontributin e tyre, nga i cili financohen, për shembull, selitë qendrore, misionet dhe stërvitjet. Aktualisht ato mbulojnë 15 për qind të buxhetit të NATO-s.

Shqipëria madje mund të ketë frikë se nuk do të lejohet më të organizojë samitin e ardhshëm të NATO-s, thonë burime të mirëinformuara./boldnews.al

“Nuk vi më këtu”/ Sidorela Gjoni i kthehet Albatros Rexhaj: Çohu dhe ik që tani po deshe, avash se mos rrëzohesh

Shkrimtari Albatros Rexhaj është përfshirë në një debat me moderatoren Sidorela Gjoni, në emisionin “Shqipëria Live”.

Gjithçka nisi pasi Rexhaj iu drejtua moderatores duke i thënë se në intervistën që zhvilloi me kryeministrin Edi Rama për protestën, ajo e buIIizoi. Pas debatit, Rexhaj u largua nga studio.

Debati:

Albatros Rexhaj: “Ti Sidorela në atë intervistë e bullizove fund e krye kryeministrin. Ti pate momentin tënd aty dhe e shfrytëzove. E bullizove me deklarata, me fjalë dhe ai të qëndroi ty aty.”

Sidorela Gjoni: “A mund të më thuash cila ishte fjala më e rëndë në atë intervistë?”

Albatros Rexhaj: “Do bëjmë emision të veçantë për të zbuluar cila ishte fjalia më e rëndë. Ai ndenji urtë, ti e bullizove. Po tani hall të flasësh e hall mos flasësh…”

Sidorela Gjoni: “Bullizmi nuk ka kuptimin e fjalës që thua ti. Unë nuk e kam komentuar dhe nuk kam thënë asgjë për atë intervistë.”

Albatros Rexhaj: “Prit tani të të them një fjalë tjetër.”

Sidorela Gjoni: “Jo nuk do flasësh sepse do të të drejtoj unë pyetje njëherë.”

Albatros Rexhaj: “Do flas sepse ndryshe nuk vi më këtu.”

Sidorela Gjoni: “Po ti mund të largohesh që tani. Albatros mund të largohesh që tani.”

Albatros Rexhaj: “Do iki por do them një fjalë…”

Sidorela Gjoni: “Mund të largohesh që tani.”

Albatros Rexhaj: “Po patjetër që tani. Mirupafshim bullizuese. (Çohet nga studio dhe pengohet )

Sidorela Gjoni: Avash se mos rrëzohesh…

Albatros Rexzhaj: Keni mjaftueshëm njerëz që e shajnë Ramën, Mua nuk më bëni dot. Problemin e kemi me njerëzit që mendojnë ndryshe. Mbushni studion me njerëz që vetëm e shajnë Ramën.”

Sidorela Gjoni: “Albatros, unë e mbush studion me njerëz të ndryshëm që mendojnë ndryshe. Dhe faleminderit për shfaqjen fantastike televizive që më dhurove.”

2 ditë para protestës së paraIajmëruar, hiqet pas dy dekadash gardhi i Gjirit të Kakomesë (Video)

Në pIazhin e Gjirit të Kakomesë ishte vendosur prej kohësh një portë, që ndalonte hyrjen e qytetarëve në këtë zonë të lakmuar bregdetare.

Por 2 ditë para protestës që ishte paralajmëruar për heqjen e kësaj porte dhe për ‘çlirimin’ e Plazhit të Kakomesë, porta metalike është hequr.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, porta metalike është hequr me një mjet vinç, sëbashku me gardhin me tela që ishte vendosur rreth portës.

Kompania “Riviera” zotëron pronën në Kakome prej rreth 18 vitesh, pasi e ka marrë me qira nga shteti shqiptar në kohën e qeverisë së Sali Berishës për 99-vite (në një proces shumë të diskutueshëm).

Ndërkohë raportohet (e pakonfirmuar) se ka qenë Bashkia e Himarës që i ka hequr ditën e sotme portën metalike dhe telat e vendosur në hyrje të plazhit në Gjirin e Kakomesë.

Arta Dade, mesazh të koduar Ramës: Përvishju gjermanìshtes, do të të duhet më shumë se shqipja e protestës!

Ish-ministrja e Jashtme dhe një nga figurat më të spikatura të Partisë Socialiste, Arta Dade, ka reaguar për Vox News pasi u identifikua nga Newsbomb mes personazheve të përfshirë në postimin e kryeministrit Edi Rama, ku ai ironizonte protestuesit që prej ditësh mblidhen në bulevard duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Ai i quan këta personazhe “tam-tamexhinj” dhe se me tubimet e tyre, “kujtuan se u bë bulevardi kos për lugët e tyre të ndryshkura”.

E pyetur se çfarë mendon për gjuhën e përdorur nga kryeministri, Dade, e cila edhe pse është tërhequr nga politika aktive, vijon të mbetet një nga zërat më të respektuar brenda së majtës shqiptare, nuk i kurseu kritikat dhe “këshillat” ndaj tij.

“Për gjuhën e tij? Si njohëse e linguistikës mund të them që ai shqipen e ka manipulative, anglishten e kupton por nuk e flet dot, ndërsa gjermanishten nuk e njeh fare, fare. Unë do t’i sugjeroja për momentin t’i përvishet gjermanishtes, se do t’i duhet më shumë se shqipja e protestës dhe padyshim më shumë se anglishtja e korridoreve diplomatike…”, është shprehur Dade.

Ish-ministrja nuk na e shpjegon më tej komentin e saj, por fraza “do t’i duhet më shumë se shqipja e protestës” duket se ka një nëntekst politik.

A është kjo një ironi për raportet e Ramës me partnerët europianë? Apo një mesazh i koduar, në lidhje me zhvillime të ardhshme që mund ta vendosin kryeministrin përballë institucioneve, apo qarqeve ku gjuha gjermane ka peshë?

Për vite me radhë, Arta Dade ka qenë ndër personalitetet më të rëndësishme të Partisë Socialiste, ish-ministre e Jashtme, deputete me disa mandate dhe një nga figurat që edhe kundërshtarët politikë e kanë konsideruar si më dinjitozet e politikës shqiptare.

Pak ditë më parë, Dade refuzoi ftesën për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga PS për 35-vjetorin e krijimit të saj, duke shprehur rezervat ndaj mënyrës se si po drejtohet partia./voxnews.al