Elseid Hysaj drejt Turqisë ose Arabisë, Lazio nuk e regjistron në Seria A

I grumbulluar në Kombëtare për Nations League, por i përjashtuar luksi nga skuadra e Lazio-s. Kjo është situata e Elseid Hysaj-t, që nuk do të jetë më pjesë e skuadrës për sezonin e ri në Serie A.

Edhe pse u aktivizua për disa sekonda në ndeshjen e fundit kundër Milanit dhe një javë më parë regjistroi 9 minuta në fushë ndaj Udinese-s, tashmë kuqeziu nuk do të ketë më mundësinë të luajë.

Mediat italiane kanë njoftuar se mbrojtësi shqiptar mbeti jashtë listës së futbollistëve të regjistruar në Serie A. Situata lidhet me merkaton e Lazio-s dhe rregullave për numrin e lojtarëve italianë apo të rritur në klub. Në balotazh për vendin e fundit të lirë ishin Hysaj dhe sulmuesi Pedro, me stafin e drejtuar nga trajneri Baroni që zgjodhi të regjistronte spanjollin 37-vjeçar.

Shkodrani bëhet në këtë mënyrë një i përjashtuar luksi, duke llogaritur rrogën prej 2,8 milionë euro në sezon, e cila e bën një prej lojtarëve më të paguar te klubi bardhekaltër.

Drejtuesit u munduan t’i gjenin një skuadër tëre, por pa sukses. Tashmë është radha e Hysaj-t dhe menaxherëve të tij të gjejnë një destinacion të ri.

Edhe pse situata është e komplikuar, duke qenë i paregjistruar për këtë sezon të ri, mbrojtësi i Kombëtares mund të transferohet kudo. Merkato është ende e hapur në Turqi ose në Arabinë Saudite, ku mund të ketë klube të interesuara të marrin shërbimet e Hysajt.

Gjithsesi, çështja mbetet delikate, duke bërë që e ardhmja e 30-vjeçarit të jetë e pasigurt. Nëse nuk arrin të gjejë një skuadër tëre, ai do të mbetet te Lazio, ku do të stërvitet, por nuk do të ketë mundësi të zbresë në fushë. E vetmja mundësi për tu regjistruar në kampionatin italian dhe të luajë vetëm në rast të dëmtimeve të rënda të shokëve të skuadrës.

Romeo Veshaj festoi ditëlindjen, ‘zhduket’ Heidi Baci. Çfarë ka ndodhur mes çiftit?

Romeo dhe Donald Veshaj festuan dje 29-vjetorin e lindjes.

Dy vëllezërit bënë urime publike për njëri-tjetrin, ashtu sikurse Bora Zemani për partnerin e saj.

“Do të të blija një dhuratë, por u kujtova që ti tashmë ke gjithçka që ke dëshiruar ndonjëherë…mua. Gëzuar ditëlindjen dashuri”, shkroi Bora krahas disa fotove me Donaldin.

Por, ajo që u vu re ishte mungesa e një urimi publik nga ana e partneres së Romeos, Heidi Bacit.

Kjo e fundit nuk ka postuar asgjë në rrjetet e saj sociale, duke nxitur dyshimet se çifti mund të jetë duke kaluar një krizë.

Megjithatë, Heidi e ka pas thënë dhe më përpara që rrjetet sociale nuk i preferon shumë, kështu që urimin mund t’ia ketë bërë privatisht.

Mbetet të shihet nëse çifti është bashkë apo i kanë ndarë rrugët mes tyre.

E bija bën dy vjeç, Arbana Osmani publikon momente nga festa e ditëlindjes (FOTO)

Mbrëmjen e djeshme, vajza e Arbana Osmanit, Zoi, festoi ditëlindjen e saj të dytë, dhe vetë moderatorja ka ndarë disa momente nga festa e së bijës.

Arbana ka postuar në rrjetet sociale disa çaste nga festa e përgatitur për Zoin në shtëpinë e tyre, ku të pranishëm kanë qenë edhe disa miq të vegjël të saj.

Siç shihet edhe në foto, e vogla e moderatores dhe regjisorit Eduard Grishaj ka festuar me vëllezërit dhe të afërmit e saj, ku nuk kanë munguar dhe disa personazhe nga filmat vizatimor.

Kujtojmë se Arbana dhe Eduardi janë prindër edhe të një djali, Diellit, ndërsa moderatorja ka edhe një djalë nga martesa e saj e parë, Jonin.

Fiks Fare me Jul Dedën dhe Xhemi Shehun, dyshja flet për emocionet: Ne jemi ndryshe…

Sezoni i ri në ekranin më të dashur të shqiptarëve, Top Channel, nis plot surpriza dhe të papritura. Moderimi i emisionit investigativ “Fiks Fare” këtë sezon i është besuar dy figurave shumë të dashura të publikut shqiptar, Julian Deda dhe Xhemi Shehu. Ata kanë qenë mëngjesin e sotëm të ftuar në studion e “Wake Up” për të folur më shumë për emocionet e kësaj eksperience të re.

Keni patur shumë komente pozitive që kur doli lajmi se do të ishit ju moderatorët e “Fiks Fare”. Si i keni pritur?

Xhemi: Që nga momenti që fituam audicionet, ka filluar puna për të njohur njëri-tjetrin. Po regjistrojmë puntata 0 që nuk dalin në transmetim. Deri tani po shkon mirë. Sa i përket mesazheve, nuk kam marrë kurrë kaq shumë, nuk i prisja këto komente kaq të mira.

Juli: Audiocioni që bëra me Xhemin ishte më i miri dhe unë u ndjeva shumë mirë. Me Xhemin u ndjeva shumë rehat. “Fiks Fare” ka 23 vjet në transmetim, është emision legjendë i Top Channel dhe korniza është e qartë, nuk kemi çfarë të shpikim. Ne jemi ndryshe, as më të mirë se ata që kanë kaluar apo ata që do vijnë. Do jemi ndryshe. I përshëndesim Dorin dhe Devin dhe çdo njeri tjetër që e ka bërë “Fiksin” ndër vite.

“Fiks Fare” është një emision serioz që i dedikohet problemeve të qytetarëve, si ndiheni për këtë?

Xhemi: Kur fitova audicionin kuptova se në çfarë valle kam hyrë. (qesh) Kur mora telefonatën isha në makinë dhe nuk e prisja që do më thërrisnin për audicion me Jul Dedën. U gëzova, nuk e prisja që do më vinte një ofertë për moderimin e “Fiks Fare”. U ndjeva shumë e vlerësuar. Nuk shkova në audicion me idenë që do fitoj. Duhet të përçosh mesazhin, të bësh batuta, por duhet qenë serioz në fund.

Juli: Ti nuk e prisje madje që do ishe në moderim me dikë me flokë (qesh)

Si është marrëdhënia mes jush dhe stafit të “Fiks Fare”?

Juli: Janë një staf që kanë prej vitesh bashkë, bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Dy moderatorët nuk kanë asnjë punë në raport me atë që bëjnë ata. Kemi marrëdhënie shumë të mirë. Puna është e ndarë, është shumë e kopsitur. Çdo gjë është e menduar, e verifikuar… Dhe pastaj moderatorët i japin zë në darkë./TAR

Rritja e pensioneve, jo të gjithë e përfitojnë! Kategoritë që do marrin nga 50-100 mijë lekë të vjetra më shumë nga muaji tetor

Nga 1 Tetori i këtij viti pritet rritja e pensioneve. Çfarë do të ndodhë? Cilat kategori përfitojnë? Shtimi i numrit të pensionisteve, por jo shtim buxheti për masën e indeksimit në ndryshimet e fundit.

Në fillim të muajit tjetër Qeveria pritet të rrisë masën e pensionit. Akoma nuk ka një vendim final për këtë çështje, por prej muajsh ekzekutivi ka nisur një proces vlerësimi për skemën aktuale të pensioneve. Ajo që thuhet nga ekspertët është që do të rishikohen pensionet e ulëta, nën 150 euro. A do të sjellë realisht ndikim rishikimi i skemës? Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, janë mbi 140 mijë persona, që aktualisht marrin një pension më pak se 150 euro në muaj. Këtu përfshihen pensionet në zonat rurale si edhe pensionet familjare në zonat urbane.

Konkretisht, deri në fund të vitit 2023 në skemën e pensioneve rezultonin rreth 705 mijë qytetarë, nga të cilët 608 581 pensione urbane dhe 96 418 pensione rurale.

Në mënyrë të detajuar, nga 608 581 pensione urbane: 503 747 janë pensione pleqërie duke përfshirë këtu pleqëri të plotë, të reduktuar dhe të pjesshme. Për këtë kategori masa e pensionit shkon mesatarisht 18 341 lekë dhe bashkë me kompensimet  që aplikohen, arrin në 19 922 lekë në muaj.

Ndërkohë, 60 956 janë pensione invaliditeti (nga sëmundje të përgjithshme, sëmundjet profesionale dhe aksidentet në punë) të cilët përfitojnë mesatarisht 18 851 lekë në muaj duke përfshirë këtu edhe kompensimet dhe pjesa tjetër, pra 43 878 persona trajtohen me pensione familjare. Për këta të fundit, pra për pensionet familjare në zonat urbane masa e përfitimit shkon në 8 558 lekë bashkë me kompensimet arrin 10 139 lekë. Është pikërisht kjo kategori, që do të preket nga rritja e pensionit dhe me ndryshimet që do të finalizohen vitin e ardhshëm, pensionet familjare në zonat urbane nuk do të jenë nën 150 euro, duke nënkuptuar këtu një rritje mesatare me rreth 5 mijë lekë.

Kategoria tjetër që preket në tërësinë e saj janë pensionet në zonat rurale. Janë 96 418 persona në skemë, nga të cilët 86 902 trajtohen me pensione pleqërie (pleqëri e plotë dhe e pjesshme), 5 636 me pensione invaliditeti dhe 3 880 me pensione familjare.

Referuar ISSH-së, për pensionet e pleqërisë në fshat masa e përfitimit bashkë me kompensimet arrin në 11 576 lekë. Për pensionet e invaliditetit, 9 201 lekë ndërsa për pensionet familjare, 2 408 lekë.  Në këto kushte, shtesa për këtë kategori pritet të variojë nga 4 mijë deri në rreth 13 mijë lekë në muaj.

Në total janë 140.296 pensionistë që do të përfitojnë nga shtesa e re, në përmbushje të angazhimit për të mos pasur më pensione nën 150 euro deri në vitin 2030. Por ky është vetëm një prej aspekteve që do të rishikohet e që pa diskutim përbën thelbin e kësaj reformë të re që do ndërmerret. Ndër ndryshimet e projektuara janë edhe ato që kanë të bëjnë me periudhën kontributive, që duhet të plotësohet për të marrë pension të plotë, skemën e kontributeve për të vetëpunësuarit në zonat rurale si edhe trajtimet suplementare.

Ndryshimet e fundit buxhetore nuk shtuan fond për indeksimin e pensioneve

Në të vërtetë masa e rritjes së pensionit bëhet në bazë të indeksimit të pagave. Në fillim të muajit Korrik, qeveria miratoi indeksimin e pensioneve, ku më pas pritet të reflektohet edhe në rritjen e pensioneve në Tetor. Por sipas të dhënave të fundit numri i pensionistëve që përfitojnë trajtim financiarë nga skema e sigurimeve shoqërore është rritur ndjeshëm në gjysmën e parë të vitit. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, bëjnë me dije se deri në Qershor 2023, numri i pensionistëve përfitues ka arritur në 713.333 individë, me një rritje prej 8334 përfitues më shumë se fundviti që lamë pas.

Nga ana tjetër në ndryshimet e fundit në rishikimin e buxhetit nuk është riparë mundësia e rritjes së fondit për indeksimin e pensioneve. Kjo ose do të sjellë në thellim të skemës së borxhit, ose nuk do të ketë rritje reale të pensioneve.

Si bëhet përllogaritja?

Pas vendimit të korrikut për indeksimin e pensioneve për atë grup moshe që del në pension për herë të parë, pasi pjesa tjetër merr si masë shtese pensioni vetëm indeksimin, bëhet më e qartë skema sa mund të jetë masa e përfitimit të shtesës. Indeksimi bëhet mbi bazën e inflacionit dhe është e rregulluar që në buxhetin e shtetit, ky hyn në vlerën absolute se sa para do të marrë. Mesatarisht për vitin 2024, janë në buxhetin e shtetit 4.1 miliardë lekë të rinj, e përkthyer në vlerë absolute është 480 lekë të rinj në muaj, duke filluar që nga 1 Janari-31 Dhjetori. Sipas ekspertëve shtesa do të jetë 480 mijë lekë, por kjo nuk do të jetë e reflektuar në të gjithë pensionet, pasi indeksimi mbetet treguesi kryesor për rritjen e mundshme të masës së pensioneve./ VoxNews

Hidhet nga lartësia, adoleshentja vret edhe një kalimtare poshtë

Dy persona kanë vdekur në qytetin japonez të Yokohama pasi një vajzë adoleshente u hodh për vdekje nga një qendër tregtare, duke goditur një këmbësor poshtë.

Gjimnazistja 17-vjeçare u hodh nga një ndërtesë në një lagje tregtare të mbushur me njerëz, duke goditur një grua 32-vjeçare që ishte jashtë me miqtë e saj mbrëmjen e së shtunës.

Të dy u dërguan menjëherë në spital rreth orës 18:00 me orën lokale, ku vajza vdiq një orë më vonë. Menjëherë pas kësaj ka ndërruar jetë edhe gruaja.

Sipas statistikave zyrtare, më shumë njerëz nën moshën 18 vjeç në Japoni vrasin veten më 1 shtator – pak para fillimit të sezonit të ri shkollor – sesa në çdo ditë tjetër, sipas statistikave zyrtare.

“Klea e dinte me kë ishte lidhur, dhe nga do i vinte…”/Ish-banorja e BBV komenton rastin e dhunës nga motrat Berisha

Në një diskutim në “Live From Tirana”, Olta Sheta ofroi pikëpamjen e saj mbi ngjarjen që tronditi opinionin publik javët e fundit: dhuna e ushtruar nga motrat Berisha ndaj Klea Prengës.

Ndërsa debati vazhdon të ndezë reagime të ashpra, Sheta ka thënë se përplasjet midis grave janë shpesh pasojë e një problemi më të thellë në familje.

“Si gjest në vetvete, duhet të dënohet, sidomos kur bëhet nga femrat,” tha ajo, duke e vendosur fajin tek bashkëshorti në qendër të problemit.

Për shumë nga ata që kanë ndjekur ngjarjen, pyetja që mbetet ende pa përgjigje është: Pse ndodhi kjo ngjarje e dhunshme dhe çfarë qëndron pas saj

Olta mendon se kjo situatë është një pasojë e frustrimit të grumbulluar, e dëshirës për të mbrojtur statusin dhe identitetin. Ajo shtoi: “Klea e dinte shumë mirë se nga kush do t’i vinte dhe me kë ishte lidhur. Por, ajo që nuk kuptoj është se si njerëzit përreth, të ulur në të njëjtën tavolinë, qëndruan pasivë ndaj kësaj situate.”

Duke u fokusuar në fenomenin më të gjerë të kulturës së dhunës dhe dinamikave të brendshme në familjet shqiptare, Sheta nënvizoi se kjo ngjarje nuk është e izoluar. Ajo theksoi se gratë e reja duhet të përpiqen të krijojnë pavarësinë e tyre ekonomike dhe të mos mbështeten në lidhje materiale si zgjidhje të përhershme.

Përfundimisht, mesazhi i Shetës është i qartë: “Ne duhet të heqim dorë nga dhuna si një mënyrë e të trajtuarit të konflikteve dhe të praktikojmë më shumë komunikim. Shqiptarët duhet të përvetësojnë më shumë koncepte si paqja dhe mirëkuptimi, në vend që të mbështeten në ndarje përmes forcës dhe frikës.”

Ngjarja mbetet ende në qendër të vëmendjes, duke ngritur pyetje serioze për natyrën e marrëdhënieve moderne në Shqipëri dhe për mënyrat se si këto konflikte trajtohen në publik.

Vendim drastik! Lacio çon një vit në tribunë Hysajn, mbrojtësi vjen në Kombëtare si “i papunë”

Elseid Hysaj i është bashkuar Kombëtares shqiptare në grumbullimin e shtatorit për ndeshjet e Ligës së Kombeve si një futbollist i Lacios. Por në fakt, Hysaj është vetëm në “letër” i tillë, pasi efektivisht, klubi nuk do ta aktivizojë në Serinë A.

Mediat italiane kanë bërë të ditur se, ndonëse ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Lacion, Hysaj nuk është përfshirë në listën e skuadrës bardhekaltër që klubi i ka dorëzuar Ligës së Serisë A.

Për çështje të merkatos dhe numrit të futbollistëve që u rezervohen italianëve apo atyre të rritur në klub, bardhekaltrit janë detyruar të bëjnë sakrifica dhe kësisoj kanë zgjedhur të lënë jashtë Hysajn dhe të mbajnë Pedron.

Kështu, Hysaj mbetet përsëri pjesë e Lacios, por nuk mund të aktivizohet në këtë sezon me bardhekaltrit, përveçse në rast emergjence.

Klubi ka të drejtë të bëjë dy ndryshime në listë gjatë sezonit për çështje emergjencash që kanë të bëjnë me dëmtimet afatgjata të lojtarëve. Vetëm në atë rast, Hysaj mund të përfshihet në listë nga klubi bardhekaltër.

Për lojtarin kësisoj mund të jetë më e leverdishme që në javët e ardhshme të kërkojë një sistemim të ri në kampionatet ku merkatoja është e hapur, në mënyrë që të ketë minuta në fushën e lojës gjatë këtij sezoni.

Por për momentin kjo duket e vështirë duke llogaritur rrogën e lartë prej 2,8 milionë eurosh që përfiton ai në vitin e tij të fundit të kontratës me Lacion, që është e vështirë të përballohet nga klube të tjera jashtë kampionateve kryesore.

Një i vdekur dhe 5 të plagosur/ Si ndodhi përplasja e dy fiseve të fuqishme në Kosovë, viktimës iu gjet…

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e mbrëmjes së shkuar ku mes dy grupeve pati të shtëna me armë zjarri në Prishtinë.

Të përfshirë në ngjarje janë familjet Sekiraqa dhe Capat, të njohura edhe si grupe që janë në konflikt prej kohësh. Gjithashtu raportohet se ky konflikt i armatosur la të vdekur një person dhe pesë të tjerë u plagosën. Mosmarrëveshjet e mëhershme mes dy fiseve ishin shkaku i përleshjes së armatosur në Prishtinë, mbrëmjen e 1 shtatorit, që la të vrarë një person, tha Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Themelore tha se pesë të dyshuarit, të cilët kanë marrë lëndime trupore, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim dhe “për momentin janë jashtë rrezikut për jetë”. Autoritetet gjyqësore e kanë klasifikuar këtë rast si vepër penale “vrasje të rëndë” në bashkëkryerje dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria Themelore tha po ashtu se përveç pesë të plagosurve, autoritetet po punojnë në identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në të shtënat në Prishtinë.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka dalë me një konfirmim zyrtar lidhur me ngjarjen. Bazuar në informacionet që posedojnë organet e rendit dyshohet se është Premtim Gashi personi që ka humbur jetën. Konfirmimi i identitetit nuk është bërë mbrëmë menjëherë në vendin e ngjarjes për shkak se i vrari nuk kishte dokumente identifikuese me vete. Gjithashtu raportohet se në momentin e ngjarjes, viktima kishte me vete një kallashnikov.

Konflikti dyshohet se lidhet me problemet që familja e Sekiraqës ka pasur në vazhdimësi me familjen Capat në Prishtinë, të cilëve iu plagos një familjar para disa muajsh. Raportohet po ashtu se nga familja Sekiraqa, mbeti i plagosur personi më me ndikim në grupin e tyre, Salih Sekiraqa, 47-vjeçar.

Bashkë me Sekiraqën u lënduan edhe Korab Gashi (vëllai i Premtimit), Robert Llumnica 29-vjeçar, Fatos Abazi 35-vjeç dhe Valdrin Ademi 21-vjeç. Gjithashtu bëhet me dije se në gjendje më të rëndë shëndetësore janë të plagosurit Llumnica dhe Ademi.

Greqia ndalon përdorimin e celularit gjatë orarit të mësimit: Kush nuk respekton rregulloren, përjashtohet

Nxënësit e shkollave në Greqi do të detyrohen t’i mbajnë telefonat e tyre në çantë gjatë gjithë kohës që do të zhvillohet viti akademik, i cili nis më 11 shtator.

Rregullorja e re e shkollës u paraqit pas një takimi mes kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministrit të Arsimit, Kyriakos Pierrakakis.

“Nxënësit mund t’i sjellin telefonat në shkollë, por ata duhet t’i mbajnë brenda çantës gjatë gjithë ditës që do të jenë në shkollë”, tha kryeministri grek.

“Të dhënat shkencore se si përdorimi i celularëve gjatë ditës në shkollë ndikon në vetë procesin e të mësuarit janë trishtuese. Nga shpërqendrimi, në çështje të tjera të rëndësishme, është e qartë se celularët nuk kanë vend në shkollë gjatë ditëve të mësimit”, vijoi ai.

Sipas rregullave të reja, nxënësit që nuk e respektojnë rregulloren, do të përjashtohen nga shkolla për 1 ditë. Në rast të shkeljeve të përsëritura, mësuesit mund t’i nxjerrin ata nga orët mësimore për disa ditë. Kushdo që filmon shokët e klasës ose mësuesit pa leje, mund të përballet me përjashtim.

“Ne nuk presim domosdoshmërisht që të pajtoheni 100% që nga dita e parë, por duam që fëmijët, prindërit dhe kujdestarët e tyre të kuptojnë rëndësinë e fokusimit të nxënësve tërësisht në procesin arsimor në shkollë”, u shpreh Mitsotakis.

Rregullat i janë shtuar propozimit të paraqitur në mars, pas një ngjarjeje ku disa studentë u përjashtuan nga shkolla, për shkak se filmuan shokët e klasës dhe u tallën me ta në internet.

Kjo nuk është hera e parë që në Greqi është krijuar një sistemi i tillë për përdorimin e celularit në shkollë, të cilin zyrtarët e kanë quajtur një “shpërqendrim të rëndësishëm”.

Më parë, në vitin 2002, ishte vendosur edhe një ndalim i përgjithshëm i celularëve në shkolla, por mësuesit u shprehën se e kishin të vështirë ta zbatonin rregullin.