V▪︎anë e g roρosën babanë, Prokuroria kërkon burg përjetë për Hysen Metën, 30 vite për vajzën, dënim edhe gruan e djalin e vogël

Prokuroria e Durrësit ka kërkuar burgim përjetë për shtetasin Hysen Meta, i cili bashkë me motrën dhe vëllanë vranë dhe groposën babanë e tyre Pëllumb Metën, ngjarje e ndodhur në Shënavlash në vitin 2024.

Prokuroria kërkon po ashtu 30 vite burg për vajzën e viktimës, 5 vite për djalin tjetër dhe 3 vite për gruan e tij.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit Hysen Meta për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare’ e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal të vitit 2024, Prokuroria thotë se u provua se të pandehurit Hysen Meta dhe motra e tij Hygerta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vendosur dhe planifikuar vrasjen e babait të tyre.

Të pandehurit pasi kanë menduar dhe thurur me qetësi planin e tyre për të vrarë babanë, janë përgatitur duke marrë masat për vendin ku do të realizonin vrasjen, për mjetin me të cilin do ta kryenin duke siguruar një armë zjarri, plan ky i realizuar në datë 10.02.2024. Të pandehurit në datë 10.02.2024, ditë e shtunë kanë qenë në banesën e tyre në Shënvlash, Durrës, ndërsa i pandehuri Amarildo Meta ka qenë në punë.

Viktima Pëllumb Meta ka lënë punën në orët e para të mëngjesit të kësaj dite dhe është larguar për në banesën e tij. Rreth mesditës së datës 10.02.2024, viktima ka qenë në kuzhinën e banesës, kohë në të cilën djali i tij i pandehuri Hysen Meta në prani edhe të të pandehurës Hygerta, pasi ka marrë një armë zjarri pistoletë, ka qëlluar në drejtim të babait të tij katër herë. Një prej plumbave nuk ka prekur trupin e viktimës, ndërkohë që tre prej tyre, një në kokë dhe dy në trup kanë rezultuar fatal duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Të dy të pandehurit më pas kanë kryer veprime jo vetëm për të zhdukur gjurmët e vrasjes nëpërmjet stukimit të vrimës në mur, spostimit të divanit në të cilin ka qenë i shtrirë viktima, kanë vazhduar me mbështjelljen e trupit, groposjen e trupit të viktimës në kasollen e bagëtive e cila ndodhej disa metra larg banesës dhe më pas kanë vijuar me largimin automjetit nga banesa, zhdukjen e sendeve personale të viktimës si dhe zhdukjen e armës së krimit.

Pas kryerjes së krimit, janë siguruar se të gjitha gjurmët që janë fshehur nga i pandehuri Hysen Meta. Ky shtetas ka bërë kallëzim në polici duke paraqitur zhdukjen e babait si largim nga banesa me vullnetin e tij. Gjatë gjykimit e pandehura e vetmja nga të pandehurit që ka dhënë pëlqimin për t’u pyetur ka deklaruar se babain e ka vrarë vëllai i saj Hyseni në prani të saj.

Në seancën gjyqësore të datës 16.09.2025, prokurorja ka kërkuar:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hysen Meta për kryerjen e veprës penale “Vrasja pёr shkak tё marёdhёnieve familjare”, e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 79/c e 25 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me burgim të përjetshëm.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hysen Meta për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armёve, armёve shpёrthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/4 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me tre vjet burgim.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hysen Meta për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 e 25 tё K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 vjet burgim.

4. Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, bashkimin e dënimeve të mësipërme në një dënim të vetëm, ate më burgim të përjetshëm.

5. Deklarimin fajtore të të pandehurës Hygerta Meta, për kryerjen e veprës penale “Vrasja pёr shkak tё marёdhёnieve familjare”, e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga neni 79/c e 25 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 25 vjet burgim.

6. Deklarimin fajtore të të pandehurës Hygerta Meta për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 e 25 tё K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 vjet burgim.

7. Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, bashkimin e dënimeve të mësipërme në një dënim të vetëm, ate me tridhjetë vjet burgim.

8. Deklarimin fajtor të të pandehurit Amarildo Meta për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 e 25 tё K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 vjet burgim.

9. Deklarimin fajtore të të pandehurës Blerina Meta për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, tё parashikuar nga neni 301 I K.Penal dhe dënimi e saj në bazë të kësaj dispozite me tre vjet burgim.

Ndahet papritur nga jeta këngëtari i njohur shqiptar

Agim Molla, këngëtari i njohur si simbol i ahengut shkodran dhe mbrojtës i traditës qytetare, ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në Spitalin e Shkodrës, ku ishte i shtruar prej disa ditësh në gjendje të rëndë.

Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka sjellë reagime të shumta, mes tyre edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.

“U shua simboli i ahengut shkodran! Me interpretimin e tij të veçantë, Agim Molla u bë pjesë e gëzimeve të shumë familjeve shkodrane, duke mbetur në kujtesë si ashiku i muzikës sonë tradicionale. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve”, shkroi ai në rrjete sociale.

Agim Molla mbetet një nga emrat më të dashur të muzikës popullore shkodrane, i njohur si rojtar i këngës së vjetër qytetare dhe pjesë e pandashme e gëzimeve familjare në Shkodër.

Humbja e tij konsiderohet si mbyllja e një epoke për muzikën tradicionale të qytetit.

Shantazh policit me foto intime për 10 mijë euro, zbardhen detaje nga ngjarja në Përmet

Policia e Gjirokastrës dha detaje në lidhje me rastin e efektivit të policisë në Këlcyrë, i cili dyshohet se kishte një raport intim me një të mitur.

Sipas policise ky i fundit është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka ngacmuar të miturën, por lidhje intime me të ka pasur një tjetër person, i cili është arrestuar.

Ky i fundit, shtetasi me iniciale K. P., 46 vjeç dhe shoku i tij, shtetasi I. P., 27 vjeç, të dy banues në Këlcyrë, po ashtu i arrestuar, dyshohet se kanë kanosur njerkun që t’iu jepte 1 000 000 lekë, për të mos i publikuar video me përmbajtje intime.

Në pranga është vënë edhe njerku i 16-vjeçares, shtetasi P. B., 55 vjeç, banues në Këlcyrë, punonjës i Komisariatit të Policisë Përmet, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, për rreth 3 vjet, të miturën.

Po punohet intensivisht, në bashkëpunim me homologët grekë, për lokalizimin dhe kapjen e 53-vjeçarit, punonjësi policisë që dyshohet se ka ngacmuar 16-vjeçaren, i cili nga verifikimet rezultoi se është në Greqi.

Gjithashtu, në lidhje me këtë rast, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve të Policisë, Inspektor P. B., me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme” në Komisariatin e Policisë Përmet dhe Inspektor A. A., me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme” në Komisariatin e Policisë Tepelenë.

Më tej, me qëllim trajtimin e plotë ligjor dhe të paanshëm të këtij rasti, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetim disiplinor për të dy punonjësit e Policisë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 celularë. E mitura aktualisht është në kujdesin e familjarëve të saj, si dhe në monitorim të vazhdueshëm të psikologes.

Në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me AMP-në, Policia e Gjirokastrës vijon hetime të thelluara për të individualizuar dhe provuar përgjegjësinë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Reagimi i Agjencise se Mbrojtjes Policore:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) në bashkëpunim me DVP Gjirokastër ka ekzekutuar urdhërat e ndalimit të caktuar nga Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjiroksatër për dy punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ngacmim seksual” dhe dy shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale “ Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”.

P. B., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Përmet.
A. A., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Tepelenë (i shpallur në kërkim pasi është larguar ditën e djeshme në drejtim të Greqisë).
Shtetasi K. P., i dashuri i shtetases së mitur
Shtetasi I. P., shok me shtetasin K.P.

Pas indicjes nga një postim në rrjetet sociale, strukturat e hetimit të Drejtorisë Rajonale të AMP-së në bashkëpunim me DVP Gjirokastër kanë kryer veprimet e para hetimore, ku ka rezultuar se një vajzë e mitur me iniciale K.G., e nxitur nga i dashuri i saj shtetasi K.P., dhe shoku i tij shtetasi I.P., kanë shantazhuar punonjësin e policisë A.A., duke i kërkuar një shumë monetare prej 10 milion lekë të vjetra si këmbim për të mos publikuar një video intime të tij, e rregjistruar me aparat telefonik.

Gjithashtu nga veprimet hetimore dyshohet se punonjësi i policisë P.B., (njerku i shtetases së mitur) prej disa vitesh ka pasur lidhje intime.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.

Komentet ndaj Mozzik, Getinjo i reagon ‘ashpër’ Noizyt

Pas reagimeve të shumta në rrjete sociale për orën luksoze të Mozzik, e cila u bë kryefjalë në media pas ndalimit nga Dogana, në këtë debat është përfshirë edhe reperi Noizy me disa postime ironike.

Në një sërë “story”-sh, Noizy u tall me situatën duke shkruar:
“E kishte ble cash te dyqani, se ju deshten ca cash atij pronarit RM”, – duke aluduar se ora nuk është blerë siç është prezantuar.

Në një tjetër postim ai shtoi:

“Chuck Norris hudhet me parashut nga avjoni. Parashuta nuk u hap… Të nesërmen Chuck Norris e merr parashutën edhe e kthen te dyqani ku e kishte ble CASH”.

Por, menjëherë pas këtyre thumbave, reagoi Getinjo, i cili në një “story” publikoi një mesazh të qartë për reperin nga Shqipëria.

“Kurrë s’u mushe men mor shok. Ton ato suksese e të mira, prap adoleshent”, – shkroi ai, duke lënë të kuptohet se pavarësisht arritjeve të Noizyt, sjelljet e tij i ngjajnë ende një të riu pa pjekuri.

Ky reagim është një mbrojtje e hapur ndaj Mozzik, në një kohë kur çështja e orës luksoze është bërë temë kryesore në media dhe rrjete sociale, duke ngjallur reagime e komente të shumta. /Prive

Surprizë në drejtësi/ Pas Dumanit, një grua në krye të SPAK, Gjokutaj zbulon kandidaten (Emri)

Avokati i njohur Genc Gjokutaj ka zbuluar në një emision televiziv, emrin më potencial që sipas tij pritet të zgjidhet në krye të SPAK, pas përfundimit të mandatit të drejtuesit aktual, Altin Dumani.

Sipas Gjokutajt më lart e kuotuar me pikë është prokurorja Anita Jella. Por, Gjokutaj pretendon se zgjedhja e kreut të SPAK është e ndikuar nga nepotizmi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“E gjithë KLP-ja janë lidhje nepotike. Ata tani të bëjnë transparencë sa të duan por ajo është transparencë në llojin e tyre. Jepet në televizor mo, kandidaturat janë aty, votat numërohen haptazi por porosia është dhënë, kanë nxjerrë në krye me pikë një që s’duhet të jetë. Përflitet një Jella, Jella. Atë po thonë. Unë nuk e di. Unë nuk jam fare kurioz se cili do jetë një nga këta sepse ata njësoj do të jenë. E para punës nuk janë emrat e prokurorëve ata që do bëjnë ndryshimin. Problemi është se ai institucion është i kapur”, tha Gjokutaj në “Ditari i Pasdites” me Pandi Gjatën.

Por kush është Anita Jella?

Prokurorja Anita Jella, pasi përfundoi Shkollën e Magjistraturës ka punuar si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007.

Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtroi funksionin për 10 vite derisa u bë pjesë e Prokurorisë së Posaçme.

Prej 9 majit 2018 deri në korrik të vitit të kaluar, ajo edhe drejtoi Prokurorinë e Durrësit. Më 31 korrik të 2024 ajo u emërua nga KLP prokurore në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, me një mandat 9-vjeçar.

“Nuk i shpëton dot”, Papa paralajmëron: Dosja “McGonigal” bomba që do të groposë Ramën përfundimisht, FBI di gjithçka…

Gazetari i njohur, Robert Papa paralajmëron se dosja ‘McGonigal’ është aq e rëndë dhe e thellë, sa nëse nuk e ka ‘groposur’ tashmë kryeministrin Edi Rama, do ta bëjë në një moment të afërt. Në një analizë të tij, ai nënvizon se dokumentet e publikuara nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë në SHBA kanë konfirmuar një pjesë të madhe të atyre që ai kishte deklaruar prej kohësh: takime të përgjuara në Tiranë, Ëashington D.C. dhe Neë York, transaksione të dyshimta financiare dhe një dosje voluminoze prej afro 8 mijë faqesh, ku gjenden elementë që, sipas tij, lidhin drejtpërdrejt Ramën dhe rrethin e tij të ngushtë me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal.

Papa shpjegon se procesi ligjor në SHBA nuk është aspak i thjeshtë, pasi ngritja e një akuze kërkon prova konkrete të cilat i paraqiten një jurie të madhe, e cila vendos më pas nëse rasti kalon ose jo në gjykatë.

Në rastin McGonigal, thekson ai, faktet ishin aq të forta saqë juria ngriti akuzat pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar ish-zyrtarin përmes avokatëve të shtrenjtë dhe me ndikim. Ky zhvillim, sipas Papës, është tregues i qartë i asaj që mund të ndodhë më tej: hetimet e nisura në SHBA, të kombinuara me provat për rrjedhën e parave dhe lidhjet politike në Tiranë, rrezikojnë të çojnë në një skenar ku pasojat për Ramën janë të pashmangshme.
‘Ato që unë kam thënë për dosjen McGonigal u vërtetuan nga raporti i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë kur nxorën dokumentin e hetimeve ndaj tij. Thuajse asgjë e re nga të gjitha ato që unë kam thënë ose kam shkruar, dhe i mbetem edhe njëherë që dosja McGonigal është aq e thellë sa, në mos e ka groposur, do ta groposë Ramën. Kandili i tij ka kohë që ka nisur të shuhet. Dosja është 8.000 faqe. Në raportin e Inspektorit të Përgjithshëm ju është thënë për dy takimet në Tiranë, por janë të paktën deri në katër takime të përgjuara këtu në SHBA. Një është në Ëashington D.C., një në Neë York. Gjithçka është tek dosja. Për të qenë i qartë, kur kërkohet të ngrihet një akuzë ndaj dikujt, qoftë McGonigal, qoftë Soros, le të themi, hetuesit duhet të kenë fakte dhe ia paraqesin një jurie të madhe.

Dhe juria e madhe vendos nëse ka çështje për të shkuar në gjykatë apo jo. Nuk është aq e lehtë. Faktet ndaj McGonigal ishin skajore sa juria e madhe e akuzoi. Dhe në qoftë se e kujtoni atë që ju kam thënë, hetimet kanë zgjatur. Pra, ka pasur një ide se mund të shpëtonte McGonigal duke shpenzuar për avokatë të shtrenjtë. Avokatë që kanë qenë dikur të zyrës së Rudy Giuliani-t të madh, dhe gjatë rrugës u bind që faktet ishin të tilla që në qoftë se do të kishte gjyq, dënimi ndaj tij do të ishte 25 ose 30 vjet. E vërtetuar kjo edhe nga gazetarë që kanë bërë hetime të mëdha, nga ‘Mother Jones’ që kanë qenë tek unë, Kryeministri Rama mund të thirrej si dëshmitar edhe pse ka imunitet si kryeministër. Por ajo që kemi thënë, që është ndaluar nga FBI, të cilët pa pasur mandat mund të ndalojnë gjithkënd, tregon që çështja është serioze.

Unë e di shumë mirë, edhe nga takimet që pata në Tiranë, që Rama tmerrohet nga dosja McGonigal, sepse e di sa thellë është zhytur, sa është ndotur, sa është ndyrë, sa miliona e miliona dollarë kanë kaluar nga zyra e tij. Ajo që më habit është si është zhdukur Fuga, Gebelsi i Ramës. Rama e di mirë, dhe ne e dimë mirë, që sa herë që vinte në këtë tokë të bekuar amerikane, Fuga, i cili kërkonte edhe Benz Mercedes për të bredhur Manhattanin, pra makinë luksoze, kishte një bllok dhe çdo gjë kalonte përmes bllokut të tij. Fuga ishte ‘ndrikull’ me fytyrën më të ndyrë, ‘Soros’. Fuga di shumë herë më tepër se ish-zëvendëskryeministri që është nën hetim në Zvicër, Ahmetaj, i cili mbante çantat me dollarë për Ramën sa herë që vinte këtu. Ka shumë dëshmitarë që i dinë, dhe Rama duhet ta ketë mësuar se sa herë që në këtë vend, në Neë York, vjen një me pasaportë diplomatike, FBI-ja e ka përsipër.

FBI-ja di shumë për lëvizjet monetare të tij, lëvizjet e Taulant Ballës & Co., të deputetit të tij që e quante mik e vëlla, që u ndalua me 150.000 dollarë kesh kur do të bëhej pagesa për foton e Obamës, dhe të tjera detaje që do t’i them në vijueshmëri në kontaktet e mia përmes Fokusit. Personi A, personi B janë ata që e thithin, e përthithin në gropën e zhdukjes politike të Ramës. Personi A, ish-oficer i Sigurimit, ende vazhdon lidhjen dhe bashkëpunimin me Kryeministrin Rama. Madje, përmes tij, Rama ka kërkuar të pajtohet edhe me Metën. Dhe një nga kërkesat: ‘Mos më përmend me McGonigal’. Krimi financiar dhe milionat e dollarëve janë në Tiranë, në Shqipëri, edhe në Kosovë. Rama duhet ta dijë se ka sy. E dinë se si dërgoheshin miliona dollarë deri në Monte Carlo për këtë ish-zyrtar të FBI-së, McGonigal. McGonigal është mburrur rrugëve të Tiranës se do të hiqte Presidentin Trump në kohën e mandatit të parë të Donald Trump-it. Është marrë në rihetimet, të paktën nga informacionet që kam, tre herë në intervista në qeli në drejtësi jo vetëm në Amerikë, por edhe në Shqipëri’, shprehet Papa në emisionin e tij online, Fokus.

“Mos lëviz, në tokë…”, në pranga 26-vjeçari i rrezikshëm në Korçë, kërcënoi me jetë policët gjatë aksionit (Video)

Policia në Korçë ka ndërhyrë në një bllok banimi duke vënë në pranga një 26-vjeçar, i klasifikuar si person me rrezikshmëri të lartë.

I ndaluari Renato Lipe ka kërcënuar me jetë punonjësit e policisë dhe mbante në banesë armë zjarri pa leje me fishek në fole gati për qitje, e cila është sekuestruar nga efektivët që ndërhynë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bazë të informacioneve të marra se një shtetas i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje kishte siguruar dhe mbante përsëri armë zjarri, organizuan punën dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Again”. Në momentin e ndërhyrjes, 26-vjeçari ka kundërshtuar të hapë derën dhe ka kërcënuar me jetë punonjësit e Policisë. Pas thirrjeve të bëra nga ana e Policisë dhe ndërhyrjes profesionale, u bë e mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 26 vjeç, banues në Korçë, person me rrezikshmëri të lartë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje”, njofton policia.

VIDEO

Paga minimale do të bëhet 500 euro, ja kur do hyjë në fuqi vendimi dhe kategoritë që e përfitojnë (Detaje)

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm paga minimale do të bëhet 50 mijë lekë në vend të 40 mijë lekëve aktualisht. Qeveria zotohet të mbulojë efektet që do të prodhojë rritja e pagës minimale për 18 muajt e parë.

Por bizneset janë të shqetësuara për kostot shtesë që do ju vinë në drejtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve pas kësaj periudhe.

“Nga janari 2026 paga minimale do të jetë 500 euro.” Nga punëtorët e fabrikave e rrobaqepëset te shitëset, kamerierët apo punëtorët e ndërtimit… cilido i punësuar në Shqipëri nga fillim-viti i ardhshëm do të paguhet me jo më pak se 50 mijë lekë. Paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë.

Premtimi i qeverisë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit është përfshirë në programin qeverisës të socialistëve për t’u zbatuar nga 1 janari 2026.

“Është një tregues pozitiv, sepse rritja e pagës minimale prek drejtpërdrejt shtresat më të brishta të tregut të punës. Nga ana tjetër, duhet parë me kujdes ndikimi që kjo rritje mund të ketë mbi bizneset e vogla, kostot e tyre dhe rrezikun për rritje të informalitetit. Pra, është një hap i rëndësishëm social, por duhet shoqëruar edhe me politika mbështetëse”, theksoi Erion Muça, pedagog, ekspert i tregut të punës.

Për gjithë vitin 2026 dhe deri në gjysmën e 2027-s, do të jetë shteti që do të paguajë kontributet për diferencën mes 40 dhe 50 mijë lekë, në mënyrë që të mos rëndohet as punëdhënësi as punëmarrësi.

“Kjo është më shumë pjesë e propagandës sesa një politikë e mirëfilltë zhvillimi. Rritja e pagës minimale pa një analizë të plotë të produktivitetit dhe të kostove të biznesit mund të sjellë pasoja të kundërta, si mbyllje vendesh pune apo shtim të punësimit informal. Pa reforma strukturore, një vend si Shqipëria e ka të vështirë të garojë me rajonin vetëm me vendime të tilla politike”, u shpreh Zef Preçi, ekspert për ekonominë.

Megjithëse qeveria zotohet të mbulojë efektet që do të prodhojë rritja e pagës minimale për 18 muajt e parë, bizneset janë të shqetësuara për kostot shtesë që do ju vinë në drejtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve pas kësaj periudhe.

“Rritja e pagës minimale ashtu edhe pagat e tjera në rrjedhë, dhe kjo rrit kostot e operimit për kompanitë si e imja. Për 18 muajt e parë, shteti mbulon kontributet, por pas kësaj periudhe ne do të ndjejmë presion mbi bilancin dhe do të duhet të rimendojmë strategjitë e punësimit dhe investimit”, tha Florian Zekja, sipërmarrës në sektorin e manifakturës.

Aktualisht Shqipëria është vendi i parafundit në Ballkanin Perëndimor duke lënë pas vetëm Kosovën në drejtim të pagës minimale. Në Rajon kryesojë Mali i Zi dhe Serbia me respektivisht 670 dhe 618 euro, ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina./a2cnn

‘Putini më zhgënjeu’, Trump ‘lëshon bombën’ në Britani, kërcënon me ushtri…

Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, janë larguar nga Chequers me helikopterin presidencial Marine One, duke përmbyllur vizitën shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar.

Vizita, e shoqëruar me momente bashkëpunimi por edhe mospajtime diplomatike, u mbyll me nënshkrimin e një “marrëveshjeje të re për prosperitetin teknologjik” mes dy vendeve.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur pak para largimit, Trump komentoi për krizën e emigracionit nëpërmjet kanaleve detare, duke sugjeruar se kryeministri britanik Keir Starmer mund të përfshijë ushtrinë për të trajtuar situatën me anijet e vogla – një deklaratë që ka shkaktuar debat në politikën britanike.

Trump gjithashtu foli për raportet me presidentin rus Vladimir Putin, duke deklaruar se “më zhgënjeu”, ndërsa Starmer konfirmoi përpjekjet e përbashkëta të SHBA-së dhe Britanisë për të ushtruar presion diplomatik mbi Putinin, me synim arritjen e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën.

Një pikë tjetër e ndjeshme e konferencës ishte çështja palestineze. Kur u pyet për planin e Starmer për të njohur një shtet palestinez, Trump u përgjigj se ka “një mosmarrëveshje me kryeministrin për këtë çështje”. Megjithatë, të dy udhëheqësit u shprehën të përmbajtur dhe nuk e thelluan më tej debatimin.

Pavarësisht tensioneve të lehta në fjalime, vizita u përmbyll me nota bashkëpunimi, me fokus në rritjen e lidhjeve teknologjike dhe ekonomike midis dy aleatëve të vjetër.

Një vit i frikshëm po afrohet? Lista e tmerrshme e parashikimeve të Baba Vangës për 2026-n

Fallxhorja e njohur bullgare, Baba Vanga, e cila shpesh përmendet për saktësinë e parashikimeve të saj, ka lënë disa paralajmërime shqetësuese për vitin 2026.

Sipas dishepujve të saj, Vanga kishte parashikuar ngjarje të mëdha historike si vdekja e Princeshës Diana, sulmet e 11 Shtatorit dhe shpërthimin e pandemisë Covid-19. Këtë herë, ajo paralajmëron për një vit të mbushur me rreziqe të mëdha. Sipas interpretuesve të shkrimeve dhe fjalëve të saj, viti 2026 do të shënojë një seri fatkeqësish natyrore që do të godasin globin.

Vanga ka paralajmëruar për tërmete të fuqishme, shpërthime vullkanesh dhe ndryshime ekstreme klimatike që do të shkaktojnë dëme të pallogaritshme. Ajo ka pretenduar se rreth 7–8% e sipërfaqes tokësore do të preket drejtpërdrejt, duke shkatërruar ekosisteme të tëra dhe infrastrukturë jetike.

Frika e një Lufte të Tretë Botërore

Parashikimet më shqetësuese lidhen me një përshkallëzim të konflikteve globale. Baba Vanga paralajmëronte për një luftë të madhe që do të fillonte në Lindje dhe do të shkatërronte Perëndimin, duke lënë Evropën në gërmadha. Për vitin 2026, ajo ka parashikuar se tensionet mes fuqive të mëdha – veçanërisht mes Rusisë dhe SHBA-së – do të arrijnë kulmin, ndërsa Kina mund të ndërmarrë një pushtim të Tajvanit.

Dominimi i inteligjencës artificiale

Një tjetër aspekt që ngjall debat është roli i inteligjencës artificiale. Sipas Baba Vanga-s, viti 2026 mund të jetë momenti kur teknologjia kalon përtej kontrollit njerëzor. Ajo ka paralajmëruar se robotët dhe inteligjenca artificiale do të marrin nën zotërim punët, marrëdhëniet dhe jetën e përditshme të njerëzimit, duke e vendosur atë përballë një rreziku të paparë.

Rreziku nga hapësira

Në parashikimet e saj lidhet edhe një objekt misterioz që pritet t’i afrohet Tokës. Shumë e kanë quajtur ‘kometë’, por astronomi i njohur i Harvardit, Avi Loeb, ka ngritur dyshime se mund të mos jetë një trup i zakonshëm qiellor. Ai sugjeron se objekti mund të jetë një anije kozmike e ndërtuar nga inteligjenca jashtëtokësore, e cila mund të ketë qëllime të panjohura. Sipas tij, njerëzimi mund të përgatitet si për mundësinë e një shpëtimi, ashtu edhe për rrezikun e një pushtimi.

Përfundim

Edhe pse parashikimet e Baba Vanga-s janë shpesh të interpretuara dhe të diskutueshme, ato vazhdojnë të tërheqin vëmendje dhe të ngjallin frikë. Viti 2026, sipas saj, mund të shënojë një pikë kthese për njerëzimin – mes katastrofave natyrore, konflikteve globale, përparimit të pakontrolluar teknologjik dhe rrezikut të jashtëtokësorëve.