Mbyllet zyrtarisht USAID, Rubio: Do të braktisim modelin e bamirësisë (Shqipëria përfitoi 189 mln dollarë 4 vitet e fundit)

Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, do të ndalojë zyrtarisht zbatimin e ndihmës së huaj. Këtë fakt e ka bërë të ditur Sekretari i Shtetit Marco Rubio, duke shtuar se ndihma e Amerikës në të ardhmen do të jetë e orientuar qartë dhe tepër e kufizuar.

Në një deklaratë që shënon transferimin e USAID-it në Departamentin e Shtetit si pjesë e shtytjes së paprecedentë të Presidentit Donald Trump për të tkurrur qeverinë federale, Rubio tha se SHBA-të po braktisnin atë që ai e quajti një model të bazuar në bamirësi dhe do të përqendrohen në fuqizimin e vendeve për t’u rritur në mënyrë të qëndrueshme.

“Ne do të favorizojmë ato kombe që kanë demonstruar si aftësinë ashtu edhe gatishmërinë për të ndihmuar veten dhe do t’i drejtojmë burimet tona në fusha ku ato mund të kenë një efekt shumëzues dhe të katalizojnë sektorin privat të qëndrueshëm, duke përfshirë kompanitë amerikane, dhe investimet globale”, shkroi diplomati më i lartë amerikan.

Ky model i ri, shkroi ai, do t’i jepte përparësi tregtisë mbi ndihmën dhe investimet mbi asistencën, duke shtuar se do ta vendoste Uashingtonin në një pozicion më të fortë për t’iu kundërvënë Pekinit.

Administrata Trump ka ngrirë dhe më pas ka shkurtuar miliarda dollarë ndihmë të huaj që nga marrja e detyrës, duke thënë se dëshiron të sigurojë që paratë e taksapaguesve amerikanë të shkojnë vetëm në programe që janë në përputhje me politikat “Amerika e Para” të Trump. Shkurtimet kanë mbyllur në mënyrë efektive USAID-in, duke çuar në pushimin nga puna të mijëra punonjësve dhe kontraktorëve të tij.

Sipas një studimi të botuar në revistën mjekësore The Lancet, shkurtimet e thella të financimit për USAID-in dhe çmontimi i tij mund të rezultojnë në më shumë se 14 milionë vdekje shtesë deri në vitin 2030. Ekspertët dhe avokatët e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar kundër shkurtimeve. Financimi i USAID-it ka pasur një rol vendimtar në përmirësimin e shëndetit global, kryesisht të drejtuar drejt vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, veçanërisht vendeve afrikane, sipas studimit.

USAID shpërndante fonde edhe në vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë. Nga të dhënat që publikoi i dërguari special i Donald Trump për krizat, Richard Grenell, në fillim të këtij viti, rezultonte se organizatat joqeveritare në Ballkan kishin përfituar nga fondet e USAID vlerën prej 1.7 miliardë dollarësh në periudhën 2020-2024. Sipas të dhënave të Grenell, në Shqipëri organizatat joqeveritare kishin marrë 189 milionë dollarë nga USAID për 4 vite.

USAID u themelua në vitin 1961 nga Presidenti Demokrat John F. Kennedy në kulmin e Luftës së Ftohtë me qëllim koordinimin më të mirë të ndihmës së huaj, tashmë një platformë kyçe e politikës së jashtme të SHBA-së në kundërshtimin e ndikimit sovjetik.

15-vjeçarja mahnit shokët, shkon në mbrëmjen e maturës… mbi lopën e familjes (VIDEO)

Në një skenë të pazakontë dhe plot origjinalitet, Chloe Fitton, një vajzë 15-vjeçare nga Bolton, Greater Manchester, befasoi të gjithë kur u shfaq në mbrëmjen e maturës duke hipur mbi një lopë.

Chloe, e cila vjen nga një familje fermerësh me traditë pesë brezash, zgjodhi të vinte në mbrëmjen e veçantë me një nga kafshët më të dashura të fermës së tyre – lopën Oasis. E veshur me një fustan blu elegant, ajo u shoqërua nga babai i saj Richard dhe vëllai Thomas, ndërsa videoja e momentit u bë virale, duke kapur mbi 600,000 shikime në TikTok.

“Të gjithë shkojnë me karrocë ose mbi kuaj. Mendova të bëja diçka ndryshe, që askush nuk e kishte bërë më parë,” tha Chloe, e njohur nga vogëlia me nofkën “Zonjusha Moo”.

Familja e çoi vajzën dhe lopën me rimorkio në një parking afër stadiumit Toughsheet, ku mbahej eventi, dhe më pas Chloe e kaloi distancën prej 400 metrash mbi lopa, duke marrë duartrokitjet më të forta të mbrëmjes.

Ky veprim u pa jo vetëm si një gjest i guximshëm, por edhe si një homazh për jetën rurale dhe lidhjen e fortë të Chloe-s me bujqësinë. Në shtator, ajo do të ndjekë studimet në kolegj për bujqësi dhe synon që një ditë të marrë drejtimin e fermës familjare.

Kjo histori ka ngjallur shumë pozitivitet në rrjetet sociale, ku Chloe është kthyer në një ikonë të autenticitetit dhe krenarisë për rrënjët e saj.

https://www.dailymail.co.uk/femail/article-14860209/british-schoolgirl-prom-arrival-cow.html?ico=embedded

Nuk fitoi mandatin e deputetes, qeveria emëron Ina Majkon si zv.ministre të Shëndetësisë

Ina Majko nuk arriti të fitonte një mandat në Parlament në zgjedhjet e 11 Majit, por kryeministri Edi Rama kishte plan rezervë për kandidaten.

Nga mbledhja e sotme e Këshillit të Ministrave, u vendos që Ina Majko të emërohet në pozicionin e zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Majko do të zëvendësojë në këtë detyrë Niko Hykën.

Gjatë fushatës kryeministri Edi Rama premtoi se nëse ajo nuk do të arrinte të zgjidhej në Parlament, do të ishte pjesë e qeverisë.

Majko kandidoi si deputete e listës së hapur për Partinë Socialiste, në qarkun e Vlorës. Ajo aplikoi për garën e ligjvënësve përmes platformës së socialisteve “Deputeti që duam”, platformë kjo që nxori disa emra të rinj në radhët rozë.

Majko ishte përgatitur për të qenë një zë në Parlament për komunitetin rom dhe egjiptian, por nuk fitoi vota të mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit.

Jemi si në vitet ‘80, kur shitësi ishte bosi i lagjes, duhet t’i serviloseshe…

Ore mirë që ende nuk kemi marrë vesh se kush i fitoi zgjedhjet, ende vazhdon numërimi!

Po sikur të vazhdojë numërimi katër vjet! E çfarë na gjeti, asgjë nuk ndodh. Ja ne vazhdojmë ende me qeverinë e vjetër, me Kuvendin e vjetër. Ndjeni ndonjë boshllëk ju? Unë jo!

Atëherë çfarë kuptimi ka të bëjmë zgjedhje çdo katër vjet? Bëjmë një herë në njëzet vjet, a njëqind vjet, dhe shpëtojmë edhe nga shpenzimet e tepërta.

Mirë gomari ka ngordhur, por nuk të lënë rehat edhe mizat.

Ja!

Kam vënë re se Lufra, Erzeni etj. shesin kosin në bidona. Mirë fort. Por, mua më ngel afro një e dhjeta e kosit në fund të bidonit! Si ta marr. Çfarë dreq paketimi është ky? Pres me thikë bythën e shishes që të marr pjesën më të mirë të kosit, më me yndyrë që ka mbetur aty!

Blejnë fletore katër lekëshe studentët për provim. Por, janë pa etiketa për të shkruajtur emrin. Me kapakë të rrëshqitshëm llustrafin ku nuk shkruhet dot emri. Me ngjyra, nuk dallohet gjë. Ore shisni mallin pa,menduar si do të përdoret? Paskeni qenë derra mo!

Shkon te Megateku blen ta zëmë një bojler. Pyet a mund të ma instaloni? Hiç! Prit se njohim njërin, që i themi, që të vijë, e pa fund nga këto. Po vapë e madhe mo!

A mundet që këtë ventilatorin që e shisni pjesë – pjesë të ma jepni të montuar? Me lekë mo! Po jo se, sepse, meqenëse…

Blen frigoriferin ta zëmë te Global. Pyet: Ore ma transportoni në shtëpi tani? Jo po se po qese, jo sepse, po por, iki fare nuk e blej.

O shofer i taksisë, po mjaft o burrë se nuk le gjë të shtëpisë tënde pa më treguar. Ma bëre kokën daulle me teoritë e tua për uraniumin iranian, mjaft de mjaft!

Ule një çikë kondicionerin o kafexhi se na dhe pneumoni! Aman mo është bërë ta pish kafen me avokat që të mbrosh veten!

Shkon te Big Market, të propozojnë të marrësh kartën e klientit. Bukur fort. Pastaj kur pyet të thonë: A jooo, është vetëm për këtë njësinë këtu, jo për gjithë Big marketet! Ouuuu, po ç’a lesh kartë klienti është kjo kur ne e përdor në të gjithë pikat e shitjes së kompanisë!

Berberi i fut një të shkundme përparëses që i kishte lidh në gushë klientit para meje, dhe ma lidh mua! O shoku, po ç’a bën more. Ja thua me mirësjellje se ai ka edhe biçak në dorë. Ta tregon mirë qejfin, ta jep veshin në dorë!

Çfarë të them. Kultura e shërbimit ndaj klientit copë – copë. Na mo, jam klient, jam the king. Ik ore budalla, ne jemi republikë!

Jemi si në vitet 80, kur shitësi ishte bosi i lagjes, duhet t’i serviloseshe!

Vapë e madhe!

Animacioni i NASA-s ilustron 15 ditët e t.merrit në Europë dhe në…/ Temperaturat arrijnë rekord

Europa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me një temperaturë dy herë më të lartë se mesatarja globale.

Sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus të BE-së, me valë të nxehti ekstreme që ndodhin që në fillim të vitit dhe që vazhdojnë edhe në muajt në vijim.

Timelapsi i realizuar nga Global Modeling and Assimilation Office i NASA-s tregon temperaturat sipërfaqësore në të gjithë botën nga data 15 deri më 30 qershor.

“Miti i paprekshmërisë po mbaron”, Romeo Kara: Berisha s’vjen në gjykatë nga frika, jo nga sfida

Juristi Romeo Kara ka komentuar mungesën e ish-kryeministrit Sali Berisha në seancën e parë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Sipas juristit Kara, Berisha është në një fazë përballjeje të pashmangshme me drejtësinë dhe i trembet pikërisht asaj dite kur do të ulet në bankën e të akuzuarve.

“Berisha e ka tmerr ditën e parë që do ulet në bankën e të akuzuarve. Atë ditë ai do ta mbajë larg me çdo kusht, sepse ajo ditë do shënojë fundin e mitit të tij të paprekshmërisë,” tha ai mbrëmjen e së hënës në një studio televizive.

Juristi theksoi se mungesa e Berishës në seancën e parë në GJKKO nuk është e rastësishme dhe duhet parë si pjesë e një strategjie politike dhe psikologjike për të vonuar përballjen me sistemin e drejtësisë.

“Nuk është thjesht sfidë ndaj institucioneve, është frikë e brendshme – e ndërtuar mbi vite imuniteti politik, që tani po i shembet,” vijoi Kara.

Seanca e parë ndaj Sali Berishës në GJKKO u zhvillua në mungesë të tij, pasi ish-kryeministri vijon të mos i bindet masës së “detyrimit për t’u paraqitur” dhe të qëndrojë i izoluar në banesën e tij, duke pretenduar se procesi është politik.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme po heton Berishën për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, një çështje që pritet të ketë zhvillime të rëndësishme në javët në vijim.
paprekshmërisë”.

Ushtarë shqiptarë dhe austriakë dislokohen në Kosovë në kuadër të KFOR-it

Kompanitë shqiptare dhe austriake të Forcës Rezervë Operacionale Shumëkombëshe (MN ORF) janë vendosur sot në Kosovë, duke zëvendësuar njësitë bullgare dhe greke, në mbështetje të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.

Njoftimin e bëri me dije Ministria e Mbrojtjes. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, “ky rotacion forcon më tej gatishmërinë operacionale të KFOR-it për të përmbushur mandatin e tij të gjatë, bazuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, për sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Forca e Kosovës (KFOR) janë një trupë e armatosur e formuar nga bashkësia ndërkombëtare pas luftës së Kosovës me qëllim ruajtjen e sigurisë në Kosovës.

Qendra komanduese e trupës gjendet në Prishtinë.

Në fillim (1999) trupa përbëhej nga kontingjentet e 40 kombeve me një fuqi prej 50 mijë ushtarakësh.

Që prej 30 nëntorit 2012 në përbërjen e kësaj trupe janë rreth 5565 ushtarakë nga 31 kombe anëtare të OKB-së.

Horoskopi për ditën e sotme, e enjte 3 Korrik 2025

Nga Paolo Fox

DASHI

Gjatë këtyre 24 orëve mos u ngurroni: nëse duhet të thoni diçka, bëjeni. Çdo vendim do të ketë një pasojë dhe ndoshta edhe një heqje dorë, por nyjet po kthehen në shtëpi për të fjetur. Hëna dhe Jupiteri do t’ju ndihmojnë në këtë kuptim!

DEMI

Sipas horoskopit të Paolo Fox (e enjte, 3 korrik 2025), ju e urreni ndërhyrjen e njerëzve përreth jush. Mërkuri në disonancë flet për paratë që dalin dhe për shqyrtimin e llogarive, ndërsa Venusi në shenjë shfrytëzon dashurinë dhe do t’ju ndihmojë të jetoni një ndjenjë në një mënyrë të përmbushur.

BINJAKËT

Hëna nervoze ju fton të vini shumë gjëra në rregull dhe të riorganizoheni… megjithatë, shumë shpejt ajo do të bëhet përsëri e favorshme dhe do t’i bashkohet një Venusi miqësore (nga e premtja). Korriku është muaji i miqësive, takimeve, pasioneve të rizbuluara dhe intuitave me fat.

GAFORRJA

Dielli dhe Jupiteri janë ende në shenjën tuaj dhe ju ndihmojnë të gjeni qetësi! Ata që janë habitur nga disa probleme ose një bllokim mund të fillojnë nga e para. Ata që kanë treguar vlerën e tyre do të marrin një shpërblim të mirë. Yje të rëndësishëm edhe në lidhje me marrëdhëniet me të tjerët në përgjithësi.

LUANI

Sipas horoskopit të Paolo Fox (e enjte, 3 korrik 2025), mos u tërhiq nga mundësitë dhe emocionet, veçanërisht nëse ato stimulojnë diçka tek ty dhe të bëjnë të ndihesh edhe më i gjallë! Ti dëshiron të afirmosh veten dhe të njihesh. Mërkuri në shenjë sjell intuita.

VIRGJËRESHA

Je në një javë të qetë në të cilën duhet t’i lësh gjërat të rrjedhin sipas rregullave, edhe nëse është e vështirë për ty, pasi gjithmonë ke tendencën të zgjidhësh problemet ose t’i përballesh ato drejtpërdrejt. Me Venusin në tranzit konfliktual, do të jetë më mirë të mos detyrosh veten në dashuri.

PESHORJA

E ke Hënën në shenjën tënde: do të të ndihmojë të nxjerrësh diçka më shumë nga jeta! Ditë e rëndësishme për marrëdhëniet. Po bën shumë gjëra dhe puna po të rëndon pak, por këtu ka rëndësi të kesh personin e duhur në krah.

AKREPI

Sipas horoskopit të Paolo Fox (e enjte, 3 korrik 2025), gjërat po përmirësohen dhe po shkoni drejt një fundjave të favorshme me Hënën në shenjën tuaj! Po vini nga një periudhë e vështirë, veçanërisht në lidhje me marrëdhëniet.

SHIGJETARI

Një ditë e mbuluar nga shumë tensione: do të dëshironit të ndiheni më të lirë dhe të bëni vetëm atë që dëshironi, për fat të keq kushtet e përgjithshme nuk ju lejojnë ta bëni këtë ende… Gjërat sigurisht që po përmirësohen, por duhet të prisni me besim dhe të keni pak më shumë durim.

BRICJAPI

Sa më shumë të ecni përpara, aq më mirë ndiheni, thjesht kini kujdes për të mërkurën dhe të enjten, të cilat do të jenë paksa të qeta dhe delikate për marrëdhëniet me të tjerët.

UJORI

Sipas horoskopit të Paolo Fox (e enjte, 3 korrik 2025), Hëna e favorshme dhe një situatë e mirë astrologjike (edhe nëse sfiduese) në lidhje me miqësitë dhe dashurinë me siguri do t’ju bëjnë të qetë. Sa i përket punës, gjërat nuk po shkojnë shumë mirë: Mërkuri do të jetë nervoz për të gjithë muajin korrik.

PESHQIT

E gjeni veten në një situatë disi të turbullt: dy ditë me Hënë në opozitë po sjellin disa pasoja të dukshme, ndoshta tensione të zgjatura. Nga fundjava, ata që kanë probleme me shpinën do të detyrohen, nga ky qiell, të përballen. Jupiteri mbron punën.

Gjermania dhe Britania drejt traktatit historik të sigurisë: Nëse sulmohet njëra…

Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar pritet të nënshkruajnë një traktat të ri bashkëpunimi më 17 korrik, i cili përfshin për herë të parë një klauzolë për ndihmë të ndërsjellë në rast të ndonjë kërcënimi ose agresioni ndaj njërës prej palëve, raportoi “Politico” duke cituar pesë burime të njohura me zhvillimet.

Sipas dy zyrtarëve britanikë, teksti i traktatit është thuajse finalizuar dhe nënshkrimi synohet të ndodhë përpara se parlamentet e të dy vendeve të shpërndahen për pushimet verore.

Ndërsa traktati do të riafirmojë angazhimin e Berlinit dhe Londrës ndaj NATO-s si bazë e sigurisë kolektive, përfshirja e një klauzole për mbrojtje të ndërsjellë thekson një qasje të re dhe më të ngushtë të aleatëve evropianë në fushën e sigurisë, në një kohë kur roli i SHBA-ve në NATO shihet gjithnjë e më shumë si i luhatshëm.

Traktati pritet të ketë gjithashtu një shtrirje të gjerë, duke përfshirë fusha si:

Lufta ndaj emigracionit të paligjshëm

Bashkëpunimi në transport, kërkim dhe inovacion

Nxitja e tregtisë ndërkufitare

“Traktati do të mbulojë të gjithë spektrin e marrëdhënieve tona,” deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane për “Politico”.

Ky traktat pritet të shënojë një etapë të re në marrëdhëniet strategjike mes dy fuqive kryesore evropiane, në një kontekst ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguri gjeopolitike dhe nevoja për ripozicionim të aleancave të sigurisë në Evropë.

V▪︎ ekje e tm. errshme për 80-vjeçarin, tërhiqet nga krokodili teksa po lahej në lumë

Një burrë 80-vjeçar u vra tragjikisht nga një krokodil në Indonezi, pasi zvarraniku e kapi atë teksa po lahej në një lumë.

Dëshmitarët okularë regjistruan përpjekjen e banorëve vendas për të nxjerrë 80-vjeçarin nga goja e krokodilit 3 metra të gjatë.

Sipas mediave lokale, krokodili e sulmoi 80-vjeçarin ndërsa ai po notonte në lumin Semaka pranë shtëpisë së tij. I moshuari nuk pati kohë as të thërriste ndihmë pasi krokodili e tërhoqi nën sipërfaqen e ujit.Një banor vendas gjeti rrobat e 80-vjeçarit dhe pak kohë më vonë krokodili u pa me të në nofullat e tij.

“Pasi e goditi krokodilin disa herë me shkopinj, zvarraniku u largua nga trupi i viktimës, i cili tashmë kishte vdekur”, tha një zëdhënës i policisë.

Indonezia është vendi me më shumë sulme krokodilësh ndaj njerëzve, me 1,000 incidente të regjistruara në 10 vitet e fundit, megjithëse ekziston frika se numri i vërtetë është shumë më i lartë.

Video Player