“Magjia ekziston, e ka zanafillën që në lashtësi”, teologu Miron Çako flet i bindur: Syri i keq është më i fortë se magjia

Teologu i njohur, Miron Çako ishte i ftuar në “Aldo Morning Show” për të folur rreth magjisë dhe okultizmit. Për shumë njerëz magjia nuk ekziston, ndërsa të tjerë, siç ndodhi gjatë programit, janë takuar me “anën e errët” të energjisë në mënyra të pashpjegueshme.

Teologu thotë se magjia e ka zanafillën që në lashtësi. Sipas Çakos, ajo ekziston dhe shfaqet në formën e demonëve të padukshëm të cilët thirren nga njerëz që kërkojnë shërbimin e tyre dhe lidhin shpirtin me ta.

Miron Çako: Magjia është një kontratë që bëhet me një fuqi okulte. Kur themi fuqi okulte, themi fuqi demoniake që janë engjëj të rënë, të cilët janë në eter, janë rreth nesh, mund të jenë edhe këtu prezent.

Aldo: Për një ateist quhet energji e keqe?

Miron Çako: Po, energji e keqe por edhe kjo energji nuk është diçka abstrakte. Energjia buron nga një qenie ose energji pozitive që buron nga Zoti, ose energji negative që buron nga demonët. Magjistarët me dashje, pa dashje, i ditur, i paditur, injorant, i shkolluar sepse ka edhe magjistarë të shkolluar sot, ka universitete për magjinë, pra nuk është aq i thjeshtë problemi, ata bëjnë një kontratë me djallin dhe në këtë kontratë bëjnë kërkesa të ndryshme, të vetes së tyre ose të klientëve të tyre dhe magjia vepron në të gjitha fushat: psikologjike, fizike, shoqërore.

Aldo: Pra fjalia është, që të mos hallakatemi nëpër rreshta: magjia ekziston?

Miron Çako: Patjetër ekziston, ekziston që nga lashtësia.

Teologu thotë se ka 4 kategori magjish që veprojnë. Një magji mund të dallohet kur dikush që mund të jetë shumë mirë në çdo aspekt, nis të ndiejë shqetësime të pashpjegueshme për të cilat nuk gjendet zgjidhje.

Miron Çako: Magjia ndahen në 4 kategori: magjia që bëhet me elementë, magjia që bëhet me kontakt, magjia që është hipnoza dhe magjia që është edhe falli. Janë këto 4 kategori magjish që fatkeqësisht veprojnë. Ne mund të gjejmë mbeturinat e një marrëveshjeje me djallin, por marrëveshja është bërë. Djalli ka marrë kërkesën për të hyrë te X persona, objekt dhe fillon punën e vet. Ndodh një çudi, për shembull njerëzit që e kanë këtë problem, janë shumë mirë në jetën e tyre, papritur ndodh një ndryshim në psiqikën e tyre, në shëndetin e tyre, në marrëdhëniet e tyre shoqërore që nuk ia gjen zgjidhjen.

Veç magjisë, teologu Miron Çako thotë se ekziston edhe syri i keq. Sipas teologut, syri i keq është edhe më i fortë se magjia pasi efekti i tij është i menjëhershëm.

Miron Çako: Përveç magjisë, ekziston edhe syri i keq. Syri i keq është më i keq se magjia sepse magjia të vjen gradualisht, kurse syri i keq të vjen një shigjetim menjëherë që ti po s’pate një mbrojtje, menjëherë goditesh,  shigjetohesh.

Aldo: Po kush e bën syrin e keq?

Miron Çako: Syrin e keq, janë njerëz të cilët kanë energji negative sepse kanë smirë. Këta që kanë smirë, inat për diçka të një tjetri, për objektin, për çfarë ka ai…

Aldo: Kështu si shprehje e kemi dëgjuar ne, “syri, syri”.

Miron Çako: Po, syri i keq është më i keq se magjia sepse ky njeri brenda vetes ka një demon ose një ushtri demonësh, varet sa ai ka, sa energji posedon dhe me anë të shikimit, me anë të mendimit dhe fjalëve, ai të shigjeton.

Teologu shton se magjia ka gjetur rrugën për t’u përhapur në forma që nuk vihen re. Ka formula magjike që përdoren në jetën e përditshme, filma e libra të cilët duken krejt të padëmshëm por i shtyjnë edhe fëmijët të praktikojnë magjinë.

Miron Çako: Një formulë që ne e kemi përdorur kur kemi qenë fëmijë, nuk e di, “abrakadabra”. Për shembull, “abrakadabra” është një formulë magjike që vjen nga romakët.

Aldo: Unë e mbaj mend nga “Pinoku”.

Miron Çako: Sot magjia është pjesë e jetës. Është pjesë e filozofisë, e psikologjisë.

Aldo: “Abrakadabra”, vërtet e ke që…

Miron Çako: Është formulë e romakëve.

Aldo: Kur ta them nga “Pinoku”, unë mbaj mend filmin.

Miron Çako: Atë desha të them, për shembull edhe filmi “Harry Potter” ose libri “Harry Potter” është një libër i mirëfilltë magjie. Ose këto filmat e animuar sot, aty futen formula magjike, personazhe magjikë, mitikë por s’janë mitikë që bëjnë edhe fëmijët sot padashur, duke parë një film të animuar, duke lexuar një libër, gjenden duke bërë magji. Është një lloj loje sot, janë forca okulte dhe disa grupe që po e demonizojnë këtë shoqëri.